Kryeartikull

Klimë e kontaminuar

ALEXANDER KUDASCHEFF

jd20131216_kuda18a_image_512x288_3Qëkurse ka marrë postin Kryeministri i ri grek, Cipras, Bashkimi Europian nuk po gjen më qetësi. Një kthim ky në kohët që besohej se i përkisnin një të shkuare të largët

Klima politike në BE është e kontaminuar. Mes Berlinit dhe Athinës. Por edhe mes Athinës e Bankës Qendrore Europiane. E po ashtu, edhe mes 18 vendeve të Eurozonës dhe Athinës – e anasjelltas. Bashkimi Europian po luhatet drejt një krize të thellë, për të mos thënë që ai qysh tani ndodhet në vorbullën e saj. Papritur duket se në këtë projekt madhështor të paqes sërish po lulëzojnë reminishencat kombëtare, madje ato nacionaliste. Papritur, mes vendeve anëtare mbizotëron një ton, që normalisht njihet mes armiqve, por jo mes partnerëve, që prej dekadash komunikojnë paqësisht mes tyre.

Edhe përpara luftohej ashpër

S’ka asnjë dyshim: edhe në dekadat e mëparshme janë bërë truke në tryezat europiane të bisedimeve. Është bërë pazar. Është bërë poker negociatash dhe janë shfrytëzuar mundësitë deri në maksimum, me shpresën që secili për vete të mund të sigurojë avantazhin. E kjo vlen për të gjitha vendet anëtare – pa asnjë përjashtim. Por askush nuk është prekur prej kësaj, askush nuk është fyer, asnjëherë nuk ka pasur kërcënime të hapura me thyerjen e të gjitha rregullave dhe marrëveshjeve.

Qeveria e re greke – e zgjedhur për shkak të premtimeve të saj elektorale, e zhytur tani në një mandat të madh – ka përdorur pikërisht këtë ton. Një ministër populist i djathtë për Mbrojtjen kërcënon se do të lejojë depërtimin e gjysmë milion refugjatëve drejt Europës, duke shkelur kështu politikën e përbashkët europiane të azilimit. Kryeministri grek Cipras, në pokerin e bisedimeve për politikën e shpëtimit të euros, hap një front të ri, në të cilin ai kërkon reparacione prej Gjermanisë. E vazhdimisht qeveria i cilëson trojkën dhe partnerët europianë si pushtues, ndonëse ata pavarësisht të gjithave, janë partnerë.

Duhet ta themi qartazi: vendet e euros duan ta ndihmojnë Greqinë. Por është e vetëkuptueshme, që ato nuk e bëjnë këtë pa kushte ndaj Greqisë. Parimi i tyre, që borxhet nuk duhen luftuar me borxhe, është i arsyeshëm – dhe ka ndihmuar Spanjën, Irlandën dhe Portugalinë.

Por e padiskutueshme është edhe se: në Greqi kjo lloj gatishmërie për ndihmë ekonomike ka dështuar. Këtu qeveria e re në Athinë ka të drejtë. Greqia kërcënohet prej falimentimit ekonomik dhe social, madje edhe më keq akoma: Greqia po tronditet prej një krize shtetërore.

Nuk e ka Gjermania fajin për gjithçka

Por kjo nuk është arsye për ta zgjedhur Gjermaninë si kokë turku – dhe për të abuzuar taktikisht në pokerin e bisedimeve me çështjen e reparacioneve për krimet gjermane të luftës. Moralisht nuk ka aspak dyshim, që Gjermania në radhë të parë duhet të zhdëmtojë viktimat e kohës së pushtimit, që ende jetojnë. Ndoshta edhe për këtë mund dhe duhet menduar, nëse mund të bëhet më shumë se deri tani.

Ndërsa nga këndvështrimi juridik, çështja e reparacioneve tashmë është mbyllur. Por edhe këtu është toni ai që përcakton melodinë diplomatike. Gjermania pikërisht pas fundit të juntës së krerëve ushtarakë është angazhuar vazhdimisht për Greqinë në BE – ashtu siç kanë bërë edhe vende të tjera. Ka ardhur koha që klima të dekontaminohet dhe problemet ekonomike e politike të trajtohen profesionalisht. Kjo vlen për Athinën – por edhe për vendet e tjera të BE-së. Në rast të kundërt, pas më shumë se 50 vjet historie suksesi, BE-ja do të shkërmoqet – sigurisht pa dashje, por pasojat do të jenë të rënda.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button