Këmbim valutor- Leku forcohet ndaj euros dhe dollarit
Në tregun e këmbimit valutor vendas, këtë fund javë leku ka forcuar pozitat ndaj valutave kryesore euro dhe dollar, duke fituar pikë krahasur me fillim javën.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehet të shtunën me 140.48 lekë, duke shënuar rënie për të 10-ën ditë radhazi e duke zbritur ndjeshëm nga niveli më i lartë i vitit prej 141.13, që u arrit në fillim të muajit qershor 2015.
Ekspertët e fushës shprehen se, ndonëse euro reflekton zhvlerësimin e saj në bursat ndërkombëtare, si rrjedhojë e pasigurive që janë krijuar nga kriza greke, ajo vijon të jetë e mbiçmuar në tregun e brendshëm.
Sipas tyre, sezoni do të favorizojë rënie të euros edhe në ditët në vazhdim. Këtë javë leku ka fituar pikë edhe ndaj dollarit amerikan. Një dollar u kuotua me 125.41 lekë, duke shënuar rënie me 0.38 lekë në raport me një ditë më parë.
Edhe dollari është larg niveleve rekord prej mbi 130 lekë, që u arritën në mars të këtij viti.
Në bursat ndërkombëtare euro ra poshtë 0.1 për qind të premten, duke u këmbyer me 1,1188 dollarë. Fundi i javës e gjeti monedhën evropiane 1.4 për qind më të ulët se sa gjithë javën.