Ekonomia

Kodi i ri hekurudhor i hap rrugë liberalizimit dhe koncesioneve

Kodi i ri hekurudhor që po diskutohet në Kuvend parashikon liberalizimin e shërbimit, futjen në ‘skenë’ të operatorëve privatë. Pritet që ky rregullim ligjor të shërbejë si nxitje për gjallërimin e sektorit. Kostot e larta të mirëmbajtjes, kërkesa për investime të reja, si dhe mungesa e elektrifikimit janë ndër problemet më të mëdha.

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka bërë një punë voluminoze dhe ka përfunduar hartimin për herë të parë të Kodit të Hekurudhor në Republikën e Shqipërisë.

Ky projektligj do të mundësojë krijimin e kushteve për të liberalizuar shërbimin hekurudhor. Aktualisht, me koncesion janë dhënë dy linja Fier– Ballsh dhe Fier–Vlorë. Në relacion thuhet: “Kjo nismë ligjore synon përgjigjen ndaj sfidave mbi bazë të drejtë, jodiskriminuese dhe transparente, që ka aktualisht sistemi hekurudhor shqiptar, me: rivitalizimin e sektorit të transportit hekurudhor dhe hapjen e tregut hekurudhor; krijimin e kushteve të kërkuara për ndarjen dhe ristrukturimin në drejtimin, administrimin e subjekteve në sektorin e transportit hekurudhor; krijimin e autoriteteve kombëtare në sektorin hekurudhor dhe zbatimin e përforcimin e reformës së sektorit hekurudhor në Shqipëri.

Operatorëve privatë, qofshin vendas apo të huaj, do t’u jepet mundësia që të shfrytëzojnë linjat hekurudhore kundrejt detyrimeve që do të përcaktohen më pas me akte nënligjore. Këto kompani, thonë të njëjtat burime, mund të bëjnë të mundur sjelljen e trenave të standardeve të larta dhe të bëjnë menaxhimin e transportit të udhëtarëve për segmente të ndryshme kundrejt tarifave të ndryshme.

Nga ana tjetër mund të shihet mundësia që të jepet me Partneritet Publik Privat menaxhimi i disa segmenteve, ndërsa për ato që janë dhënë me koncesion do të shihen modalitetet e reja. Projektligji parashikon edhe formimin një enti rregullator për hekurudhat brenda Autoritetit të Konkurrencës, si dhe krijimin e enteve të sigurisë për mbrojtjen e trafikut hekurudhor. Qeveria shqiptare parashikon që, deri në vitin 2020, të bëjë të mundur të arrihet pesëfishimi i volumit të udhëtarëve dhe dyfishimi i transportit të mallrave përmes rindërtimit të linjave ekzistuese.

Investimet e pritshme

Ndër vite, hekurudha shqiptare ka vuajtur mungesën e investimeve të rëndësishme, gjë e cila e ka çuar drejt rrënimit të vazhdueshëm në dekadën e fundit. Ky sektor është më pak i zhvilluari dhe më pak tërheqësi në Ballkanin Perëndimor (së bashku me atë të Kosovës). Me një gjatësi prej 420 kilometrash, ky rrjet u ndërtua kryesisht për t’i shërbyer industrisë. Për ta risjellë në jetë dhe për ta bërë sërish konkurrues, duhen miliona euro që mungojnë. Ato 1 milion euro që janë për vitin 2016 nuk mjaftojnë as për të ‘mbajtur frymën gjallë’.

Megjithatë, në fund të tunelit, duket se po shihet një dritë. Për herë të parë, Hekurudha Shqiptare ka një projekt ndërtimi dhe rikonstruksioni siç është ajo Tiranë – Durrës – Rinas, kostoja e së cilës llogaritet në rreth 81.5 milionë euro, nga të cilat 44% ose 35.4 milionë euro do të akordohen nga BERZH dhe pjesa tjetër, kredi që do të paguhet nga qeveria shqiptare. Projekti do të konsistojë në rikonstruksionin e segmentit ekzistues mes Tiranës dhe Durrësit, si dhe me ndërtimin e ri të pjesës që do të lidhet me Rinasin. Ky segment ka një gjatësi prej 50 km, ndërsa kostoja llogaritet në rreth 50 milionë euro.

Për këtë projekt, sipas grupit të punës që është ngritur pritet që në muajin tetor të këtij viti të shpallet tenderi ndërkombëtar, ndërsa do të ketë një dëgjesë publike me ekspertë në fund të muajit shtator Por, projekte të tilla të rëndësishme që do të zbatojnë një teknologji moderne do të kërkojnë menaxhim dhe mirëmbajtje Në lojë, në këtë rast, do të futet edhe sektori privat, përmes Partneritetit Publik Privat. Kësaj do t’i shërbejë edhe Kodi i ri Hekurudhor që po diskutohet në Kuvend.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button