Këtë vit ndërtuesit kanë shpenzuar gati dy milionë euro për sigurimin e përgjegjësive
Pas tërmeteve të shtatorit të vitit të kaluar. Këshilli i Ministrave nxori një vendim që detyronte ndërtuesit të siguronin ndërtimet për një periudhë 10-vjeçare që nga data e përfundimit të punimeve. VKM-ja në fjalë doli në plotësim të ligjit të vitit 2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, që e parashikonte një dispozitë të tillë, por që nuk kishte gjetur zbatim, pikërisht për shkak të mungesës së akteve nënligjore.
Limiti i përgjegjësisë së kontratës së sigurimit nuk duhet të jetë më i ulët se vlera totale e çmimit të shitjes të përcaktuar në kontratën e kalimit të pronësisë së pasurisë paluajtshme. Primi i sigurimit është i rregulluar dhe duhet të jetë minimalisht sa 0.1% e limitit të përgjegjësisë.
Ky vendim nënkupton se blerësi e blen apartamentin të siguruar nga dëmet e rrjedhura prej defekteve apo moszbatimit të standardeve përkatëse teknike nga ndërtuesi. Garant për zbatimin e VKM-së duhet të jenë noterët dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, që nuk kryejnë procedurat për kalimin e pronësisë, pa paraqitjen e kontratës përkatëse të sigurimit.
Sipas kompanive të sigurimit, aktualisht praktika më e ndjekur nga ndërtuesit është sigurimi i pronave në momentin e përfundimit të objektit dhe aplikimit për marrjen e lejes së shfrytëzimit. Përgjithësisht, sigurimi bëhet për vlerën e kostos së ndërtimit, çka në thelb bie ndesh me frymën e ligjit dhe VKM-së përkatëse, që kërkon sigurimin e pronës për vlerën e saj të tregut. Rrjedhimisht, në pjesën më të madhe, kontratat e sigurimit të nënshkruara gjatë këtij viti përfaqësojnë numrin e pronave të përfunduara dhe të regjistruara nga ndërtuesit për periudhën në fjalë.
Tregu i sigurimit të përgjegjësive në ndërtim dominohet nga kompania Albsig, me mbi 50% të primeve të shkruara bruto për 7-mujorin e parë të vitit.