Opinion

Koha për të ndalur represionin financiar

Klodian Tomorri

Selami Xhepa

ekonomiaPesha e borxheve, publike dhe private, është bërë një barrë e rëndë për ekonominë dhe prej kohësh renditet si një prej rreziqeve më serioze për financat dhe ekonominë e vendit. Nga ana tjetër, reduktimi i kësaj barre është një çështje shumë e vështirë, për shkak të ndjeshmërive të forta publike ndaj masave shtrënguese fiskale që kërkohen në situata të tilla. Politikat e ashpra fiskale – shkurtim shpenzimesh, rritje taksash – janë një miks shumë i papërshtatshëm për politikanët, pasi kjo do të krijonte një irritim të madh popullor. Një mënyrë tjetër e zhvlerësimit të borxheve është stimulimi i rritjes së çmimeve. Por ashtu sikurse masat shtrënguese fiskale, edhe inflacioni i lartë krijon pështjellime dhe pakënaqësi publike, duke qenë se efektet e tij qytetarët i ndiejnë drejtpërdrejt çdo ditë kur dalin në treg.

Përballë këtij kurthi, ekziston dhe një mënyrë tjetër e reduktimit të borxheve me më pak kosto politike, pasi është pothuaj e padukshme dhe kalon pa u vënë re nga publiku: ky është reduktimi i ndjeshëm i normave të interesave. Kjo është ajo që po ndodh kohët e fundit edhe me politikën monetare të Bankës së Shqipërisë. Prej dy vitesh, Banka e Shqipërisë është investuar në një kurs të paprecedentë të politikës monetare. Përmes 11 vendimeve të njëpasnjëshme, autoriteti i cili qeveris sistemin financiar të vendit e ka ulur normën bazë të interesit nga 6 për qind që ishte në 2010-n në 2 për qind aktualisht. Në të njëmbëdhjeta rastet, argumenti ka qenë i njëjtë; masa ndërmerret për të nxitur ekonominë. Ky është objektivi i deklaruar. Por siç e tregojnë numrat, i dështuar me kohë. Ekonomia po vuan dhe lehtësimi monetar nuk e ka zbutur krizën, ose në rastin më të mirë ka pasur efekte të papërfillshme.

Dështimi i politikës monetare për të rigjallëruar kërkesën e brendshme është i lidhur me një sërë shkaqesh, nga shkalla e lartë e euroizimit të ekonomisë deri te tregu i pazhvilluar i financave, të cilat frenojnë transmetimin e stimulit në ekonominë reale. Në vend të kësaj, ajo që banka po bën me uljen ekstreme të normës, është një represion i pastër financiar me rreziqe të shumëfishta për ekonominë. Përmes uljes agresive të normës në këto nivele, efektivisht Banka e Shqipërisë ka krijuar një taksë të fshehtë, e cila konfiskon pasurinë e qytetarëve që kursejnë për llogari të qeverisë dhe bankave private. Në dallim nga inflacioni i lartë kjo është një taksë, të cilën publiku shpesh nuk e kupton. Por mekanizmi është i thjeshtë. Edhe pse në dukje norma bazë është më e lartë se inflacioni, në tregun e kursimeve interesat realë prej gati një viti kanë hyrë në territor negativ.

Aktualisht, në bankat private interesat e depozitave kanë rënë deri në 0.5 për qind në vit, edhe për kursimet afatgjata 5-vjeçare. Mjafton një inflacion vjetor vetëm 2 për qind, dhe ata që kursejnë lekë me këto interesa, jo vetëm që nuk përfitojnë asnjë të ardhur, por humbasin, pasi vlera e kursimeve të tyre bie. Për ta thënë shkurt, ata që sot hapin një depozitë 5-vjeçare, me këto interesa dhe inflacionin e pritshëm, në fund do të marrin mbrapsht 10 për qind më pak nga sa kanë kursyer.

Norma bazë e interesit tashmë është një instrument i ezauruar për të mbështetur ekonominë. Banka e Shqipërisë e di këtë. Të gjitha studimet e saj tregojnë se kur norma bie nën nivelin 2.5 për qind, politika monetare nuk ka më fuqi ta ndikojë rritjen ekonomike. Ne e kemi kaluar këtë kufi. Ndaj përdorimi agresiv i “armës” monetare, tashmë ka vetëm një pasojë: lehtësimin e qeverisë në kurriz të atyre që kursejnë. Në ekonomi, ky njihet si represioni financiar, situata ku banka manipulon tregun për të transferuar pasurinë nga individët kursimtarë te qeveria dhe sistemi financiar.

Prej dy vitesh, banka po përpiqet dëshpërimisht të krijojë rritje artificiale të çmimeve për të inflacionuar borxhin e qeverisë. Kjo është një politikë që duket se do të vazhdojë. Por teksa norma bazë ulet vazhdimisht nga një minimum historik në tjetrin, rreziqet për ekonominë rriten. Normat e ulëta të interesit inkurajojnë investimet joproduktive, mbajnë në këmbë biznese të falimentuara, duke çuar në keqshpërndarjen e burimeve në ekonomi. Por mbi të gjitha, njerëzit reagojnë ndaj represionit duke ndryshuar sjelljen. Dhe kjo po ndodh prej disa muajsh. Të dhënat e vetë Bankës Qendrore konfirmojnë se paraja jashtë bankave pas disa vitesh të vazhdueshme rënie është rikthyer në trend rritës dhe gjendet në nivelet më të larta historike, ndërsa një pjesë e madhe e kursimeve janë duke u zhvendosur nga depozita të siguruara me ligj në investime të tjera me risk më të lartë. Kohë më parë, Milton Friedman i Shkollës së Çikagos tha se në ekonomi nuk ka gjë falas. Veç përfitimeve, politikat kanë edhe kosto. Dhe shpesh vija ndarëse e të dyjave është shumë e hollë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button