Politika

Kodheli: Ballkani i ndikuar nga fondementalizmi islamik, xhihadistët kërkojnë terren edhe në Evropë

Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli mori pjesë në takimin që po zhvillon sot në Tiranë Shoqata e Këshilit të Atlantikut të Shqipërisë. Në fokus të këtij takimi është diskutimi rreth temës “NATO përballë sfidave të reja euroatalantike“.

kodheliNë fjalën që mbajti në këtë takim, ministrja Kodheli tha se Ballkani ndikohet nga fondamentalizmi islamik, ndërsa shtoi se xhihadistët po k%rkojnë gjithnjë e më shumë terren edhe në Evropë.

“Vendet anëtare të NATO po përballen kohët e fundit me rreziqe që vijnë nga lindja dhe jugu sipas veçorive të ndryshme, por ato kanë të përbashkët parimet e mbrojtjes kolektive, menaxhimin e krizës dhe sigurinë bashkëpunuese. Shqetësimet e të gjithë krahut lindor dhe jug-lindor të Aleancës janë të dukshme. Ne, vendet anëtare kemi diskutuar, vendosur, planifikuar dhe organizuar të gjitha masat e nevojshme në lidhje me rreziqet e reja që vijnë nga Rusia dhe xhihadistët. Por në këto konflikte të reja, ne nuk duhet të harrojmë rajonet të cilat mund të preken lehtësisht nga trazirat ndërkombëtare, si pasojë e paqëndrueshmërisë dhe cenueshmërisë së tyre. Ballkani Perëndimor është një prej tyre, relativisht larg nga Rusia dhe Lindja e Mesme, por i ndikuar plotësisht nga paraja dhe ideologjia e Moskës dhe fondamendalizmit. Bosnia-Hercegovina, Kosova, Serbia, së bashku me Malin e Zi dhe Maqedoninë, nuk i janë bashkuar ende klubit Euroatlantik. Këto vende kanë rrugë, vullnete dhe axhenda të ndryshme përkundrejt NATO dhe BE nga vendet ekzistenca e të cilëve sigurohet nga Aleanca, por që janë ende të dobët në ndërtimin e demokracive liberale, vende kandidate të mundshme për në NATO, prej disa vitesh. Ndërkohë, shembujt më të mirë të rajonit janë Sllovenia dhe Kroacia, vende anëtare me të drejta të plota në NATO dhe BE; Shqipëria vetëm vend anëtare e NATO-s. Vendet e tjera janë kandidate për anëtarësim në BE dhe NATO, ndërsa Kosova po bën një përparim të madh në rrugën drejt njohjes dhe integrimit të saj, nga organizatat ndërkombëtare. Rruga e Ballkanit Perëndimor drejt BE është më e ndërlikuar dhe këtu përfshij edhe vendin tim. Dyshimet politike dhe kufizimet ekonomike po dobësojnë ëndrrën e integrimit. Por në këto kohë konfliktesh, ne të gjithë biem dakord që konflikte të tjera mund të parandalohen lehtësisht nga procesi i integrimit”.

Sipas Kodhelit, “Me rritjen e nacionalizmit në Evropë, Rusia ka pasur një projekt të qartë dhe konkret për Ballkanin, duke përcaktuar shumë mirë çështjet e influencës, të bazuara në besimin fetar dhe prejardhjen racore. Për dy shekuj, pavarësisht regjimeve udhëheqëse në Rusi ose shteteve të reja të Ballkanit, politika ka qenë e njëjtë. Rajoni ynë është parë gjithmonë si një shtojcë e ekspansionit të Rusisë kundrejt Mesdheut. Ëndrrat e civilizimit perëndimor të Ballkanit nuk janë pranuar kurrë nga Rusia. Në ditët e sotme, bankat, biznenset, infrastruktura turistike, kompanitë e gazit dhe karburantit në Ballkanin Perëndimor, shihen si objektiv për para nga Rusia. Prania ekonomike e Rusisë po rritet në mënyrë të vazhdueshme në këto kohë vështirësie për Perëndimin”.

“Nga ana tjetër,-shtoi ministrja,- xhihadistët kërkojnë terren të përshtatshëm në Evropë. Sulmet terroriste të disa javëve më parë në France dhe Danimarkë, dhe parandalimi i akteve të mundshme terroriste në Belgjike e gjetkë, janë këmbana alarmi për rrezikun që i kanoset sot qytetërimit modern nga forcat e errësirës. Ne i luftojmë ata në mënyrën tonë, por numri i njerëzve që marrin pjesë nga Ballkani Perëndimor, në rajonet e konflikteve, po rritet në mënyrë shqetësuese. Ata kanë lënë pas familjarë, miq dhe fqinjtë e tyre. A u jep atyre Perëndimi majftueshëm shpresë? Ajo çfarë NATO dhe BE kanë bërë në 20 – 25 vitet e fundit është e mrekullueshme. Por, prapë se prapë, a është ende kaq drastike për BE të mundësojë hyrjen e disa milionë njerëzve nga Shqipëria, Bosnja, Kosova, ish – Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia? Askush nuk po kërkon dhurata dhe privilegje, por po sikur të kemi një hartë të sigurtë për këto vende? Shqipëria vlerëson përpjekjen personale të kancelares gjermane Anxhela Merkel, për të ftuar liderët e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin e Berlinit në funs të gushtit 2014. Kryetarët e shteteve, ministrat e jashtëm dhe të ekonomisë, të tetë qeverive, po ashtu dhe presidenti i Barroso dhe komisioneri për zgjerimin Fyle, shkuan në Berlin për një ditë, e cila nuk ishte thjesht një mbledhje për arsye simbolike. Krahas mbledhjes së liderave u mbajt një mbledhje për biznesin me qëllim rritjen e bashkëpunimit industrial dhe ekonomik në rajon. Unë e përgëzoj të gjithë këtë përpjekje, e cila ishte më shumë se e nevojshme, duke pasur parasysh shkallën e lartë të papunësisë në rajon si dhe mungesën e një baze industriale”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button