Opinion

Kina po e dominon ekonominë botërore, falë këtij dallimi kulturor që ka nga SHBA-ja

Nga Harrison Jacobs

Sipas shumë treguesve ekonomikë – në veçanti PBB-së, dhe pasja parasysh e çmimeve të produkteve të ndryshme – Kina e ka tejkaluar performancën ekonomike të Shteteve të Bashkuara. Një pedagog i njohur kinez i ekonomisë, që ka jetuar në të dyja vendet është i bindur, siç shpjegon ai për “Business Insider”, se pas rritjes së jashtëzakonshme të ekonomisë kineze, mund të fshihet një ndryshim i thellë kulturor midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Zhang Ueining, profesor në Shkollën e Biznesit Çeung Kong, është rritur në Kinë ndërsa kreu studimet dhe masterin për administrim biznesi në Universitetin Perëndimor të Kentakin, ndërsa doktoratën e ka mbrojtur në Universitetin e Teksasit në Dallas.

Ueining, që sot jeton midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, thotë se kur ai viziton fshatrat në Kinën rurale, bisedat që ai dëgjon midis fshatarëve, fermerëve dhe të tjerëve, prekin tema të tilla si teknologjia, modelet e biznesit dhe inteligjenca artificiale.

Nga ana tjetër, kur rikthehet në Kentaki ose Teksas, bisedat mbizotëruese, qofshin në qarqe akademike apo midis njerëzve të zakonshëm, kanë të bëjnë me guvernatorin e shtetit përkatës, parlamentin lokal apo çështje më të nxehta politike të momentit, si kontrolli mbi zotërimin e armëve apo aborti.

Dhe kjo tendencë vetëm sa është intensifikuar në epokën Trump.“E vetmja gjë që ka rëndësi për kinezët është kjo:Kush mund të jetë më i pasur? Çfarë mundësish ekzistojnë për t’u pasuruar në një mënyrë të ligjshme?”- shpjegoi Ueining. “Ne diskutojmë më shumë rreth modeleve të biznesit dhe teknologjive të reja”- shton ai.

Ueining është i bindur se fiksimi i qytetarëve amerikanë pas politikës, konsumon kohë dhe energji që përndryshe mund të ishin investuar në punën për teknologji të reja, apo për zhvillimin e aktiviteteve të reja të biznesit. “Nëse bisedoni vetëm për politikë, kjo nuk ju ndihmon aspak në jetë. Askush nuk ju paguan për këtë gjë”- thekson profesori.

Ueining e pranon që politika diskutohet shumë në Shtetet e Bashkuara, pasi kultura atje është shumë e fokusuar në ruajtjen e lirisë së individit. Megjithatë, shpjegon ai, kinezët janë përqendruar aktualisht në një lloj tjetër lirie: lirinë për të ndjekur zhvillimin ekonomik.

Si shembull, profesori përmend 1.2 milion korrierët e vendit, që në gjuhën kineze quhen kuaidi, të cilët lëvizin nga njëri skaj i qyteteve kineze në tjetrin duke shpërndarë pako, ushqime dhe praktikisht çdo mall që mund të imagjinoni.

Shumica e tyre punojnë 12-14 orë në ditë në 6 ditë të javës.“Diçka e tillë është thuajse e paimagjinueshme në Shtetet e Bashkuara”-thotë Ueining. Ndodh shpesh që disa gazetarë amerikanë të shkojnë në Kinë për të intervistuar korrierët, shumë prej të cilëve janë të diplomuar në universitete, mbi të drejtat e tyre si punëtorë.

Shumë prej tyre nuk gëzojnë të drejta të caktuara të garantuara si në Perëndim, siç është për shembull pagesa e orëve shtesë, përfitime pagash shtesë në formë bonusi, apo mbulim nga  sigurimet në rastin e aksidenteve në punë.

Por ajo që ata nuk kuptojnë këta gazetarë, thotë Ueining, është se korrierët e duan atë punë, pavarësisht nga orët rraskapitëse dhe rreziqet që ka ajo. Ata mund të fitojnë deri 1700 euro neto në muaj, gjë që në Kinë është e mjaftueshme për të mbajtur një familje të madhe, ndërsa gjithashtu kursen para për të ardhmen.

Profesori shpjegon se mania për të përmirësuar kushtet e tyre ekonomike, nuk është e kufizuar vetëm tek njerëzit që punojnë në sektorin e shërbimeve. Ajo ka prekur njerëzit e të gjitha shtresave shoqërore. Ai thotë se edhe pjesëtarë të shtresës së mesme me punë të mira nëpër zyra, për shembull në teknologji apo sektorë financiarë, i tolerojnë orët e zgjatura të punës, ose për të ndjekur ëndrrat e tyre ose për të fituar statusin dhe respektin që gëzojnë të tjerët.

“Dilni para zyrave të kompanisë ‘Tencent’ në orën 2 të mëngjesit, dhe do të shihni sa drita janë ende të ndezura dhe sa punonjës dalin nga ndërtesa. Të gjithë të rinjtë në këtë vend punojnë jashtë orarit… Ata mendojnë:Nëse të gjithë punojnë për 8 orë, unë do të punoj 10. Dhe nëse të gjithë të tjerët punojnë 10 orë, unë do të punoj 12”.

Nëse kini parasysh energjinë dhe vendosmërinë e të gjithë këtyre njerëzve, sipas Ueining, do të merrni edhe përgjigjen e pyetjes se përse Kina po zhvillohet tani shumë më shpejt nga pikëpamja ekonomike sesa Shtetet e Bashkuara. / “Business Insider”/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button