Kryeartikull

Kjo kastë nuk e kapëcen veten

Nga Aleksandër  Çipa

Një axhendë e rëndë është hapur në harkun kohor të dy vjetëve nga kasta politike e këtij vendi. Janë dy reforma, të cilat mbartin mashtrimin e akumuluar në 25 vjet politikë. Bëhet fjalë për reformën e dekriminalizimit të Politikës dhe atë të Drejtësisë. Një sipërmarrje nga brenda, domethënë nën protagonizmin dhe nën fat-kontrollin e kësaj të ashtuquajture klasë politike. Zhurma është më e madhe se kurrë ndonjëherë në jetën politike të kohës së ashtuquajtur “tranzicion”. Mirëpo, veprimet kësaj here, janë edhe më të inkurajuara.

Uashingtoni, përmes ambasadorit Donald Lu dhe Brukselit, përmes ambasadores Vlahutin, ia dolën ta imponojnë përfshirjen në proces ekstra-kalendarik të Parlamentit nisjen e ndryshimeve ligjore për të dyja këto reforma.

Reforma ligjore për dekriminalizimin e politikës ka kaluar dhe ka marrë formë ekzekutive, duke hyrë tashmë në fuqi. Në pak muaj të afërt, kemi për të parë se si partitë kryesore do të implementojnë këtë ligj, duke shënuar një akt të paprecedentë, atë të ndërprerjes së mandateve të disa ligjbërësve. Jo pak deputetë do të përballen me kriteret e reja ligjore, të cilat kanë për t’u përfshirë edhe në amendimet e Kushtetutës. Ky edhe pse mund të jetë një akt që lidhet me vendimin individual të deputetëve që mbartin në jetën e tyre të shkuar implikime dhe përvoja marrëdhëniesh me krimin, pashmangshmërisht ka për të shkaktuar implikime në përfaqësimin politik parlamentar. Së paku tri prej forcave kryesore politike në vend do të bëjnë “retushe” në grupet parlamentare. Reforma për dekriminalizimin nuk prek vetëm përfaqësimin aktual në Parlament, por edhe në nivele të ndryshme të administratës publike dhe asaj institucionale. Pra, kemi të bëjmë me një sipërmarrje e cila shtrihet në shumë rrafshe dhe sjell veprim në shumë institucione. Nëse filtrat verifikues dhe sidomos veprimet e kontrollit institucional për pastërtinë e figurave të deputetëve kryhen me rigorozitet dhe pa ndërhyrje selektive, atëherë numri i deputetëve që duhet të heqin dorë nga mandati i tyre është (dhe pritet të jetë), i konsiderueshëm. Atëherë ky përbën një akt serioz për legjitimitetin moral të këtij Parlamenti. Kjo është një arsye e hamendësuar e cila i bën edhe më të mundshme dhe më të afërta zgjedhjet e parakohshme në vend (!).

Mirëpo realizimi dhe përfshirja pa dallim në implementim të këtij legjislacioni, parakupton edhe një proces ndryshues brenda lidershipit parlamentar dhe atij partiak në vend. Kjo pritshmëri që na duket ende utopike, mund të mbetet e tillë nëse institucionet ligjore që e kanë këtë tagër për ta implementuar do të kenë gjithashtu vullnetin dhe kurajën për të dëshmuar dinamikën e tyre vepruese kushtetuese në mënyrë të pavarur dhe pa asnjë tolerancë selektive. Kjo e fundit tingëllon e pabesueshme dhe sipas të gjitha mundësive që burojnë nga përvoja e tranzicionit, shpresat duken të jenë të pakta dhe e pritshmja të rezultojë si e pangjashme.

Për t’u mundësuar kjo utopi, nevojitet që të dyja palët dhe sidomos tri forcat kryesore partiake në vend, të mos pengojnë dhe mos mbajnë në shpërgënj reformën e Drejtësisë.

Për të besuar realisht procesin e dekriminalizimit, mjafton të shohësh pasqyrën e drejtësisë shqiptare sot. Përmes këtij relacioni, lehtësisht verifikon se as njëra dhe as tjetra nuk mund të ndodhin ashtu siç mund të perceptohen, ndërsa dëgjon fjalimet apo qoftë edhe komunikimet publike denoncuese të ambasadorit amerikan, zotit Lu. Drejtësia dhe reforma e saj në vend, po zvarritet në proces debatimi si një formulë politike dhe raportesh ndikuese të pesë protagonistëve kryesorë të politikëbërjes (Rama-Meta-Berisha-Basha-Nishani). Vetëm për këtë shkak dhe nën përgjegjësinë e tyre, ky proces në mos është në një kapitull të ri pengimi, së paku është futur në një kalendë të re tranzicioni. Shembja e këtij monopoli nuk është i lehtë e aq i mundshëm, saqë mendohet e analizohet nëpër panelet e TV-ve të ndara në pro dhe kundër.

Një tjetër reformë nevojitet për të mbështetur dhe fuqizuar realisht e efektivisht proceset e shpresuara të dy reformave të mësipërme. Është fjala për një proces paralel, atë të rikthimit të demokracisë në të gjitha versionet dhe linjat funksionale të saj. Debati i fundit brenda PS-së si forca kryesore politike në vend, përbën jo një koniunkturë të re brenda udhëheqësisë së të majtës, por ndoshta një ngasje me vlerë për krejt brendinë dhe mekanizmin e ndryshkur dhe të deformuar të demokracisë politike dhe institucionale në vend.

Njëkohësia e sipërmarrjes së dy reformave, asaj të dekriminalizimit, reformës në drejtësi dhe rikthimi i mekanizmit të demokracisë së brendshme statutore dhe vepruese në partitë kryesore të vendit, mund të përbëjnë një shpresë reale për hyrjen në një periudhë shpëtuese për shoqërinë dhe jetën institucionale në vend. Kjo është një shpresë e fundit për demokracinë, po të shihet thellë-thellë. Në të kundërt, të gjitha këto zhvillime dhe skenarët e aq përpunuar nga udhëheqësia e tranzicionit pa mbarim, mund të përdoren për një përthellim të skllavërimit dhe degradimit shoqëror në vend. Shenjat dhe solidariteti mes tyre janë evidente. Ata po na lënë të nënkuptojmë se po investohen solidarisht si antagonistë, të na lënë rishtazi për produkt dhe rezultat, vetëm përmbylljen në një kënetë masive dëshpërimi dhe arratie në këtë republikë demo-shëmtie të kapur. Mundësia e madhe dhe pse jo e vetme e ikjes nga të vërtetat e këtij vendi të keqpërdorur nga udhëheqësia e 25 viteve, mbetet vetëm kapërcimi i kësaj kaste. Ajo mund të kapërcehet vetëm përmes një investimi kurajoz për ligj-nënshtrimin dhe republikën. Në këtë pikë vetëm një aleancë është e pakursyer dhe fort e besueshme, ajo e SHBA-së dhe deri diku edhe Brukseli. Për të kapërcyer kastën, na mjafton disi më tepër shtim i besimit te kjo aleancë e diplomacisë fuqibërëse. Në të kundërt, koha prore do të ketë emrin: zvarritje në përkeqësim.

Related Articles

Nje koment

  1. Nuk behet fjale qe Berisha dhe Meta te votojne Reformen ne drejtesi apo Byrone etj. Ata do te gjejne format dhe menyrat per te shpetuar veten! Ata kane komprometuar edhe zotin se djajte ,po se po! Basha mundet, qe te heqe qafe Berishen po ashtu edhe Rama me shprese se do heqe nga qafa Meten!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button