Opinion

Koha pas Fullanit

E ç’ka të bëjë vjedhja me politikën?! Nuk ka dalë që me ato para janë financuar fushatat elektorale të PS-së ose PD-së. Atëhere po, do të thoshnim se politika antishqiptare e X ose Y partije ishte shkaktari i këtij abuzimi të paskrupullt. Eshtë tjetër gjë nëse ky apo ai politikan i kësaj apo asaj partie mund të kenë përfituar nga Guvernatori i Bankës.Po kjo, tani për tani, për ne mbetet vetëm hamendësi.TIRANE, 30.03.2010 - Godina e Banka e Shqipërisë  ATSH.Foto: Agim Dobi
Nga PETRO DHIMITRI
Skandali i vjedhjes në Bankën e Shqipërisë  që në çastin kur u përhap lami me shpejtësinë e rrufesë  pati jehonë të madhe e pasuar kjo edhe me shumë  zhurmë. Njerëzit pyesnin:”Mirë vodhi Ardian Bitri me Mimoza Bruzinë mbi 700 milionë, po kush janë bashkëpunëtorët dhe dorëzanët e tij për atë detyrë me kaq përgjegjësi? Si mundën ata të bënin një vjedhje kaq të sofistikuar? Kush i ka mësuar? Po kamerat pse nuk paskan funksionuar?… Kur u arrestuan edhe punonjës të tjerë, gjithësej 7,atëhere lindi edhe pyetja:” Pse Guvernatori Fullani nuk jep dorëheqje? Kush e mbron atë?” Me që ai nuk po mënjanonte veten nga drejtimi, me që edhe zoti Berisha ishte kundër dorëheqjes apo shkarkimit të tij, sepse, sipas doktorit, do të ndikonte për keq në mbarëvajtjen e Bankës dhe do të cenonte  autoritetin e saj, njerëzit u revoltuan. Aq u zemëruan ata sa me të drejtë shoqëria civile nisi aksionin e peticionit për shkarkimin e Fullanit. U mblodhën jo pak, po mbi 13000 firma. Qytetarët e fyer nga mosdorëheqja apo shkarkimi i Guvernatorit të Bankës shkonin vetë në pikat e caktuara për të hedhur firmën. Ndërkohë qeveria dhe personalisht zoti Rama, edhe pse e dënuan skandalin, me që Banka ka status të veçantë, ajo nuk mund të ndërhynte. Iu la drejtësisë të bënte punën e saj. Në këtë mënyrë qeveria iu shmang diktatit. Veproi me qetësi dhe zgjuarsi. Prokurori i çështjes, zoti Ramazan Troci, pas flet-arresteve të para, vendosi t’i viheshin prangat si zotit Fullani ashtu edhe inspektores së përgjithshme Elvira Golemi…Motivimi i arrestit nga prokurori është se Guvernatori i Bankës  nuk ka respektuar 5 nga detyrat e shumta që i takonin atij si drejtues kryesor i administrimit të  parave të popullit. Zhvillimi i mëtejshëm i procesit të hetimit si dhe më pas vendimi i gjykatës ka për të vërtetuar ose hedhur poshtë akuzat për zotin Fullani. Po kjo i takon muajve të mëvonshëm se hetimi është i vështirë, me që, me veprimet ose mosveprimet e tyre, janë implikuar shumë punonjës të bankës. Po deri sa të arrihet te dita e gjykimit ( inshallah reforma në çdrejtësinë tonë të ketë përfunduar), njerëzit pyesin, diskutojnë, kërkojnë të dinë se kush pas Fullanit do të shkojë në qelitë e ftohta. Ata kanë të drejtë, sepse Bankën nuk e drejton vetëm një njeri. Ishin dhe janë edhe 5 antarë të Këshillit Mbikqyrës që asesi populli nuk mund t’i quajë të pafajshëm dhe aq më pak  t’i pranojë si teknicienë të denjë për të vazhduar të mbajnë atë post. Ata të gjithë e kanë ditur se kishte vite qe posti i zevendësguvernatorit, që ka për detyrë edhe kontrollet dhe administrimin e thesarit, ishte vakant. Kjo do të thoshte që për vite të mos zbatohej regullorja e brendshme ose ligji i Bankës. E megjithatë superteknicienët tanë ekonomistë kanë heshtur. Edhe kur krimineli vjedhës, zoti Ardian Bitri u vetëdenoncua , me përjashtim të zonjës Ermelinda Meksi, të gjithë qendruan në krah të Fullanit. Votimi për dorëheqjen apo shkarkimin e tij, i propozuar nga zonja Meksi, doli me rezultatin qesharak 6:1 për Fullanin?!… Të gjithë ata janë aq të ngritur dhe kanë aq përvojë sa e dinë si një e një bëjnë dy që kur ndodh një vjedhje e përmasave të tilla, i pari Guvernatori vetdorëhiqet që drejtësia të bëjë punën e vet. Fullani donte të fitonte kohë, po përse këtë nuk mund ta kuptoj. Mos vallë shpresonte se Berisha do të kishte fuqi ta mbronte, duke e shpëtuar nga përgjegjësia, qoftë ajo morale?! Po antarët e Këshillit Mbikqyrës ç’prisnin më?  Ata pandehën se ” Guvernatori i ka rrënjët e forta dhe nuk e tund njeri. Po të kërkojmë shkarkimin e tij, ai, më vonë ka për të gjetur rastin për të na larguar nga Këshilli” . Në këtë rast  zotërinjtë Dhori Kule, Adrian Civici, Petraq Milo,  dhe Ela Golemi do të humbisnin shumë të ardhura marramendëse nga rroga që i kishin caktuar vetes, sipas rregullores ose ligjit të Bankës,(antiligjit, thuaj më mirë). Në ortakëri me ta ishte dhe Zevendësguvernatorja e parë e Bankës, zonja Elisabeta Gjoni.
     Me veprimet e mosveprimet e tyre para skandalit të vjedhjes si dhe pas tij, a meritojnë këta teknicienë të vazhdojnë sërisht të drejtojnë Bankën e Shtetit Shqiptar?! Populli nuk e pranon këtë. Vlerësohet dorëheqja e zotit Ardian Civici, po populli nuk pranon që në këtë këshill të vazhdojë të jetë zoti Kule e deri edhe Ermelinda Meksi. Vërtetë ajo kërkoi largimin e Fullanit, po atëhere ishte tejet vonë, pasi skandali kishte plasur. Do të merrte lavdërime nga populli kjo zonjë po të kishte ngritur zërin për anomalitë e Bankës para se të vetëdenoncohej vjedhja. Po,(me sa dimë nga shtypi), ajo këtë veprim  nuk e ka bërë. Si duket, edhe asaj paratë që i ngrohnin xhepin, ia davarisnin parimet si tekniciene dhe politikane me përvojë e PS-së.
     Tani për tani, duke respektuar edhe regulloren ose ligjin e Bankës, drejtimin e saj e ka marrë zonja Elisabeta Gjoni, e cila gjithashtu me veprimet e mosveprimet e saja, është përgjegjësja numur 2 pas Fullanit. A do të jetë aq fajtore sa për të humbur edhe lirinë?! Do të dëshiroja të mos ishte. Megjithatë, populli as me  këtë zëvendësim nuk mund të jetë i kënaqur.Për hir të mbarëvajtjes së Bankës mund të pranohet ky  kompromis deri sa të zgjidhet teknicieni që do të drejtojë Bankën si dhe Këshilli i ri Mbikqyrës.
     Situata e krijuar kërkon që, krahas  procesit të  hetuesisë, urgjentisht shteti në bashkëpunim  me bankat prestigjioze të botës dhe Bankën e Shqipërisë të ripërpilojë rregulloren apo ligjin e Bankës sonë, e cila nuk është bankë private. Pa cënuar pavarësinë e saj, Guvernatorit dhe stafit të tij, nuk ka pse t’i lihet dorë e lirë për t’i caktuar vetes rroga stratosferike.  Pagat e punonjësve të saj të jenë të sanksiuonuara në rregullore. Shetit i takon të bashkëveprojë apo konsultohet me Këshillin Mbikqyrës si për kontrollin, për emërimin dhe saktësimin  e rasteve për shkarkimin e Guvernatorit, i cili kurrë nuk duhet të përzgjidhet nga radhët e teknicienëve politikanë. Shqipëria ka shumë specialistë të ndershëm të aftë për t’i rikthyer Bankës sonë dinjitetin e cënuar.Këtë është duke premtuar edhe zoti Rama. Le të shpresojmë.
     E fundit, po jo e parendësishme është që vjedhja kaq milionëshe e Bankës Shqiptare nuk lidhet fare me politikën, siç po duan ta komentojnë disa. Ajo është thjesht një vjedhje e çuditshme, sepse u shkel parimi i katër apo gjashtë syve, që është parim bazë i çdo banke. Kjo do të thotë që si hapja, numurimi dhe mbyllja e kasafortave të bëhen  në prezencën e  dy ose tre punonjësve të caktuar për atë detyrë.
Në rastin konkret, partia në pushtet, ia la çështjen drejtësisë, pra nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj ndërhyrjeje. Implikim ka patur vetëm PD-ja  me deklaratat e Berishës për ta mbajtur Fullanin si Guvernator. Edhe heshtja e gjatë dhe mosveprimi i Presidentit Nishani si idhtar i PD-së dhe Berishës,nuk mund të quhet përzierje e politikës deri sa shteti me dinjitet zgjodhi rrugën e respektimit të rregullores ose ligjit ekzistues të Bankës ( mjaft i diskutueshëm) dhe çeshtja i kaloi
Prokurorisë. Pra, zoti Fullani që u sherbeu si Guvernator i Bankës  qeverive të PS-së me zotin Nano kryeministër dhe atyre të PD-së të Berishës, nuk u arrestua se preku interesat e Partisë Socialiste ose se mbronte interest e drejtuesve të PD-së. Nga procesi hetimor i deritanishëm doli se edhe atij të takon të përgjigjet për shkaqet e vjedhjes. E ç’ka të bëjë vjedhja me politikën?! Nuk ka dalë që me ato para janë financuar fushatat elektorale të PS-së ose PD-së. Atëhere po, do të thoshnim se politika antishqiptare e X ose Y partije ishte shkaktari i këtij abuzimi të paskrupullt. Eshtë tjetër gjë nëse ky apo ai politikan i kësaj apo asaj partie mund të kenë përfituar nga Guvernatori i Bankës.Po kjo, tani për tani, për ne mbetet vetëm hamendësi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button