Kendi i Kikos
Kiko befason prokurorët, u del për zot 420 mijë eurove
Duke parë që askush nuk po i dilte për zot 420 mijë eurove të “gjetura” në tubin e ajrimit të pastrueses, Kiko u paraqit vetë në prokurori. Si mund të qëndrojnë këto para jetim? – mendoi Kiko. Këto para po të ishin në qarkullim do të prodhonin konsum, do të prodhonin më shumë taksa, do të prodhonin punësim dhe më pak shqiptarë do të kalonin la manshin në kërkim të një shumë më të vogël .
Prokurori: ç’e mirë të solli këtej a i vrarë?
Kiko: Kam ardhur për të marrë “Pakon e Madhe”.
Prokurori: Pakon e Madhe? E ke adresën gabim. Pakon e Madhe e jep qeveria. Ne japim drejtësi.
Kiko: U keqkuptuam. Kam ardhur për atë pakon me euro që nuk po i del zot asnjë njeri.
Prokurori: Ti i del për zot 420 mijë eurove?
Kiko: Në mungesë të burrave dhe grave me kurajo, marr guximin t’i jap fund kësaj çështje që ka lënë pa gjumë shqiptarët.
Prokurori: Na trego burimin e eurove?
Kiko: I kam gjetur në një arkë me banane!
Prokurori: Si mundet që 420 miijë euro t’i gjesh në një arkë me banane. ç’paska qenë kjo arkë, arka e Noes?
Kiko: Ke të drejtë zoti prokuror. U shpreha gabim jo në një arkë me banane, por në një arkë bananesh.
Prokurori: Pra, 420 mijë eurot qenkan të tuat more majmun?
Kiko: Të jem i sinqertë zoti Prokuror, se unë, për nga natyra që kam, nuk i mbaj të fshehta drejtësisë. Edhe ato 120 mijë eurot e tjera të miat jane, por meqë asaj i vdiq edhe xhaxhai, nuk dua t’i shtoj dhimbjen dhe hidhërimin. Le t’i mbajë ajo zonja. Hallall.
Prokurori: Qenke edhe xhentëllmen pale.
Kiko: Pavarësisht çfarë thuhet lart e poshtë ne majmunët kemi zemër humane.
Prokurori: E di që po luan me zjarrin.
Kiko: Me zjarrin, ujin dhe prokurorët unë nuk bëj shaka.
Prokurori: E di me sa nene të kodit penal mund të përballesh?
Kiko: Sigurisht që e di zoti Prokuror, ndaj kam ardhur këtu vetë me putrat e mia.
Prokurori: Neni 7 i kodit penal, pastrimi i produkteve të veprës penale, kryer nga shtetasit e huaj….
Kiko: Më ndjeni fort i nderuar prokuror. Më lejoni t’u kujtoj se si qenie jo njerëzore, unë nuk mund të jem subjekt i kodit penal.
Prokurori….
Për të thyer heshtjen Kiko nxitoi të ndërronte temë, por e djallosi më shumë.
Kiko: Po pres të më falenderoni zoti Prokuror.
Prokurori: Pse?
Kiko:- Po këto para mund të ishin të shefit, në mos të shefit mund të ishin të atij që është poshtë shefit, në mos të atij që është poshtë shefit, patjetër që do të ishin të një shefi.., se si thoni ju për këto çështje hetimet janë “komplekse”….
Prokurori: çfarë do të bësh nëse i merr eurot?
Kiko: Si të them zoti Prokuror. Këtu njerëzit pa asnjë cent në xhep dhe janë bërë investitor strategjik. Me kaq sa kam unë dua të shpallem “partner strategjik” i qeverisë shqiptare.,
Prokurori: Konkretisht ccfarë do të bësh me eurot?
Kiko: Të them të drejtën jam në një trilemë zoti prokuror.
1. Të marr diçka modeste në Yacht Marina Durrës.
2. T’i derdh në fondin e dëmshpërblimit të Franccesko Beketit
3. Të financoj një qendër trainimi për luftën ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave.