Kronika

Dëftesat/ Njoftim për 7 mijë maturantët që do studiojnë jashtë vendit

Pranvera Kola – DITA

Pavarësisht faktit se ende nuk janë pajisur me dëftesën e mbarimit të vitit mësimor 2016-2017, nxënësit e arsimit parauniversitar mund të kryejnë procedurat e transferimit në një tjetër shkollë edhe në mungesë të këtij dokumenti.

Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit të Tiranës, Arjola Byzyka, ka konfirmuar ditën e djeshme se mungesa e dëftesave për klasat e para, e deri tek ato të 11-tat nuk do të jetë problem në kryerjen e procedurave të transferimit, apo regjistrimit në një shkollë tjetër.

Sipas saj, për të bërë të mundur transferimin, mjafton që çdo nxënës të pajiset me një vërtetim të thjeshtë notash që mund ta marrë pranë shkollës së tij, si dhe një fletë pranimi të legalizuar nga shkolla pritëse për të ndërruar shkollën që do të ndjekë gjatë vitit të ri shkollor që inicion në shtator.

Drejtoresha Byzyka thekson se mund të ndodhë që shpërndarja e dëftesave të bëhet edhe në shtator, ndaj nxënësit dhe prindërit duhet të rrinë të qetë, pasi do mund të kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme për transferimet edhe në mungesë të dëftesave.

“Jemi në pritje të dëftesave, por unë doja të bëja me dije të gjithë qytetarëve që janë të shqetësuar për çështjen e mungesës së dëftesave, sidomos të klasave të ndërmjetme, kjo sepse ndoshta mund të duan të bëjnë transferime, apo lëvizje të tjera. Në asnjë rast mungesa e dëftesës nuk e pengon një gjë të tillë. Me një vërtetim të thjeshtë notash nga shkolla, dhe me fletë pranimin e shkollës tjetër të legalizuar në drejtorinë arsimore, nxënësi mund të regjistrohet në çdo shkollë, qoftë të Shqipërisë, qoftë dhe brenda kryeqytetit”, vë në dukje Byzyka.

Mungesa e dëftesave dhe certifikatave të notave gjatë këtij viti u shkaktua nga vonesat në realizimin e tenderëve për prodhimin e tyre. Menjëherë sipas këto dokumente të jenë gati do të shpërndahen nëpër shkolla për t’u plotësuar nga mësuesit.

Megjithatë, edhe kjo procedurë kërkon kohën e saj, pasi me formatin e ri, të dhënat që mësuesit do të hedhin në dëftesa duhet të jenë të argumentuara.

Dëftesat për maturantët që do studiojnë jashtë vendit

Problematika e mungesës së dëftesave tashmë ka marrë zgjidhje për mijëra maturantët të cilët duan të vijojnë studimet e larta në një nga universitetet jashtë vendit.

Për këtë kategori që nga fundjava që lamë pas është bërë e mundur shpërndarja e dëftesave dhe certifikatave të notave, në mënyrë që të mund t’i tërheqin dhe t’i dorëzojnë pranë strukturave të huaja ku kanë kryer aplikimet përkatëse për vijimin e studimeve brenda kësaj jave.

Sipas të dhënave të konfirmuara mbi kërkesat e paraqitura, për këtë vit rreth 7 mijë maturantë kanë kërkuar që të vijojnë studimet e larta jashtë vendit.

“Diplomat e maturantëve janë shpërndarë që ditën e shtunë. Të gjithë i kanë marrë. Nëse ka ndonjë që nuk e ka marrë dhe është vonuar i ka në sekretaritë e shkollave. Po ashtu dhe certifikatat e maturës, sepse aplikimi për në universitete të huaja bëhet përmes certifikatës së maturës. Certifikatat printohen nëpër shkolla dhe çdo maturantë mund të marrë më shumë se një kopje, për të aplikuar në gjithë universitetet e botës që dëshiron”, ka shtuar më tej Byzyka.

Pranimet në arsimin parashkollor

Sikundër përcaktohet në ligjin e arsimit parauniversitar, arsimi parashkollor do të ndiqet nga fëmijët e moshës nga tre deri në gjashtë vjeç.

Ndërsa për fëmijët e moshës pesë vjeç mundësohet ndjekja e klasës përgatitore, të cilat funksionojnë pranë shkollave të arsimit bazë, me synim integrimin më të mirë të tyre në arsimin e detyruar.

Gjatë këtij viti pritet të jetë më i lartë numri i nxënësve që do të mund të ndjekin klasat përgatitore pranë shkollave të arsimit bazë.

Arsimi parashkollor synon zhvillimin shoqëror, intelektual e fizik, të çdo fëmije, ushtrimin e rregullave themelore të sjelljes e të higjienës, kultivimin e vlerave, si dhe përgatitjen për arsimin fillor.

Pranimet në arsimin bazë

Edhe për vitin e ri mësimor 2017-2018, arsimi bazë do të organizohet në dy cikle, që janë arsimi fillor dhe arsimi i mesëm i ulët.

Arsimi fillor përbëhet nga pesë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Ndërsa arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga katër klasa, duke nisur nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë. Ndërsa shkollat e arsimit të orientuar mund të nisin në klasa të caktuara të arsimit bazë, duke siguruar formimin e mjaftueshëm të nxënësve në lëndët e kulturës së përgjithshme.

Sipas përcaktimeve të bëra në ligjin e arsimit parauniversitar, arsimi bazë me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që janë shtetas shqiptarë me banim në Republikën e Shqipërisë nga mosha gjashtë vjeç deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç.

Nxënësi ka të drejtë ta ndjekë arsimin bazë me kohë të plotë deri në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç. Në rastet kur nxënësi ka mbushur moshën shtatëmbëdhjetë vjeç dhe nuk ka përfunduar arsimin bazë, lejohet të përfundojë klasën që po ndjek.

Gjithashtu, bëhet me dije se për nxënësit që kanë mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe nuk e kanë përfunduar arsimin bazë me kohë të plotë, kanë të drejtë të regjistrohen në shkollat e arsimit bazë me kohë të pjesshme.

Për rastet e tjera kur nxënësi, që nuk ka ndjekur të paktën dy klasa të arsimit bazë me kohë të plotë, ka të drejtë ta ndjekë arsimin bazë me program mësimor individual, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.

Arsimi bazë synon zhvillimin shoqëror, intelektual e fizik, të çdo nxënësi, zotërimin e rregullave të sjelljes dhe kultivimin e vlerave, përkujdesjen për shëndetin, si dhe përgatitjen e mjaftueshme për vazhdimin e arsimit të mesëm të lartë ose për tregun e punës.

Pranimet në arsimin e mesëm të lartë

Në klasën e dhjetë të arsimit të mesëm të lartë me kohë të plotë do të pranohen nxënës të moshës jo më të madhe se tetëmbëdhjetë vjeç.

Nxënësi deri në moshën njëzet e një vjeç lejohet të ndjekë arsimin e mesëm të lartë trevjeçar, kurse deri në moshën njëzet e dy vjeç arsimin e mesëm të lartë katërvjeçar.

Kur nxënësi ka mbushur përkatësisht moshën njëzet e një vjeç në arsimin e mesëm të lartë trevjeçar, apo njëzet e dy vjeç në atë katërvjeçar dhe nuk ka përfunduar arsimin e mesëm të lartë, lejohet të vazhdojë klasën që ndjek deri në fund të atij viti shkollor.

Arsimi i mesëm i lartë synon zhvillimin e mëtejshëm të kompetencave të fituara nga arsimi bazë, konsolidimin e individualitetit të çdo nxënësi dhe tërësinë e vlerave e të qëndrimeve, zgjerimin dhe thellimin në fusha të caktuara të dijes, përgatitjen për arsimin universitar, ose për tregun e punës.

Këshilli i Ministrave zhvillon politika që synojnë krijimin e mundësisë për çdo nxënës që përfundon arsimin bazë të regjistrohet në arsimin e mesëm të lartë.

Llojet e arsimit të mesëm

Ndjekja e arsimit të mesëm do të zhvillohet në orientime të ndryshme, si në gjimnaze të përgjithshme, arsim të mesëm profesional dhe arsim të mesëm i orientuar.

Konkretisht, gjimnazi përbëhet nga tri klasa. Nxënësve, që kanë mbushur moshën njëzet e një vjeç dhe nuk e kanë përfunduar gjimnazin, u mundësohet ndjekja e gjimnazit me kohë të pjesshme, ose në distancë.

Arsimi i mesëm profesional është me kohëzgjatje dy deri katërvjeçare dhe është i strukturuar në tri nivele kualifikimi, në përputhje me nivelet e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve.

Ndërsa shkolla të arsimit të orientuar janë shkollat artistike, shkollat sportive, shkollat për gjuhët e huaja dhe shkolla për fusha të tjera të të nxënit.

Pranimi në shkollat e arsimit të orientuar bëhet sipas kritereve dhe procedurave që përcaktohen me udhëzim të posaçëm të dikasterit të arsimit.

Regjistrimet e reja për secilin cikël pranimesh të arsimit parauniversitar do të nisin në mbyllje të muajit gusht, për të vijuar edhe në dy javët e para të muajit shtator. Gjatë ditëve në vijim, MAS do të zbardhë edhe udhëzimin e miratuar me strukturën mësimore për vitin e ri shkollor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button