Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme: Do të monitorojmë të gjithë procesin zgjedhor
Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme dhe Demokraci të Qendrueshme (KZLNDQ), prezantoi sot në Tiranë projektin për monitorimin e zgjedhjeve lokale 2015.
Gjatë aktivitetit ku u bë prezantimi i projektit, u bë me dije se KZLNDQ do të angazhojë 90 vëzhgues afatgjatë në të 90-të zonat e Administrimit Zgjedhor (ZAZ), 1000 vëzhgues afatshkurtër në 1000 qendra votimi në të gjithë Shqipërinë, si dhe do të monitorohen deri në fund të numërimit të votive të 90-të ZAZ.
Mirela Arqimandriti, Drejtuese e Projektit bër të ditur se Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme do të monitorojë të treja fazat zgjedhore. “Fushatën parazgjedhore, ditën e zgjedhjeve dhe numërimin dhe për secilën nga fazat, do të ketë konkluzionet respektive”, tha ajo.
Sipas Arqimandritit, puna e koalicionit do të nis më 23 Maj edhe pse përgatitjet dhe materialet janë gati që prej ditës së sotme, teksa vuri në dukje se vetëm pjesa e transportimit të kutive të votimit, nga qendrat e votimit në qendrat e numërimit nuk do të jetë nën vëzhgim.
“Duke qenë se numërimi i votave në Shqipëri nuk bëhet në qendrat e votimit, atëherë ne nuk do të projektojmë rezultatet e zgjedhjeve”, saktësoi Arqimandriti.
“Megjithatë koalicioni do të japë të dhëna të sakta mbi proçesin e votimit, numrin e votuesve dhe çdo gjë në lidhje me materialet zgjedhore dhe problematikat e ndryshme që mund të jenë ose jo pjesë e zgjedhjeve lokale të 21 Qershorit”, tha ajo.
“Qëllimi kryesorë i vëzhgimit të zgjedhjeve nga ana e KZLNDQ është paraqitja me transparencë dhe me të dhëna konkrete të proçesit zgjedhor, vlerësimi i tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare të gjithëpranuara dhe praktikat më të mira ndërkombëtare lidhur me zgjedhjet, si dhe formulimi i rekomandimeve për përmirësim në zgjedhjet e ardhshme”, tha Mirela Arqimandriti.
Marcus Johnson, Drejtues i USAID, tha se deri më sot institucioni i drejtuar prej tij, ka investuar rreth 100 mijë dollar për të mbështetur organizatat e shoqërinë civile dhe institucionet e monitorimit të zgjedhjeve, për të nxitur Shqipërinë në organizimin e një proçesi zgjedhor konform standardeve europiane.
Statisticienia Lauren Scora sqaroi në mënyrë të përgjithshme rrugën që do ndjekë koalicioni për të mbërritur në rezultatet konkrete. Sipas saj, metodologjia që do të përdoret do të bazohet në tregues afatgjatë dhe tregues afatshkurtër, ndërsa këto tregues do të merren nga vëzhgues statik (pra që do të rrinë në një zonë përgjatë gjithë kohës) dhe vëzhgues të lëvizshëm (ata vëzhgues që do të lëvizin nga zona në zonë).
“Kjo metodologji, tha Scora , do të zbatohet në numrin total prej 5 344 qendra votimi për të zgjedhur 1 000 prej tyre. Nëpërmjet përzgjedhjes së një kampioni rastësor qendrash votimi, rezultati do të ekstrapolohet për të gjithë vendin në një kufi gabimi prej 3-5% dhe nivel besueshmërie 95%”, tha ajo.
Dhimitër Gjodeda, koordinator për vëzhguesit afatgjatë, tha se Koalicioni ka mbaruar trajnimin e 90 vëzhguesve afatgjatë, të cilët do të fillojnë menjëherë vëzhgimin në 90 zonat e administrimit zgjedhor pranë KQZ-së.
Në fund, drejtuesit e koalicionit njoftuan se gjetjet e këtij koalicioni do të bëhen me dije në media përmes njoftimeve për shtyp dhe gjithashtu në faqen zyrtare në Internet dhe në ‘Facebook’ të koalicionit.