Kobani – “Sulmet nga ajri të pamjaftueshme!”
Prej javësh “Shteti Islamik” përpiqet të marrë Kobanin. Sulmet amerikane dhe rezistenca e Njësive Kurde të Mbrojtjes Popullore (YPG) e kanë penguar këtë. Redur Xeli, zëdhënësi i YPG, kërkon më shumë ndihma.
DW: “Si është situata në Kobani?
Redur Xelil: Luftimet janë ende të ashpra, por kemi bërë disa përparime. Tani jo vetëm që mund të mbrohemi nga sulmet, por edhe kemi kundërsulmuar. Problemi qëndron tek armët, që kemi kundër artilerisë së rëndë, që kanë trupat e “Shtetit Islamik”. Kemi nevojë për furnizime të çdo lloji, sepse nuk kemi të bëjmë me një grupim të armatosur, por me ushtrinë e një shteti.
DW: Po ju po mbështeteni nga amerikanët me sulme nga ajri. Sa bashkëpunojnë njësitë e mbrojtjes popullore kurde (YPG) me Uashingtonin?
Redur Xelil: Sulmet nga ajri janë të rëndësishme por të pamjaftueshme për të eliminuar armikun. Lidhur me bashkëpunimin ne Uashingtonin, sigurisht që ne japim pozicionin tonë të saktë, ku ndodhemi, që bombat të mos bien mbi ne, por nuk mund të them më shumë se kaq. Ajo që mund të theksoj është se ne gëzohemi, nëse bashkëpunimi do të përmirësohej edhe më tej.
DW: Nëse sulmet nga ajri nuk mjaftojnë, a është e mundur fitorja mbi IS pa trupat ndërkombëtare tokësore?
Redur Xelil: Mosuli, qyteti i dytë për nga rëndësia në Irak, u dorëzua brenda tri ditësh, ndërkohë që Kobani po reziston më shumë se një muaj – dhe kjo falë luftëtarëve tanë, që po mbrojnë vendin e tyre. Deri më tani vetëm YPG, njësitë kurde të mbrojtjes popullore, e kanë provuar veten si e vetmja forcë e armatosur, që i ka dalë ballë me sukses “Shtetit Islamik”. Por ne nuk jemi në gjendje të luftojmë jashtë kufijve tanë, vetëm po qe se do biem në ujdi me arabët në këto rajone, siç e kemi bërë disa herë. Mbështetja ndërkombëtare është pa dyshim e nevojshme, por mendoj se palët e ndryshme në Lindjen e Mesme mund ta luftonin IS, vetem po qe se armatosen si duhet, trajnohen dhe koordnojnë veprimet. Po qe se Perëndimi do të fitojë mbi islamistët, duhet të na ndihmojë ne.
DW: Kur ju thoni se jeni gati të mbroni tokën tuaj, keni parasysh tre enklavat, Afrinin, Kobanin dhe Jazirën apo atë pjesë toke përgjatë kufirit turko-sirian, të cilën shumë kurdë e shohin si pjesë të tyren?
Redur Xelil: Ato për të cilat ne pretendojmë janë tre enklavat, që përmendët. Është e vërtetë që në fillim të konfliktit ne mund të lëviznim të lirë nga Jazira në verilindje të Sirisë deri në Afrin, në veriperëndim të Sirisë, sepse kishim kontakt me Ushtrinë e Lirë siriane. Ne u kemi lejuar trupave tona të lëvizin në këtë hapësirë. Por lindja e grupeve islamiste si Jabat al nusra, Ahrar-al sham dhe së fundmi IS e bëri këtë të pamundur. Nuk ka rrugë tjetër për në Kobane vetëm përmes kufirit turk.
DW: Duket se Turqia për momentin nuk do të ndërmarrë asgjë për të ndihmuar nga ana tjetër e kufirit. Si e gjykoni këtë situatë?
Redur Xelil: Që nga fillimi i luftës, Turqia nuk do të përzihej jo vetëm tek ne kurdët, por edhe në Siri. Ankaraja mendonte se Asad do të rrëzohej më herët se sa vonë, pra ky vend u përpoq të kontrollonte opozitën siriane përmes Vëllazërisë Myslimane. Turqia i ka lejuar islamistët, prej të cilëve vuajmë ne sot, të kalojnë të gjithë vendin, dhe të vijnë në territorin tonë. Ajo i ka mbështetur ata ushtarakisht, dhe madje ka mjekuar të plagosurit në spitalet e tyre.
DW: Njësitë e mbrojtjes popullore kurde janë akuzuar se kanë rekrutuar me forcë të rinj për t’i dërguar me mision në Kobane. Sa e vërtetë është kjo?
Redur Xelil: Kjo është e gabuar. Që nga fillimi i revolucionit çdo luftëtar ka ardhur vullnetarisht. Situata në Kobani e ka rritur numrin e vullnetarëve. Shumë prej tyre janë civilë kurdë nga Turqia, që kanë kaluar kufirin për të ndihmuar vëllezërit në anën tjetër.
DW: Në javët e fundit fokusi i mediave është përqëndruar në Kobani – ndërkohë një pjesë e opinionit publik qëndron pas kurdëve sirianë. Çfarë ndikimi kanë ngjarjet në Kobani ndaj së ardhmes së rajonit?
Redur Xelil: Bota po hap sytë dhe shikon, që ne nuk jemi e vetmja forcë, që ka dalë kundër “Shtetit Islamik”, por e vetmja lëvizje në Siri, që flet për demokraci dhe të drejtat e njeriut. Dhe duhet të keni parasysh që katër pjesët, në të cilat është ndarë vendi ynë – në Turqi, Siri, Iran dhe Irak janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ajo që ndodh në njërën pjesë, prek edhe tjetrën. Kobani mund të ndikojë në zgjidhjen e çështjes kurde në Turqi, sepse presioni ndërkombëtar ndaj Ankarasë rritet. PKK mund të hiqet nga lista e organizatave terroriste falë këtij presioni. Turqia duhet ta kuptojë, se ose ajo duhet të miqësohet me kurdët, ose ajo marshon drejt një katastrofe. Jam i sigurtë se Kobani është një pikë kthese për të gjithë kurdët.
DW: Kur e parashikoni fundin e luftës në Siri?
Redur Xelil: Për shkak të prezencës së jashtëzakonshme të grupeve islamiste në vend, kjo nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt. Por kjo çështje duhet të vështrohet si nga ana ushtarake, ashtu edhe politike e sociale. Përmasat e shkatërrimit në shoqërinë siriane, veçanërisht mes sunitëve, kanë përgatitur terrenin islamist, siç po e shohim sot.
Redur Xelil është zëdhënës i Njësive Kurde të Mbrojtjes Popullore (YPG)