Kryeartikull

Kodi i Da Vinçit, kodi i “Rilindjes” dhe shtrembërimet historike

Nga Bledar Kurti 

Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se dy dekada që nga rënia e komunizmit, shqiptarët janë akoma skllevër në mendim. Ne nuk jemi çliruar ende nga imponimet dhe indoktrinimet historike që na la e kaluara. Madje edhe kur na serviren materiale nga bota e lirë ne i lexojmë ato me mendje të infektuara dhe me deficenca historike. Çdo informacion e thithim me një perceptim ekstrem dhe jo kritik.

Ne e lexojmë historinë ose si komunistë ose si antikomunistë. Si komunistë vazhdojmë të besojmë legjendën e “njeriut me bisht” që provonte se vijmë nga majmuni, e cila na mësohej në shkolla pa asnjë fakt, pa asnjë zbulim, thjesht propaganda e diktaturës. Dhe si antikomunistë marrim si të mirëqenë dhe të padiskutueshme çdo gjë që na serviret nga Perëndimi, si për shembull rasti i librit Kodi i Da Vinçit, i autorit Dan Brown, i cili me trillimet e veta dhe me fakte historike tërësisht të shtrembëruara apo të sajuara, u konsiderua tërësisht i besueshëm nga kushdo që e lexoi. Por, me ndjenjën antikomuniste dhe me mallin për rebelimin e brendshëm që kishim kundër regjimit, i konsideronim të shenjta veprat e Rilindjes duke besuar atë që donim të besonin dhe duke anashkaluar apo mos njohur kurrë, edhe aspektet e tjera të Rilindjes apo historisë në tërësi.

Kodi i Da Vinçit prek shumë aspekte historike, shumica e të cilave janë abuzive dhe të pavërteta, dhe që meritojnë një studim të gjatë, ndaj ia vlen të përmenden ato më kryesoret, si për shembull interpretimi që i bëhet në libër “Darkës së Fundit” të pikturuar nga njeriu i Rilindjes, Leonardo da Vinçi.

Në këtë afresk, Da Vinçi ka pikturuar Jezu Krishtin dhe dymbëdhjetë apostujt e tij duke darkuar për herën e fundit me ta, pasi të nesërmen ai nuk do të ishte më në mesin e tyre por të do kryqëzohej. Da Vinçi ka pikturuar momentin më kyç të darkës, ku Krishti tregon për vetëflijimin e tij, mundimet që e presin në kryq për të shlyer mëkatet e njeriut, për vdekjen e ringjalljen dhe gjithashtu përmend se njëri ndër ta do e tradhtojë. Ky fragment biblik është shumë i njohur dhe shumë viziv në mendjen e të krishterëve, por në librin e tij Dan Brown shtron një debat jo të vogël, pasi ai ngre tezën që personi në të djathtë të Krishtit nuk është apostulli Gjon, por Mari Magdalena, e cila, sipas Brown, ishte gruaja e Krishtit.

Një burrë që bëhet grua nuk të bën më përshtypje në jetën e sotme moderne, por jo në këtë kontekst që po flasim, pasi një ndryshim i vetëm gjinie cenon themelet e një besimi dymijëvjeçar dhe fesë më të madhe në botë. Në krishterim, Jezusi erdhi si hyjni në formë njerëzore dhe jo njeri i zakonshëm që hante, pinte dhe martohej.

Ky libër i ardhur nga Perëndimi u lexua nga ne antikomunistët me besueshmëri të plotë pa vënë në funksion atë që bota sot e quan “të menduarit kritik”. Madje, më ndodhi në një rast, që një nga studentët e mi, m’u shpreh se kjo pikturë i kishte hedhur shumë dyshime në besimin që kishte.

“Darka e Fundit” e Da Vinçit është një mrekulli e artit botëror, ndërsa libri Kodi i Da Vinçit është pa dyshim një kryevepër e letërsisë moderne, por pavarësisht vlerave universale që kanë, janë trillime, pasi që të dyja u krijuan njëra pesëmbëdhjetë, tjetra njëzetë shekuj më vonë ndodhisë reale.

Çdo njeri me inteligjencë dhe nivel leximi normal duhet të dijë që afresku “Darka e Fundit” e realizuar në fund të viteve 1400, i përket periudhës së Rilindjes, e cila kishte disa veçori karakteristike të saj, që disa dihen nga të gjithë dhe pjesa tjetër njihet nga ata që vazhdojnë e lexojnë libra historie.

Ja çfarë duhet të dimë për këtë vepër dhe Rilindjen përpara se të besojmë të pavërtetat historike dhe teoritë konspirative që ngre Dan Brown. Në këtë vepër është vënë në zbatim perspektiva lineare, të cilën artistët e Rilindjes e aplikonin në çdo vepër të tyre për të sjellë një realitet më të natyrshëm në pikturë. Të gjitha linjat të çojnë te Krishti, i cili është edhe qëllimi i kësaj vepre dhe mesazhi kryesor që kërkon të japë Leonardo. Të gjitha figurat në afresk i përkasin një forme gjeometrike, ndaj trekëndëshat, rrathët dhe katrorët janë kudo në funksion të perspektivës dhe jo ndonjë simboli sekret.

Pas figurave janë tri dritare dhe duket që përtej tyre është ditë dhe jo natë, fakt që bie në kundërshtim me titullin e afreskut, por edhe me kulturën hebraike që darkonte për festa pas perëndimit të diellit. Por dhoma ku u bë ky afresk nuk kishte dritare, ndaj Da Vinçi improvizoi me dritaret në pikturë për të shtuar dritë artificiale. Tri dritaret simbolizonin trinitetin, por edhe sillnin dritë artificiale në dhomë. Nuk kishte problem, askush nuk e kritikoi, arti është trillim, ai jep një mesazh dhe Leonardo e dha mesazhin e tij të Krishtit ndaj apostujve dhe ndaj shikuesve të kësaj vepre. Prandaj, edhe mbi tavolinë nuk ka ushqim mjaftueshëm për trembëdhjetë veta, as edhe gota vere, pasi këtë banket të varfër me ushqime e mbushin shpirtërisht ata që janë në të.

Në lidhje me gruan në krah të djathtë të Krishtit, le të supozojmë për një moment se është vërtet e tillë. Nëse ajo është Mari Magdalena, ku është Gjoni? I bie të jetë Krishti dhe njëmbëdhjetë apostujt. Mungon një apostull! Por, jo, ajo figurë mund të duket si grua, por nuk është grua. Një tipar tjetër i Rilindjes ishte ringjallja e artit grek dhe romak, rilindja e buzëqeshjes greke dhe bukurisë së trupit greko-romak, për këtë arsye të gjitha figurat në pikturat apo skulpturat e Rilindjes, qofshin profetë, apostuj apo edhe luftëtarë trima kanë një finesë femërore. Për më tepër, çështja e seksualitetit dhe e përzierjes së gjinive ishte pak komplekse në atë kohë. Një mashkull fisnik dhe i bukur portretizohej si femër, siç është rasti i Davidit të Donatelos, i cili ka pozën dhe linjën trupore të një femre apo ndoshta siç ndodh edhe sot me fotografitë e retushuara të yjeve të Hollivudit.

Gjithashtu, ajo çfarë nuk mësohet shumë në shkolla është se Firence, kryeqyteti i Rilindjes, shquhej jo vetëm për finesën dhe artin e rafinuar, por edhe si kryeqyteti i lirisë seksuale dhe sidomos homoseksualitetit. Evidenca e ekzistencës së preferencave të ndryshme seksuale në Firencen gjatë Rilindjes shihen nga burimet letrare dhe juridike. Për shembull, më 1432, në Firence u emërua një gjykatë e veçantë për t’u marrë me marrëdhënie seksuale anormale, që u referohej marrëdhënieve homoseksuale. Firence dhe qytete të tjera toskane ishin mbushur me homoseksualë. Në fakt, qytetet toskane ishin aq të njohura për sodomi saqë qeveria e Genova nuk do të lejonte mësues toskanë për të dhënë mësim në Genova. Firence ishte e njohur si qendër e homoseksualitetit. Thashetheme qarkullonin rreth shumë emrave të mëdhenj, duke përfshirë Leonardon dhe Mikelanxhelon, dhe homoseksualiteti është shumë i dukshëm në veprat e këtyre mjeshtërve historikë të artit. Në veprat e Da Vinçit ka nuanca të forta të ndërthurjes gjinore dhe bukurisë transseksuale. Për shembull, nëse krahasojmë tre nga veprat e tij më të njohura Mona Lisa, Gjon Pagëzori dhe Baku, do të shohim se të tria këto figura kanë pothuajse të njëjtën fytyrë femërore.

Sipas raportimeve të ruajtura ligjore, rezulton se dy herë në vitin 1476, ndërsa ai ishte nxënës i Andrea del Verocchio, Leonardo u akuzua nga Rojet e Natës se kishte kryer akte sodomike me një nxënës shtatëmbëdhjetëvjeçar të quajtur Jacopo Saltarelli.

Edhe Mikelanxhelo krijoi figura transseksuale. Kur u caktua në vitin 1508 nga Papa Julius I për të dekoruar ambientet e Vatikanit, në Kupolën Sistine, figurat biblike ishin të kombinuara me figura atletësh të quajtur Ignudi, të cilat ishin shumë homoerotike. Mikelanxhelo ndërthuri adhurimin e tij për erosin pagan si në statujën e Davidit ashtu edhe në atë të Bakut, apo Sllavi në Prag të Vdekjes, dhe I Burgosuri Rebel.

Vepra më klasike e Rilindjes, Davidi i Donatelos, tregon qartë erotizmin homoseksual gjatë kësaj periudhe të artë për humanizmin. Liria seksuale ishte një nga liritë që Rilindja kërkonte të rilindte nga lashtësia, dhe homoseksualiteti të eliminohej si një tabu e vendosur nga kisha.

Në Bibël, apostulli Gjon përshkruhet si djalë i ri, i brishtë dhe që Jezusi e donte më shumë nga të tjerët, ndaj edhe Leonardo e ka pikturuar në krahun e djathtë të Krishtit, ndaj dhe e ka portretizuar me sensualitetin e rilindësit. Kjo figurë, e mbuluar me magjinë e Rilindjes, e venitur apo e transformuar sado pak nga restaurimet e shumta ndër shekuj, e mbijetuar nga bombardimet e Luftës së Dytë Botërore, ndoshta konfuzon edhe sot sytë e pastërvitur me art dhe ngjyra, por nuk ka figurë tjetër në të përveçse Gjonit, personazhit biblik të mishëruar në vepër arti me nuanca finese të Rilindjes nga vetë dora e Leonardos.

Një çështje tjetër e rëndësishme shumë e shtrembëruar nga Kodi i Da Vinçit është spekulimi me Këshillin e Nikeas (viti 325). Në librin e Dan Brown, por jo vetëm, pasi e kam dëgjuar të abuzohet edhe nga akademikët shqiptarë, shkruhet se ky Këshill përzgjodhi vetëm katër ungjijtë dhe la jashtë Biblës ungjij të tjerë, përfshirë edhe ungjillin e Mari Magdalenës. Kjo është një tezë tërësisht antihistorike dhe asnjë historian serioz nuk e mbështet. Këshilli i Nikeas përcaktoi kredon e besimit në mënyrë që të evitoheshin keqinterpretimet. Katër ungjijtë përdoreshin nga kisha e hershme shekuj përpara perandorit Kostantin dhe nuk ka asnjë referim historik për ungjij të tjerë.

Gjithashtu, shtrembërimi më i madh që bëhet në këtë vepër dhe interpretimi më i gabuar nga shumë akademikë romantikë shqiptarë, por që reflekton dashurinë e paepur të shqiptarëve për politikën është arsyeja e konvertimit të Perandorit Konstantin në Krishterim. Duke qenë kokë e këmbë të dashuruar me politikën dhe duke mos e parë atë vetëm si një rrjet intrigash dhe mjet për pushtet, konvertimin e Konstantinit e interpretojmë si një manovër politike për të kontrolluar masat. Por ka një problem! Nëse do të ishte kështu, nëse e krahasojmë në miniaturë me realitetin shqiptar, do të ishte sikur Kryeministri Rama, i cili është kreu i ekzekutivit, të merrte teserën e partisë së Nard Ndokës apo ndonjë partie tjetër të papërfillshme për të kontrolluar masat. Në shekullin e katërt, krishterimi nuk ishte rrezik politik për askënd, pasi përbënte një përqindje shumë të vogël të popullatës së Perandorisë, duke mos e kaluar 10%, ndaj nuk do të ishte manovër e mirë politike që Kostantini të prishte tempujt paganë të 90% të popullatës për të ndërtuar kishat e minorancës. Ai e kishte pushtetin dhe thjesht u konvertua, duke e bërë më pas Krishterimin fenë zyrtare të Perandorisë dhe duke e kthyer përqindjen e të krishterëve në mazhorancë.

Një shtrembërim tjetër është edhe përfshirja e Da Vinçit në Iluminati. Leonardo nuk i përkiste Iluminatit, pasi nuk kishte se si. Kjo lëvizje lindi rreth tre shekuj pas vdekjes së tij. Po cili ishte Kodi i Da Vinçit? Cili ishte sekreti i vërtetë? Kodi i Da Vinçit sikurse edhe Kodi i Rilindjes ishte Humanizmi. Nën hundën e kishës, ata në emër të Zotit promovonin njeriun. Por a i shpëtoi kjo gjë klerit? Absolutisht që jo! Ata e lejuan të bukurën si pjesë e mrekullisë dhe e kredos së besimit.

Për këtë arsye veprat e Rilindjes kanë tematikë fetare, por janë humaniste. Për shembull, skulptura e Davidit të Mikelanxhelos është një vepër me temë biblike, por është simboli i humanizmit. Historia tregon se Davidi, një djalë i vogël, një bari izraelit, mposht Goliathin, luftëtarin kolos, dhe të fortë, vetëm me një gurë me hobenë e tij. Kjo vepër e Mikelanxhelos u bë e njohur që kur u shfaq për herë të parë, por ndryshe nga si e shihnin njerëzit, kjo skulpturë nuk është e Davidit të Biblës, por e një Davidi tjetër, birit të Humanizmit. Davidi i Biblës është një djalë i vogël që bën një mrekulli të madhe në emër të Zotit të tij, por Davidi i Mikelanxhelos ka trupin e një atleti dhe nuk duket as i vogël dhe as i pafuqishëm. Ai duket sikur nuk e ka nevojën e Zotit, pasi ka një trup perfekt, plot muskuj dhe forcë. Për më tepër, nëse Davidi i Biblës ishte i rrethprerë, për shkak të traditës hebraike, Davidi i Mikelanxhelos duket qartë se është i parrethprerë.

Po përse kjo tërheqje kaq e madhe e masave për teori konspirative si kjo e Mari Magdalenës, e cila na ofrohet në librin Kodi i Da Vinçit? E thjeshtë! Historitë rozë tërheqin më shumë mendjet e rëndomta njerëzore. Historia e një njeriu të famshëm me një prostitutë të penduar, sado e trilluar të jetë, duket më interesante sesa historia e vërtetë e një njeriu të virgjër, 33-vjeçar, i panjollë, që sakrifikoi veten në kryq për mëkatet e njerëzimit. Njeriu modern kërkon trillin dhe jo të vërtetën.

Fjala “histori” do të thotë “kërkova dhe gjeta”. Ne nuk duhet ta gjykojmë historinë, por ne e kërkojmë për të gjetur të vërtetën dhe më pas e përthithim atë përmes të menduarit kritik. Sot, ne kemi lirinë të lexojmë libra letrarë plot trillime dhe të shijojmë aspektin e mrekullueshëm letrar që ata ofrojnë, por në lidhje me historinë nuk e kemi këtë liri, pasi në të përmblidhet jeta, besimi, filozofia, arti dhe stili i jetesës së njerëzve ndër shekuj, ndaj detyra e secilit prej nesh është vetëm të kërkojmë të vërtetën, ta gjejmë dhe ta besojmë atë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button