Kërkesë qeverisë për moratorium 3-vjeçar për ndërtimin e HEC-eve
Moratorium tre vjeçar për ndaljen e ndërtimit të veprave energjitike në lumenjtë e Shqiperisë. Kjo është nisma e grupimit “Të mbrojmë lumenjtë”, të cilët kanë theksuar se kjo është një periudhë ku qeveria mund të reflektojë edhe për rishikimin, pezullimin dhe anullimin e të gjitha licencave të dhëna deri më sot në zonat e mbrojtura dhe zonat lumore me potenciale të larta natyrore.
“Gjatë periudhës që do të ndërpritet dhënia e lejeve për koncesionet e hidrocentraleve ne duam të shikohen të gjitha ato leje që janë dhënë për momentin, sepse ka shumë të cilat janë dhënë jashtë kritereve ose nuk janë marrë parasysh cilat janë burimet kryesore”, thotë Emirjeta Adhami, eksperte INCA.
Ambientalistët kanë theksuar se kryeministri ka premtuar se lumi Vjosë do të marrë statusin e Parkut Kombëtar çka do të thotë se duhet të rishikohet vijimi i punimeve për HEC-in e Kalivaçit, Langaricës dhe Bençës.
“Ne kemi marrë një përgjigje nga organizmi i kontrollit të IFC-së që është pjesë e BB, që kanë pranuar një kërkesë tonën për të verifikuar dhe kontrolluar të gjithë veprimtarinë antiligjore në ndërtimin e HEC-it të Langaricës”, tha Lavdosh Feruni, ambientalist.
Ambientalistët kanë saktësuar se moratoriumi do të ndikojë edhe në përmirësimin e gjendjes në zonat e mbrojtura natyrore, si në lumin e Valbonës, në zonën e Korabit, të malit të Tomorrit.