Ekonomia

KLSH kallëzon në Prokurori tre ish administratorë të “ALBAFILM” Sh.a.

AlbafilmDëmi ekonomik nga keqadministrimi arrin në 25 milionë lekë. Tre ish-drejtorë të “Albafilm” përgjatë periudhës 01.01.2013 deri më 31.12.2014 janë paditur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për abuzim detyre dhe falsifikim dokumentash, me një dëm që kap vlerën e mbi 25 milionë lekëve. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paditur në Prokurori Fatmir Musajin, Vladimir Llakaj dhe Xhulieta Vathin, të cilët në periudhën që kanë qenë në krye të këtij institucioni  për një sërë shkeljesh me dëm financiar.

***

Kontrolli i Lartë i Shtetit përfundoi auditimin në “ALBAFILM” sh.a Tiranë, me temë “Mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së aktivitetit ekonomiko-financiar” për periudhën 01.01.2013 deri më 31.12.2014. Në përfundim të auditimit rezultoi se shoqëria “Albafilm” sh.a ka dështuar në përmbushjen e misionit për të cilin është krijuar, shërbimin e filmit, duke devijuar aktivitetin drejt një shoqërie që realizon të ardhura nga qiratë për objektet të cilat i ka në pronësi por që i kanë kaluar në përdorim operatorëve ekonomik bazuar në marrëveshjet e qerasë me METE si dhe faktit që pasqyrat financiare na rezultuan se nuk japin me vërtetësi gjendjen pasurore dhe nuk tregojnë me besnikëri performancën e saj.

Nga auditimi rezultoi se nga ana e “Albafilm” sh.a nuk janë respektuar procedurat e duhura ligjore në nënshkrimin e kontratave të dhënies së ambienteve me qira ndaj subjekteve të ndryshme private, duke i favorizuar ato në çmimin për m2 me të cilin ishin lidhur këto kontrata, në diferencë me përcaktimet e bëra në VKM nr. 529, datë 08.06.2011 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë  shtetërore”, i ndryshuar.

Referuar rezultateve të auditimit, në “Albafilm” sh.a nuk është kryer prej vitesh procesi i inventarizimit të plotë të aktiveve të kësaj shoqërie sidomos përsa i përket inventarit fizik të filmave, të cilët vazhdonin të ruheshin në kushte tejet të papërshtatshme duke rrezikuar seriozisht prishjen apo humbjen e vlerave të tyre. Ndonëse në bilanc vlera e këtyre bobinave të filmit figuronte në 574,488,052 lekë, realisht si pasojë e mungesës së kryerjes së një inventari të plotë fizik, nga ana e “Albafilm” sh.a nuk dihej me saktësi numri dhe lloji i bobinave të filmit të cilat ishin akoma në ambientet e shoqërisë.

Papërgjegjshmëria në moskryerjen prej disa viteve të inventarizimit të aktiveve të trupëzuara ka sjellë jo vetëm mosrakordimin e gjendjes kontabël me atë fizike por nga ana tjetër ka lënë shteg që vlera të konsiderueshme të mos jenë të evidentuar sipas përdoruesve të tyre dhe duke vështirësuar përcaktimin e përgjegjësisë materiale në rast humbjeje apo mungese.

Auditimi i KLSH-së ka konstatuar gjithashtu fiktivitet të ripërsëritur përsa i përket veprimeve të kryera nëpërmjet arkës së “Albafilm” sha, ku për periudhën objekt auditimi, rezultoi se në shumicën e rasteve regjistrimet kontabël në ditarin e arkës nuk janë bërë në mënyrë kronologjike e sistematike, mandat-arkëtimet dhe mandat-pagesat nuk janë plotësuar dhe firmosur në rregull, pagesave nuk u janë bashkëlidhur urdhër prokurimet, procesverbalet, ofertat dhe faturat origjinale, si dhe nuk ka procesverbal të marrjes mallrave në dorëzim të cilat nuk janë bërë hyrje as në magazinë.

Ndër rastet e shumta që përmenden në raportin e auditimit të KLSH evidentohen raste të flagrante të kryerjes së veprimeve fiktive që nga blerja e materialeve të ndryshme elektrike, duralumin, dyer të brendshme, etj në një kohë që që korpusi qendror kishte filluar rikonstruksionin dhe për rrjedhojë këto shpenzime kanë qenë të panevojshme, deri tek kryerja e pagesave për shërbime të ndryshme ligjore ndërmjetësimi në një kohë që në organikën e “Albafilm” sha figuronin të punësuar dy juristë me kohe të plotë dhe një jurist me kontratë të përkohshme. Madje, referuar gjetjeve të auditimit rezulton që në Nëntor 2013 ish-drejtori i “Albafilm” sha është paguar për një udhëtim zyrtar në Rusi në datat 6-10 dhjetor 2013, në një kohë që ky person ka qenë i liruar nga detyra me datë 23.10.2013.

Të gjitha parregullsitë e mësipërme të evidentuara nga auditimi i KLSH-së, duhet të ishin konstatuar njëkohësisht edhe nga ana e ekspertëve kontabël të kontraktuar për certifikimin e pasqyrave financiare të vitit 2013 të “Albafilm” sha.

Mosevidentimi nga ana e tyre i shkeljeve flagrante në administrimin e fondeve të shoqërisë, në kontrast të plotë me situatën në të cilën KLSH ka konstatuar financat e kësaj shoqërie, ka detyruar KLSH-në në konsiderimin e pagesës së marrë nga këta ekspertë (1,260,000 lekë) si pagesë për punë të pakryer.

Në total, si pasojë e veprimeve të kundraligjshme dhe fiktive të kryera nga ana e ish-administratorëve të “Albafilm” sha, dëmi i përllogaritur nga auditimi i KLSH-së shkon në 25,809,752 lekë.

Parregullsi të shumta janë konstatuar edhe përsa i përket marrjeve në punë që ish-administratorët e “Albafilm” sha kanë aplikuar ndër vite, pa miratim paraprak të Këshillit Mbikëqyrës. Madje në tentativën e tyre për hartimin e një vendimi të Këshillit Mbikëqyrës pas konstatimeve të KLSH-së për mungesën e tij, paraqitën si dokument justifikues dy vendime në të cilat kishte nënshkruar edhe juristja e “Albafilm” sha por që në datat për të cilat pretendohej se ishte marrë ky vendim, kjo punonjëse nuk kishte filluar ende marrëdhëniet e saj të punës në këtë shoqëri.

Marrja në punë e punonjësve me kontratë part-time si; arkitekt, specialist finance, jurist, krahas atyre të miratuar në strukturë, si dhe 21 punëtorë magazine, pa asnjë justifikim, është bërë e paargumentuar dhe pa justifikuar punën e kryer nga ana e tyre, duke rënduar padrejtësisht shpenzimet e shoqërisë në vlerën 2,470,016 lekë.

Madje, nga auditimi rezultoi që vetë ish-administratorja e “Albafilm” sha, Znj. Xh.V. ka përfituar krahas pagës si administratore edhe pension invaliditeti (të pjesshëm).

Për të gjitha shkeljet e konstatuara në raportin e auditimit të KLSH-së dhe që mbartnin elementë të veprave penale, KLSH ka depozituar pranë organit të Prokurorisë kallëzimin penal nr. 735/13, datë 06.03.2015, ndaj tre ish-administratorëve të “Albafilm” sha, F.M. V.L. Xh.V (2008 – 2014) të cilët në kundërshtim me dispozitat përkatëse ligjore e nënligjore kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumentave”, parashikuar nga nenet 248 dhe 186 të Kodit Penal.

Në përfundim të këtij auditimi KLSH ka rekomanduar 20 masa organizative, 21 masa shpërblim dëmi në shumën 25 milionë lekë dhe marrjen e masave përkatëse disiplinore nga ana e organeve drejtuese të kësaj shoqërie ndaj të gjithë punonjësve të “Albafilm” shat ë konstatuar me shkelje në raportin e auditimit.

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button