Bota

Kina do të “hyjë” në BE. Investime në vendet e Ballkanit

Pekini, thotë “Politico”, po investon fort në vendet që mund të bëhen një ditë pjesë e Bashkimit Europian.

Analizën e saj, revista prestigjioze e Brukselit e fokuson tek Serbia, një vend i gjendur në mesin e transformimit fizik që presidenti Aleksandër Vuçiç premton se do t’i japë fund izolimit e do t’i hapë derën e BE-së.

“Pasioni im, deklaronte kreu i shtetit serb, janë rrugët dhe ekonomia”.

Për ta kthyer atë në realitet, arsyeton “Politico”, Vuçiç nuk mbështetet vetëm tek Europa, por edhe tek një aleat i vjetër shumë më në lindje, Kina.

Me një popullsi prej pak më shumë se 7 milionë banorë, njëri prej vendeve më të varfra të kontinentit të vjetër zor se do të tërhiqte vëmendjen e Pekinit për një rol më të madh në Europë.

Ama lidhjet e vjetra mes dy shteteve, të kombinuara edhe me gjeografinë, e kanë ndihmuar Beogradin të jetë në qendrën e shtysës europiane të Kinës.

Për Serbinë dhe fqinjët e saj, avantazhi është i qartë: investime dëshpërimisht të nevojshme në infrastrukturë. Motivet e Pekinit janë më pak të dukshme, por një gjë kuptohet fare mirë, vazhdon artikulli:

Kina po krijon një pikë mbështetjeje të rëndësishme në portën jug-lindore të Europës, duke rritur influencën e saj në shtete që me gjasë një ditë do të jenë anëtarë të bllokut europian me të drejta të plota.

Kinezët e kanë paranë, vazhdon artikulli, vetëm vitet e fundit ata kanë hedhur 170 milionë euro për një urë mbi Danub në Beograd dhe 700 milionë të tjera në një central prodhues të energjisë nga burime të rinovueshme.

Një kompani kineze ishte ajo që bleu dhe impiantin e vetëm të çelikut në vend, me premtimin të rivitalizojë funksionimin e tij problematik pa shkurtuar vendet e punës.

Por pikën kulmore të angazhimit të saj në Serbi e përbën linja hekurudhore e shpejtësisë së lartë gati 3 miliardë euro, që lidh Beogradin me Budapestin.

E një rëndësie kyçe në strategjinë e Pekinit është edhe linja e transportit që lidh portin grek të Pireut me Europën qendrore. Ajo që e bën veçanërisht joshës financimin kinez, janë kushtet e tij.

Në kontrast të thellë me huadhënës të mëdhenj ndërkombëtarë si Banka Botërore, Kina shfaqet shpeshherë e gatshme të hedhë para edhe në projekte ku mundësia e përfitimit vihet në pikëpyetje, dhe ndërsa fondet strukturore të BE-së janë të  paarritshme, për shtetet jo anëtare Kina mbetet një alternativë e mirë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button