Intervista

Kemi ende të pandarë edhe detin me Malin e Zi

Ndërkohë që e gjithë vëmendja është përqendruar te zgjidhja që do t’i jepet çështjes së kufirit detar me Greqinë, koloneli në lirim, prof. Myslim Pasha, njeriu i cili me punën e tij bëri të mundur rrëzimin e paktit famëkeq, ngre shqetësimin se kufiri detar mes  Shqipërisë dhe Malit të Zi është i papërcaktuar dhe se institucionet duhet të angazhohen, përpara se të dalin përpara probleme. Z. Pasha është i shqetësuar për indiferencën e institucioneve shqiptare për një çështje kaq të rëndësishme, siç është përcaktimi i saktë dhe përfundimtar i kufijve shtetërorë. Ai thotë gjithashtu se fenomenet natyrore po e ndryshojnë kufirin detar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Pas asaj që ka ndodhur me Paktin Detar me Greqinë i cili, siç dihet, është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, besoj se ka filluar një odise këtu e tutje, për rifillim të negociatave. Ç’koment mund të bëni ju?

Marreveshja e ujrave me GreqineJam, një individ studiues i vendit tim. I papërzier në asnjë konsultë apo grup pune dhe në asnjë institucion zyrtar lidhur me sa pyesni ju. Pra: s’mund të them nëse kanë filluar apo do të fillojnë këto negociata. Veçse na vjen një hamendje se është krijuar një ngërç i vërtetë, që s’mund të zgjidhet aq lirshëm. Sepse, siç e kemi shprehur edhe më parë, pala shqiptare, në Paktin famëkeq, e ka mbushur vijën ndarëse të Detit midis fqinjëve me “mina”, nga injoranca dhe padituria e saj. Në këtë kapitje ka rënë edhe pala greke. Tani është shumë e vështirë. Dhe nuk shoh pikë orientimi, nuk shoh një dritë studimore, nuk shoh apo ndiej institucione apo agjenci të vendit tim, që duhet të merren me këtë punë që të sqarojnë opinionin e këtushëm se çfarë ndodhi, as besoj se këto institucione e kanë marrë të plotë zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese e kësisoj, me këtë bazë, të qartësojnë hollësitë dhe parimet mbi të cilat do të niset një bisedim i ri midis fqinjëve. Fatkeqësisht vendi im, dhe këto “X” institucione nuk e kanë as hartën e këtij deti historik, me të cilën do të hulumtojnë në negociatat e nesërme.

Po, në vijim të plotësimit të ndarjes sonë detare, si është gjendja me Malin e Zi? A kemi ndarje me këtë shtet fqinj?

Është po e njëjta përgjigje, sepse mbulimi studimor bëhet në mënyrë paraprake nga secili shtet, në bazë të standardeve ligjore të së Drejtës Ndërkombëtare Detare: pasi, sipas Konventës së Montego-bay (UNCLOS – 1982 = The United Nations Convention on the Law of the Sea), duke e ratifikuar atë, kufijtë detarë midis fqinjëve tanë nuk ekzistojnë. Dhe ata duhen ndarë në mirëkuptim sipas Ligjit të Detit. Secili shtet përgatitet dhe fillojnë negociatat. Këtu ndër ne, askush nuk e ka mendjen dhe nuk nismon që të përplotësohet vija ndarëse midis dy pikave të përbashkëta, që tanimë janë të njohura: fundin ndarës midis Italisë dhe Shqipërisë dhe fundin ndarës midis Italisë dhe ish-Jugosllavisë.

Përmidis është një det i pandarë midis Malit të Zi dhe Shqipërisë.

A ka problem me këtë mosndarje?

Doemos që ka. Dhe mund të dalin, çka ka të bëjë me shfrytëzimin e resurseve të peshkimit, të problemeve mjedisore të trafikut të paligjshëm midis të dy shteteve. Prandaj duhet mbyllur. Mirëpo këtu te ne ngjan se: “Ja: deti është ai që ka qenë qyshkur… dhe s’e merr njeri…” një mendësi gati otomane për braktisjen e kësaj pasurie natyrore të jashtëzakonshme. Kurrkush nuk merret me këto hulumtime.

Por nuk besojmë se do të ketë probleme me Malin e Zi ashtu sikundër patëm me Greqinë. Apo jo?

Është e vërtetë se në rastin e tashëm, metoda e “baraslargësisë” është shumë më e përshtatshme për ndarje, pasi brigjet Apenine dhe ato të krahut shqiptar janë paralele dhe pa ndërthurje ndryshimore rrethanore gjeografike, siç i kishim me Greqinë. Por, doja t’ju bëja me dije lexuesve të “Shqip” se këtu në shtetin tonë, ne nuk e menaxhojmë dot gjeohapësirën tonë, duket se e kemi braktisur atë dhe “vetëm atëherë kur vjen veza” kujtohemi se kemi një lumë apo ujëmbledhje se kemi një det, të cilin nuk e kemi studiuar dot.

A mund të na thoni ndonjë hollësi?

Vite më parë, duke u marrë me hulumtimin gjeografik të lëvizjeve që po pëson vija bregore e Adriatikut në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë dhe më tej, në një Workshop të përbashkët midis Akademive të Shkencave të Malit të Zi dhe të Shqipërisë, Buna për herë të parë u shpërfaq në përfytyrimin përafrues si një lumë, por edhe si një gji.

Por, Buna dhe deti kanë sjellë ndryshime shumë të mëdha, sidomos në përmbytjen dramatike të Shkodrës, po edhe në vetë grykëderdhjen e lumit.

Në vitin 2011, po përgatisja një version hartografik të ndarjes së detit midis Malit të Zi dhe Shqipërisë (si një hulumtim vetjak) ndërsa kërkoja ishullin e Franz Joseph, “…ai kish humbur!” Ishte shndërruar në siujdhesë nga vepra e Detit dhe Bunës, për gati 150 vjetësh. Askush s’e ka venë në dukje dhe as e ka hartografuar këtë. Po ja se çfarë ndodhi pas një viti e gjysmë deri në mesin e vitit 2013?

Hapni “Google Earth”. Përqendrohuni te delta e Bunës. Poshtë Franz Jozeph që është siujdhesë, ka dalë prej detit Nimfa e re, kjo krijesë e stërmundimshme bukurane e Bunës dhe e detit. Lënda e krijesës ka ardhur që nga Bjeshkët e Nemuna deri në Pind, grimcë pas grimce, kristal, gurë dhe aluvion, bartur nga Drini dhe Buna. Ky është një kumt i rrallë. Një ishull i ri në gjeohapësirën shqiptare, një entitet i ri gjeografik. Por, askush nuk do t’ia dijë këtu ndër ne!

Ky është një mesazh i bukur i detit dhe Bunës. Por, a ka lidhje me ndarjen e Detit me Malin e Zi?

Ndarja dramatike e kufijve e viti 1913, ku Buna u mor si kufi për të prerë gjymtyrën e saj etnike kombëtare, në veriperëndim, … edhe tash në ndarjen e detit, ajo do të jetë sërish tregues.

Aty, në grykëderdhje, është pika e parë, është vija bazore e standardit ndërkombëtar ku fillon procesi. Ndryshimet që kanë ndodhur në Franz Joseph dhe daljen e ishullit të ri, kanë sjellë lëndë dhe entitete të reja bregore gjeografike dhe doemos gjeometrike, të cilat duhen të studiohen.

Sërish shqetësimet tuaja vijnë për institucionet, apo jo?

Është një indiferencë e frikshme, gati antikombëtare. “Makthi” i së keqes së vetvetes ishte Pakti Detar i rrëzuar. Ende vijohet në këtë letargji studimore. Drithërima e busullës së zemrës kombëtare është në veten tonë. Duhet ta gjejmë atë. Në secilin hap që hedhim drejt Europës, nuk i përcjell vetëm politika e verbërisë së pushtetit, por një Projekt i madh Kombëtar mbi partitë për të shestuar të nesërmen, ardhmërinë në këtë gjeohapësirë, që frymon kombi ynë.

Intervistoi: Bledar Hoti

Kufiri detar me Malin e Zi

ishulli i BUnes 2

Mosekzistenca – Kufijtë detarë midis fqinjëve tanë nuk ekzistojnë. Ata duhen ndarë në mirëkuptim sipas Ligjit të Detit. Secili shtet përgatitet dhe fillojnë negociatat. Këtu ndër ne, askush nuk e ka mendjen dhe nuk nismon që të përplotësohet vija ndarëse

Problemet – Prej kësaj mund të dalin shumë probleme, që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e resurseve të peshkimit, të problemeve mjedisore të trafikut të paligjshëm midis të dy shteteve. Prandaj duhet mbyllur çështja e ndarjes së kufirit detar

Gjeohapësira – Ne nuk e menaxhojmë dot gjeohapësirën tonë, duket se e kemi braktisur atë dhe “vetëm atëherë kur vjen veza” kujtohemi se kemi një lumë apo se kemi një det. Buna dhe deti kanë sjellë ndryshime shumë të mëdha, sidomos në përmbytjen e Shkodrës

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button