Kina shton ndikimin ne Evrope
Kavaleria kreu një paradë jashtëzakonisht të veçantë në sheshin kryesor të Lisbonës me rastin e vizitës së presidentit kinez, Hu Jintao. Por, gjithë ky salltanet u prish pak, kur befas një kalë vendosi të hidhte poshtë kalorësin, që në këtë mënyrë prishi gjithë paradën. E megjithatë, miqtë nga Kina e largët qëndruan deri në fund të paradës. Madje, në fund të saj, presidenti shkoi te kalorësi që ra nga kali dhe e pyeti nëse ishte dëmtuar dhe se çfarë mund të bënte për të.
Ky veprim i Presidenti të vendit ka një vlerë simbolike për të gjithë vizitën e tij në Portugali në fillim të muajit nëntor. Kështu, organi kryesor mediatik i partisë në pushtet në Kinë, “People’s Daily” shkroi në mënyrë shumë entuziaste se ky ishte momenti kur bota e pa mirë se sa e ndjeshme dhe e kujdesshme ishte Kina. Për shkak të krizës akute të borxheve në Evropë, veçanërisht në vendet e zonës euro, Kina ka shumë arsye për të treguar se është e kujdesshme ndaj vendeve në nevojë të ngutshme financiare. Pekini, përmes ndihmës financiare dhe mbështetjes, është duke ndërmarrë një mision stabilizimi të parterit të tij tregtar dhe këtë sigurisht që po e bën në të mirë të interesave të veta ekonomike.
Edhe para mbërritjes në Lisbonë të presidentit kinez, shumë portugezë ishin në pritje të “shpëtimit” nga ana e kinezëve dhe vetë vizita e Presidentit u mor si një haber i mirë në këtë drejtim. Ndërsa shifra e borxhit portugez arriti një përmasë alarmante, Presidenti kinez u premtoi liderëve të vendit mbështetje me “masa konkrete”. Ai tha se Kina kishe ndërmend që deri në vitin 2015 të dyfishonte tregtinë bilaterale me Portugalinë. Dhe, këto fjalë ishin pikërisht ato që portugezët prisnin të dëgjonin nga goja e Kinës në ditët e tyre më të vështira. Megjithatë, para vizitës së Presidentit, ministri i Jashtëm kinez kishte deklaruar se bëhet fjalë për një mundësi të përcaktuar dhe, mbi të gjitha, me një leverdi të ndërsjellë.
Dhe, në fakt, superfuqia që po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha pushteti, është duke përfituar në mënyrë shumë të mençur nga kriza e euros për të shtrirë më shumë ndikimin e saj politiko-ekonomik në Evropë. Ofertat kineze të ndihmës janë kryesisht të drejtuara tek anëtarët më problematikë të Eurozonës, që janë deri në grykë në borxhe, të tilla si Greqia, Portugalia, Irlanda dhe Spanja. Me këtë rast, qëllimi i Kinës është që t’i shndërrojë në aleatë afatgjatë brenda zonës së Bashkimit Evropian.
Në të shkuarën Kina ka shfaqur shenja të qarta, por të shkurtra dhe të përkohshme “miqësie” me Greqinë, Spanjën dhe Italinë, dhe ka blerë bono qeveritare në një moment kur investitorët e tjerë janë larguar nga tregu i këtyre vendeve nga sytë kombëtarë. Kryeministri Wen Jiabao, gjatë një udhëtimi që pati në muajin tetor në Evropë tha: “Ne do të vazhdojmë të japim ndihmë dhe të mbështesim disa vende që janë në vështirësi, në mënyrë që ata të kalojnë momentet e vështira”. Në një fjalim që mbajti në Parlamentin e Athinës, Wen bëri një premtim para grekëve. Ai tha se Kina do të blinte bonot qeveritare greke, sapo ato të lëshoheshin në tregjet financiare. Sigurisht që për momentin ato ishin vetëm fjalë, por që patën ndikimin e tyre te vetë tregjet, duke u konsideruar si një votë besimi ndaj vetë euros. Kjo, sepse fjalët u thanë nga një njeri që vendos në lidhje me mënyrën e investimit të parave nga Kina, duke qenë se Kina është shteti që ka sasinë më të madhe të rezervave monetare në botë.
Kina ka grumbulluar 2.5 biliardë euro dhe 70% e kësaj sasie është e investuar në sipërmarrje me dollarë. Por, pushtetarët e Pekinit janë duke vëzhguar gjithçka me një shqetësim të madh, kryesisht për sa i takon Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që janë edhe vendi më debitor ndaj saj. Këto kohët e fundit, Shtetet e Bashkuara janë duke luajtur një politikë që në fakt e zhvleftëson vlerën e dollarit me një politikë financiare qëllimisht të dobët dhe të paqartë. Kjo ka bërë që së fundi kinezët të rrisin interesat e tyre ndaj monedhave të tjera, pra jo më ndaj dollarit. Një nga liderët e kësaj politike ndryshe të ndërmarrë së fundi nga Kina është Yo Yongding, një ekonomist me shumë influencë dhe ish-këshilltar i Bankës Qendrore të Kinës. Yo njihet si “vrasësi i dollarit” në rrethet financiare të Pekinit. Edhe pse ai e pranon se monedhat e tjera nuk janë ideali i zëvendësimit me dollarin, për momentin kjo është politika e vetme përmes së cilës Kina po përpiqet të minimizojë humbjet në rast se monedha amerikane do të bjerë në vlerë edhe më tepër në të ardhmen.
Korrikun e kaluar, Kina shpenzoi 400 milionë euro për bonot 10- vjeçare të qeverisë spanjolle. Gjatë një vizite në Pekin, në shtator, Kryeministri spanjoll falënderoi me shumë të drejtë kinezët: ”Kina e ka shtuar shumë sasinë e blerjeve të bonove të qeverisë spanjolle”, – tha në një konferencë finale për shtyp Zapatero në Pekin, duke shtuar se ai shpresonte se në të ardhmen Kina do të blinte edhe më tepër bono.
Europiano-jugorët, që janë përfshirë nga kriza e rëndë financiare dhe deficiti galopant buxhetor, i kanë kthyer sytë nga Pekini, me shpresë se prej andej do t’u vijë ndihma e duhur për të dalë nga telashet. Por, është e vështirë të dalësh në një përfundim me listën e vendeve që do të mbështeten nga Kina përmes blerjes së bonove qeveritare.
Menaxherët e investimeve i bëjnë planet e tyre brenda mureve të larta, prej të cilëve është e pamundur të nxjerrësh informacione, për më tepër në një vend si Kina, ku kultura e fshehtësisë është në bazë të pushtetit. Për më tepër janë shumë të rralla rastet kur bëhen deklarata publike në lidhje me politikat apo ndryshimet e politikave dhe strategjive ekonomike të Kinës ndaj vendeve, apo monedhave të ndryshme. Në mënyrë formale, administrata shtetërore, që merret me monedhat e huaja dhe që është pikërisht institucioni që merret me hartimin e politikave monetare, i jep llogari bankës qendrore të vendit dhe guvernatorit të saj. Ky i fundit, Zhou Xiaochuan, shkaktoi shumë zhurmë me deklaratën e tij të pak kohëve më parë në lidhje me zëvendësimin e dollarit amerikan me një tjetër super-monedhë në rolin e monedhës rezervë. Kjo monedhë mund të ishte edhe SDE ose njësia matëse financiare e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ky propozim, në fakt, erdhi nga elita qeverisëse e Pekinit, sepse guvernatori i bankës qendrore është anëtar i Komitetit Qendror dhe shumë i bindur ndaj strukturave partiake.
E njëjta histori është edhe me Korporatën Kineze të Investimeve, një organizëm shtetëror që menaxhon 200 miliardë dollarë të rezervës me asete, që ndodhen në korporata dhe fonde të ndryshme investimesh ndërkombëtare.
Kur ky institucion u themelua 3 vjet më parë, të gjithë, kryesisht në Evropë, e panë këtë krijesë me shumë dyshim, por kohët kanë ndryshuar. Këto ditë ata janë shumë më të mirëpritur në Evropë sesa tri vjet më parë, kur të gjithë i shihnin planet e kinezëve për investime të mëdha në këtë kontinent me shumë dyshim.
Republika Popullore e Kinës fillimisht ka nisur të ”pushtojë” Greqinë dhe e konsideron këtë vend edhe si ”portin” e saj për të vazhduar me pjesën tjetër të Evropë. Edhe para krizës së borxheve ka pasur shumë investime të mëdha kineze në Greqi, si gjiganti detar “Cosco” që nënshkroi me portin e Pireut një kontratë për 35 vjet. Deri në vitin 2015, Kina ka ndërmend të rrisë transportin me kontejnerë nga 800 000 në vit që është shifra aktuale në 3.7 milionë.
Në qytetin irlandez të Athlones, investitorët kinezë janë duke marrë në konsideratë ndërtimin e një qendre gjigante konferencash dhe tregtare për të ekspozuar prodhimet e tyre. Sipas Pekinit, një nga avantazhet e Irlandës është se ai është i vetmi vend anglishtfolës në Eurozonë. Në Itali, me rastin e vizitës së presidentit kinez, Berlusconi e ndriçoi “Koloseumin” me drita të verdha. Kur ai bëri vizitën, premtoi se do të dyfishonte me këtë vend tregtinë deri në vitin 2015. Duke u zotuar që të ndihmojë vendet problematike të Eurozonës, Kina është, në fund të fundit, duke i dhënë një nxitje të madhe industrisë së saj. Pekini, gjithashtu, pret që Evropa të jetë në të ardhmen më bashkëpunuese me të.