Kjo republika jonë allasoj !
Përderisa jemi ne, shqiptarët, shumë ndryshe nga popuj të tjerë, sigurisht edhe shoqëria jonë, edhe shteti ynë, edhe vetë monarkia, edhe vetë komunizmi, edhe vetë demokracia, edhe vetë republika, do të jenë të tillë.
E rikonfirmuam këtë, kushedi për të satën herë, edhe këto kohë, me Lazaratin.
Një nga veçanësitë tona, karakteristikat më thelbësore, është se te ne imponohen pakicat, komandojnë ato, përfitojnë ato, shkruajnë të shkuarën dhe prijnë të tashmen po ato. Sado që duket shumë e tepërt, ato vendosin edhe për të ardhmen.
Me një fjalë ne jemi një vend në një “bolshevizim permanent”.
Kur për një gjysmë shekulli mbi fatin tonë peshoi sistemi politik komunist, i cili këtë trysni e bënte jo vetëm tek ne, por në gjysmën e botës, prej Moske në Pekin dhe nga Havana në Varshavë e deri në Hanoi, bashkë me nofkën e modelit gjakatar kamboxhian shkruesit e historisë së popujve të botës iu qepën edhe imazhit të përçudnuar të realkomunizmit shqiptar.
Por atë tip shoqërie e krijoi PKSH, e cila qe në kohën e vet një pakicë pakice. E ndihmuar edhe nga rrethana të jashtme (BRSS dhe revanshi global i ideologjisë marksiste-leniniste) dhe të brendshme (taktikat vazhdimisht të gabuara të lëvizjes antikomuniste, Ballit Kombëtar), por sidomos falë edhe vullnetit të saj organizativ si dhe veprës së vyer antifashiste, duke qenë aleate e vendeve demokratike të spikatura si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, me ushtrinë e çlirimit të vendit ajo mori pushtetin dhe vendosi rreptësisht ndikimin e vet.
Madje, për të qenë më i saktë, përmbi katër dekada, atë të vetëm një personi.
Në realkomunizëm kjo pakicë allasoj kapi majën më të lartë të imponimit ndaj shumicës, për pasojë humnerën më të thellë të shoqërisë shqiptare.
Që gjatë gjysmëshekullit të shkuar, Shqipërinë e kanë qeverisur vetëm e vetëm pakica po i kumtojmë lexuesit një fakt. Autori i këtyre radhëve është në dijeni se në fillim të viteve shtatëdhjetë, në një dhomë mjedisi të rezervuar në Vlorë, ku kaloi një natë, vetë ministri i Brendshëm i kohës, Kadri Hazbiu, i ka pohuar një miku personal, bashkëkombës pa asnjë funksion zyrtar, këto fjalë: “Kur e fituam luftën ishim me ata (armiqtë e klasës, sipas gjuhës politike të kohës) një me një. Tani jemi një me dy për ata”.
Kur në një dekadë të tërë të viteve nëntëdhjetë, për shkak të trafikut të klandestinëve nga gjiri i Vlorës, media perëndimore, por edhe rrethe të huaja sociologësh apo studiuesish të historisë dhe të politikës, na quajtën “Republika e skafeve”, na ngjau po i njëjti fat. Aq i pushtetshëm dhe ndikues u bë ky emërtim saqë në fjalorin botëror të terminologjive konkurroi deri edhe të shumënjohurën “Republika e bananeve”.
Mirëpo jo vetëm Shqipëria reale, por as edhe gjithë shqiptarët realë në trojet e tyre, nuk qenë të tillë, skafistë e trafikantë njerëzish, droge apo armësh. Me plot defekte të tjera, por kurrë bashkëkombësit nuk kanë qenë ndonjëherë (dhe nuk janë as sot), individë të tillë të mbrapshtë. Shqiptari i zakonshëm, temperament disi “stërprapthi”, në mendësi dhe në sjellje është person me zemër në dorë. Kryesorja: ai i kupton të gjitha, e ndan mjaft mirë të keqen nga e mira dhe i largohet vesit të rëndë.
Kur nëpër shtypin italian dhe grek pas përmbysjes së komunizmit na doli nami se eksportonim prostituta, mes nesh morali i familjes tradicionale rezistonte shumë denjësisht dhe nuk i jepej prishjes. Qenë fare pak ata horra që kryenin këtë krim, por ja që fati ynë ishte të na gjykonte dhe vlerësonte bota me imoralitetin e tyre.
Ndodhi njëlloj edhe kur në Perëndim u mbushën faqet e gazetave dhe brendësitë e telereportazheve me kronika rreth fëmijëve tanë lypsa nëpër semaforët e Milanos apo të Athinës. Ndërsa në të vërtetë këtej, në trojet amtare, na binte bretku të rregulloheshim dhe të përshtateshim ndershmërisht me sistemin e ri shoqëror, i cili tepër më i epërm se i mëparshmi, po shtrembërohej e po deformohej sërish.
Nga pakica e radhës, sigurisht, e cila vitin 1990 e kaloi pa i ndodhur gjë.
Republikë e skafistëve, e prostitutave, e fëmijëve lypsa! E vjedhjeve të vilave nëpër vendet ku qindra mijë bashkëkombës të sinqertë, të zotë dhe punëtorë patën emigruar. Republikë e mafies shqiptare, e cila, sipas shtypit të rruzullit e të kontinentit, gjoja komandonte edhe atë të Jugut italian, ndër më të fuqishmet në botë.
E drogës “republikë” po ashtu!
Madje ky imazh, së fundi, u rigjallërua përsëri, edhe më i fuqishëm se dikur. Trafik nga ajri, toka dhe deti. Për sytë e botës ekzistonin vetëm ata, ndohtësirat tona të pakicës së pakicës dhe aspak njerëzit e thjeshtë, studentët, fermerët, ndërtuesit, aktorët, shkrimtarët… Kishte kaluar afro një çerekshekulli prej republikës bolshevike të pakicës dhe, përpos pamjes moderne të qyteteve tona, makinave, televizorëve dhe celularëve, patëm mbetur në vend, të mbërthyer e të prangosur te huqi ynë i vjetër: na e bën ligjin njëshi apo një grusht i pakët individësh.
Këtë herë pas njëzetë e katër viteve sprovë me demokracinë në imazhin tonë publik jashtë vendit mbiu varianti i ri i nofkës tonë: “Republika e Lazaratit”.
Ngjarjet që po zhvillohen në këtë qytezë të bukur e të nderuar të vendit e të kombit, historikisht me një zgjedhje politike të caktuar, antikomuniste, konsekuente që prej viteve të luftës antifashiste, gjithsesi me një të kaluar atdhetare të padyshimtë, rivërtetojnë në historinë tonë se si një pakicë pakice sundon, monopolizon dhe shpërdor imazhin e shumicës sonë.
Kjo është e padrejtë dhe e palejueshme!
Banorët e shumtë të qytezës së Lazaratit e dinë fare mirë se kultivimi dhe kontrabandimi i drogës do të binte ndesh një ditë me rregullat normale të jetës jo vetëm të shqiptarëve dhe të ballkanasve, të Italisë po ashtu, por edhe të të gjithë kontinentit. Prandaj duhet t’i mirëkuptohen ndërhyrjes së Policisë së Shtetit të tyre. Po të vazhdohej të ngrihej aty një “Kolumbi” e vogël do të zbarkonte patjetër policia ndërkombëtare.
Sepse siç patën shkuar punët, ajo drogë e mbjellë dhe e shpërndarë prej andej kishte filluar të përbënte rrezik për stabilitetin e rendit publik në disa vende perëndimore. Madje kanosja qe më e thellë. Me pakot e parave të pista të drogës nuk financoheshin vetëm fushata elektorale politikanësh të veçantë përtej kufijve tanë, apo edhe persona të inkriminuar, por edhe vetë monstra antishqiptarësh.
Njollat e pakicës, të publicizuara sikur janë të së gjithë etnisë sonë, kanë qenë përherë fati i atyre që na duan të jemi në gadishull një problem që duhet mbyllur me prishjen e këtij shteti dhe lënien në statusin e vjetër të vetëm “një shprehjeje gjeografike”. Nuk është mbyllur kjo dosje e pabesë dhe as do të mbyllet.
Operacioni profesionist policor në Lazarat, pra përdorimi i përkohshëm i forcës, është vetëm një e qindta e zgjidhjes së luftës kundër drogës në këtë qytezë dhe në të gjithë territorin e shtetit. Ai ka pezulluar një vatër, por jo shuar një problem. Lazarati ka nevojë të ringjallet e të rimëkëmbet, i duhen mjete ekonomike, kujdes e ngrohtësi politike, jo që me shembullin e qëndrimit ndaj saj të paralajmërohen sektorë të tjerë, domosdoshmërisht për t’u ribërë. Lazarati duhet ndihmuar të reformohet dhe vetëm kur të ndodhë kjo, mund të jetë një model udhërrëfyes për qeverinë.
Për të mbajtur fort në duart e veta imazhin e republikës normale të shqiptarëve, tani, këto çaste, ndërsa u njoftuam se jemi kandidatë në përmbushjen vit pas viti të kushteve për të qenë vend anëtar në BE, shumicës sonë i duhet të kryejë sprovën e vënies në gjunjë të pakicës së saj arrogante
YLLI POLOVINA