Kledi Kadiu dhe Dorian Grori sjellin në Shqipëri edicionin e parë të “International Ballet Competition Albania”
Nga Julia Vrapi
“International Ballet Competition Albania” synon të pozicionojë Shqipërinë, si një qendër të rëndësishme për artin e baletit dhe të ofrojë mundësi zhvillimi për artistët e rinj në rajon dhe më gjerë. Tiranë do të presë edicionin e parë të “International Ballet Competition Albania” në muajin dhjetor, një ngjarje që do të sjellë talente ndërkombëtare në vendin tonë. Koreografi dhe balerini i mirënjohur shqiptar Kledi Kadiu së bashku me balerinin Dorian Grori do të sjellin në Shqipëri edicionin e parë të “International Ballet Competition Albania”, që do të zhvillohet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
TKOB shprehet se do të jetë një konkurs që do të mbledhë talente nga vende të ndryshme të botës. “Ky projekt i ri synon të kthehet në një pikë referimi për artin e kërcimit në rajon dhe më gjerë, duke mbledhur talente nga vende të ndryshme të botës dhe duke e vendosur Shqipërinë në hartën e eventeve prestigjioze të baletit”, thuhet nga TKOB. Programi në “International Ballet Competition Albania” do të shtrihet në dy ditë.
Më 4 dhjetor këtë vit do të zhvillohet një workshop pranë Shkollës Kombëtare të Baletit, ndërsa një ditë më pas më 5 dhjetor do të mbahet konkursi në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. TKOB shprehet se një element kyç i këtij eventi është pjesëmarrja e një jurie dhe trupe pedagogësh të nivelit të lartë ndërkombëtar, ku bëjnë pjesë emra të njohur si Frédéric Olivieri, Paola Vismara dhe Michele Merola. “International Ballet Competition Albania” do të zhvillohet si një nga ngjarjet e veçanta në Tiranë, duke pasuruar edhe jetën artistike dhe kulturore në muajin e fundit të vitit.
Dy artistët në skenat ndërkombëtare
Kledi Kadiu dhe Dorian Grori sjellin këtë herë në Tiranë një konkurs ndërkombëtar, por gjithashtu ata kanë ndërtuar një aktivitet të suksesshëm si në skenën tonë ashtu dhe jashtë saj. Kledi Kadiu është një balerin dhe koreograf i njohur shqiptar, i cili ka arritur një sukses të madh në skenat ndërkombëtare të baletit.
Ai është i njohur për stilin e tij të veçantë dhe angazhimin në promovimin e artit të baletit në vendin tonë, por dhe më gjerë. Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit ai ka interpretuar role solistike në baletet si “Giselle”, “Don Kishoti”, etj. Gjithashtu Kadiu ka performuar dhe në disa nga teatrot më të famshme të botës. Dorian Grori një balerin dhe koreograf shqiptar, i cili gjithashtu ka bërë karrierë të suksesshme si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj. Grori nga viti 1999 deri në 2000 punoi në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, ku interpretoi si solist dhe balerin i parë në disa produksione.
Ai është i njohur për performancat e tij në balet dhe ka qenë pjesë e trupave të ndryshme baleti, përfshirë punën si koreograf në shfaqje të ndryshme. Kadiu dhe Grori sjellin këtë vit në Tiranë “International Ballet Competition Albania”, nismë që përfaqëson fillimin e një projekti afatgjatë, me synimin për të krijuar një platformë të qëndrueshme për zhvillimin e talenteve të rinj dhe për shkëmbime artistike ndërkombëtare. Realizimi i këtij eventi vjen me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si dhe Shkollës së Baletit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.