Kërkimi shkencor në Shqipëri dhe analiza bibliometrike
FLORIDA MISHA
Është e tepërt të përmend në krye të kësaj analize mbi kërkimin shkencor në Shqipëri, pikërisht përcaktimin e tij si baza e arsimit të lartë dhe e edukimit, si motor i inovacionit, i konkurrencës dhe i cilësisë së mësimdhënies. Është e gjithëpranuar teza, sipas së cilës “nuk mund të ndahet edukimi nga kërkimi shkencor” dhe se kërkimi është një element i domosdoshëm, që sjell përparimin e një vendi.
Universitetet në mbarë botën konsiderohen si institucionet më të përshtatshme për zhvillimin e kërkimit shkencor. Dhe kjo, për dy arsye kryesore: a) Lidhja e drejtpërdrejtë e kërkimit shkencor me procesin e mësimit; b) Integrimi i kërkimit me një institucion që është më afër tregut të punës se cilido tjetër.
Nga ana tjetër, kërkimi shkencor nuk mund e nuk duhet të bëjë pa komunikimin shkencor. “Komunikimi shkencor është term, i cili përdoret për të shpjeguar mënyrën se si hulumtuesit / kërkuesit, pasi kanë bërë kërkime, i publikojnë dhe i shpërndajnë rezultatet e hulumtimeve / kërkimeve të tyre, për t’i vënë në dispozicion të kolegëve të tyre, hulumtuesve të tjerë, komunitetit akademik dhe arsimor, madje edhe më gjerë. Por, ky proces përfshin edhe të drejtat e autorit, procesin e shqyrtimit të artikujve nga departamentet, kolegët, burimet ekonomike të universiteteve, modelet e reja të publikimit (si qasja e hapur, [open access] dhe depot institucionale), të drejtën për qasje në projektet e financuara nga qeveria, si dhe ruajtjen e aseteve intelektuale.
Puna kërkimore konkretizohet me botimet shkencore të botuara dhe në cilat revista prestigjioze janë botuar. Por, për të matur këto output-e hyn në lojë bibliometria. Bibliometria në ditët e sotme, po merr një rëndësi gjithmonë e më të madhe dhe kjo falë zhvillimit të teknologjive moderne të informacionit, si edhe politikave gjithmonë e më angazhuese për kërkimin shkencor. Duke qenë se është një metodë sasiore dhe cilësore, që mbështetet në përllogaritjen e botimeve, si dhe të elementeve të nxjerra nga bibliografitë, bibliometria bëhet jo vetëm garant e rezultateve objektive të këtyre përllogaritjeve, por sidomos një mjet shumë i efektshëm për vlerësimin e kërkimit shkencor, pasi qëllimi kryesor i saj është të “gjurmojë” sasinë dhe cilësinë e botimeve të autorëve të ndryshëm në një fushë të caktuar të kërkimit shkencor. Duhet theksuar se bibliometria ia detyron rëndësinë e saj, sidomos analizës së citimeve, i cili është një mjet që rendit të gjitha referimet bibliografike që gjenden në një trup dokumentesh të përzgjedhur, duke lidhur çdo botim me citimet që i janë bërë atij botimi.
Treguesi më i njohur bibliometrik është Impakt Faktori, (IF), i cili jepet nga raporti midis numrit të citimeve të marra gjatë një viti të caktuar prej një artikulli të botuar nga revista gjatë dy viteve të fundit, si edhe nga totali i artikujve të botuar në revistë gjatë dy viteve të fundit të marra në analizë.
Vlerësimi i botimeve shkencore është një strategji që qeveritë dhe universitete të vendeve të ndryshme në botë e përdorin jo vetëm për të matur vlerat dhe meritat akademike të docentëve apo punonjësve shkencorë, por sidomos në ndarjen e fondeve të përcaktuara për kërkimin shkencor. Domosdoshmëria për të matur veprimtarinë shkencore të një institucioni, duke përllogaritur punimet shkencore të botuara, solli detyrimisht edhe lindjen e treguesve për revistat që botojnë këto punime shkencore. Pikërisht këta tregues përdoren nga bibliometria (aspak ose fare pak e njohur në Shqipëri), për të vlerësuar nga ana sasiore dhe me anë të modeleve matematikore e statistikore, prodhimtarinë e dokumenteve, përdorimin e tyre, peshën ose faktorin e impaktit në shoqëri dhe në komunitetin shkencor.
Çfarë kriteri duhet të përdorin universitetet për vlerësimin e kërkimit shkencor e konkretizuar kjo në botime, artikuj shkencorë, disertacione etj.
Ai më kryesori është origjinaliteti, risia, metodologjia dhe rëndësia që këto botime i sjellin komunitetit shkencor dhe vendit përkatës, por të gjitha këto së bashku lidhen edhe me faktin se sa ndikim kanë këto botime në komunitetin shkencor vendas dhe ndërkombëtar. Për të vlerësuar impaktin në komunitetin ndërkombëtar hyn në lojë banka e të dhënave bibliografike botërisht të njohura si Web of Science, Scopus, ISI, Hirch index. Në vendin tonë, së pari, duhet të jenë bibliotekat universitare ato që duhet të krijojnë bazën e të dhënave të botimeve të profesoratit.
Bibliometria lindi si një metodë efikase për të vlerësuar universitetet dhe fushat e kërkimit, por edhe për bibliotekat universitare, të cilat janë pjesë thelbësore e universiteteve. Për këtë arsye, sot në botë bibliometria përkufizohet si një metodë kërkimi në fushën e shkencës së informacionit dhe bibliotekave, (në vendin tonë vazhdon të quhet bibliotekë ekonomi), pasi të dhënat që nxirren nga analiza bibliometrike lidhen në proces zinxhir me politikën e përzgjedhjes, blerjes, qasjes dhe përdorimit të koleksioneve bibliografike, si edhe për heqjen e asaj literature që nuk përdoret më, për arsye të ndryshme. Bibliometria si qëllim kryesor ka analizimin e koleksioneve bibliografike dhe të shërbimeve bibliografike për të nxjerrë lidhjen sasiore midis dokumenteve dhe elementeve që i përbëjnë (fjalët, citimet, autorët, institucionet etj.), e lidhur ngushtë kjo me disiplinat përkatëse.
Në studimin me temë: “Krahasimi i botimeve shkencore në universitetet teknike publike dhe private në Shqipëri”, duke përdorur metodën bibliometrike, u analizuan artikujt shkencorë të botuar nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe tri universitete private të të njëjtit profil, nga viti 2008-2013. Të dhënat u morën nga Buletini Shkencor, botuar nga UPT, si dhe nga Web of Science (Thomson Reuters), http://isiknowledge.com. U analizuan artikujt shkencorë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze, të botuara këto të fundit në revista të ndryshme shkencore të huaja, në bazë departamentesh, fakultetesh, artikujt me një, dy, tre dhe me më shumë autorë, si edhe revistat ku janë botuar.
Rezultatet: Nga vitit 2008-2013 Universiteti Politeknik kishte 55 artikuj në gjuhën shqipe dhe me abstrakt në anglisht, nga të cilët vetëm 10 prej tyre me një autor, pjesa tjetër janë me tre ose katër autorë. Fakultetet më prodhimtare, Inxhinieria e Teknologjisë së Informacionit dhe Inxhinieria Elektrike, me nga 15 artikuj secila. Për sa u takon departamenteve, ai i elektronikës dhe telekomunikacionit, si dhe ai i sistemeve elektrike të fuqisë. Ajo që bie në sy është numri i artikujve të botuar në revistat e huaja, 120, nga të cilët vetëm gjashtë me një autor, të tjerët janë me më shumë se gjashtë autorë. Mungesa e fondeve, i ka detyruar profesorët të gjejnë vetë financime dhe bashkëpunime, sidomos me profesorë të huaj, gjë që ul edhe kostot e botimeve. Nga studimi ka dalë, se në artikujt me bashkautorë, shumica e tyre janë të huaj. Studimi tregon se 96,5% e artikujve realizohen me bashkautorë të huaj, vetëm 3,5% realizohet me financimin e vetë profesorëve. Megjithatë, janë shumë pak artikujt e botuar nga profesorët e një universiteti publik i krijuar më 1957-n dhe që ka 372 profesorë, nga të cilët: dy akademikë; 54 profesorë, 53 asistentë profesorë, 70 doktorë, 22 lektorë, 171 asistentë lektorë (të dhëna të marra nga zyra e statistikave të UPT-së për vitin 2012-2013). Për sa u takon citimeve të artikujve shkencorë të botuar nga profesorët e UPT, për periudhën e lartpërmendur, treguesi është zero. Për sa u takon revistave ku janë botuar vetëm 2% e tyre, bën pjesë në elitën e revistave shkencore. NdërsaEpoka University, i krijuar në 2007-n, ka trefishin e botimeve cilësore shkencore, të gjitha të indeksuara në Web of Science.
Pozitive është bashkëpunimi ndërkombëtar, pasi natyra e universiteteve është edhe ndërkombëtarizimi, sepse universitetet prodhojnë njohuri dhe njohuritë janë globale. Dr. Jonathan Adams, drejtor i vlerësimit shkencor për Thomson Reuters, thotë se procesi ndërkombëtar i hulumtimit është në rritje në të gjitha vendet. PhD Stojan Pečlin, hulumtues në Agjencinë Sllovene të Kërkimit, thotë se shkencëtarët e vendeve periferike janë të gatshëm të bashkëpunojnë që të kenë qasje në burime. Ndërsa PhD Primož Južnič, shef i departamentit të informacionit dhe shkencës në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Ljubljanës, shprehet se gjatë njëzet e pesë viteve të fundit, bashkëpunimi ndërkombëtar si pjesë e output-eve të hulumtimeve globale është trefishuar, duke u bërë gjithmonë e më i rëndësishëm. Pra, ato burime që nuk ofrohen nga universitetet, deleguar kjo fakulteteve përkatëse, profesorët shqiptarë gjejnë burime alternative si për të dhënë informacion mbi punën e tyre shkencore, ashtu edhe për të thithur risitë në shkencë.