Kiko shpjegon se pse 80% e shqiptarëve nuk lexojnë libra
Lajmi i bërë publik nga një anketim se 80% e shqiptarëve nuk lexojnë librat nuk e shqetësoi Kikon, përkundrazi e lumturoi. Ndërsa njoftimi se 80% e shqiptarëve nuk blejnë libra ju duk si ato njoftimet që “dielli lind në mëngjes dhe perëndon në mbrëmje”.
Duhet të kesh shumë para për të shpenzuar që të bësh anketa për të arritur në përfundimin se shqiptarët as blejnë libra dhe as i lexojnë ata.
Mjafton të hapësh televizionin çdo mëngjes dhe e kupton se pse shqiptarët nuk lexojnë më gazeta. Gazetat i lexojnë televizionet në mëngjes. Shqiptarët dëgjojnë. A ka nevojë të bësh anketë pse nuk lexojnë shqiptarët gazeta? Vetëm nëse ke para për të shpenzuar kot! Eshtë e qartë se pse nuk lexojnë gazeta shqiptarët, por te librat nuk është ashtu si duket mendoi Kiko.
Librat -tha Kiko janë për të zhvilluar imagjinatën, por këtu realiteti ja kalon imagjinatës së shkrimtarëve ndaj nuk ka nevojë për të lexuar libra.
Por ndërsa po jepte këtë shpjegim Kiko brofi mbi putra
“Shqiptarët nuk lexojnë libra, sepse po shkruajnë libra”. Shqiptarët nuk mundet që edhe të lexojnë edhe të shkruajnë. O njëra, o tjetra. “O vil rrush, o mbaj kosha”, thonë tironsit që para 100 viteve ishin 10 mijë vetë, ndërsa tani kanë mbërritur 1 milionë.
Ka qenë një brez që dikur lexonte. Kikos ndërmend i erdhi një thënie e një regjizori të njohur të Hollivudit, Steven Spielberg, që shpjegon më së miri gjendjen e sotme të shqiptarëve.
“Vetëm një gjeneratë lexuesish, prodhon një gjeneratë shkrimtarësh”.
Gjenerata e mëparshme lexonte, ndërsa kjo gjeneratë shkruan libra- konkludoi Kiko. Të gjithë po bëjnë libra.
Dikush mban fjalime, i mbledh ato dhe i bën libër. Dikush tjetër, i kujtohet diçka i derdh në letër dhe i kthen në libër kujtimesh. Një tjetër mbledh artikujt dhe postimet në rrjete sociale dhe i kthen në libër best seller. Një tjetër interviston, mbledh intervista dhe i bën libër, një tjetër intervistohet, mbledh intervistat dhe i bën libër. Dhe kemi dy libra me të njëjtën përmbajtje dhe me dy autorë të ndryshëm. dhe zero plagjiature! A nuk është kjo magjike- mendoi Kiko.
Disa njerëz futen në një reality show-futen si anonimë dhe dalin prej saj autorë. Magjike!
Dikush tjetër qëron patate, i skuq, i qëllon që dalin të shijshme dhe gjithë këtë përvojë të mrekullueshme e ndan me “publikun” duke botuar një libër që në fund kurorëzohet me një çmim në panairin e librit.
Po kështu, dikush, një ditë të vranët si kjo e sotmja është e mërzitur nuk ka se çfarë të bëj dhe mbledh rrobat e palara dhe i vendos në lavatriçe, pas 1 ore rrobat dalin të lara. E gjitha kjo mrekulli nuk mund të mbahet për vete, por duhet ndarë me njerëzimin në përgjithësi dhe shqiptarët në veçanti- dhe mënyra më e mirë është për të bërë një libër.
Shqipëria është kthyer në një kantier ndërtimi, por problemi është se nuk ka fuqi punëtore të kualifikuar, pra njerëz që dinë të bëjnë llaç e të rendisin tulla. Po ashtu edhe njerëz që të dinë t’i bien gozhdës. Kjo ndodh për faktin se nuk kemi libra të tillë si: “si t’i biem gozhdës”?
Kiko mendoi të rendisë një listë rekomandimesh me libra që duhen blerë në panair, por ndërkohë iu kujtua sërish anketa që kishte arritur në përfundimin se 80% e shqiptarëve nuk lexojnë libra dhe 80% nuk blejnë libra.
Anketa ka dalë huq vetëm se i ka munguar një pyetje- Pyetja, një milionë dollarëshe është: – Sa përqind e shqiptarëve shkruajnë libra? Nëse do të ishte bërë kjo pyetje, përgjigja do të ishte 80%.