Koha për t’u marrë seriozisht me arsimin parauniversitar
Nga Adri Nurellari
Për shumë muaj me radhë, debati publik mbi arsimin është përqendruar kryekëput te hartimi dhe miratimi i reformës universitare nga qeveria e majtë, ndërkohë që arsimi parashkollor, fillor dhe i mesëm vazhdon të ngelet tërësisht në hije sikurse ka ndodhur gjatë gjithë tranzicionit tonë postkomunist.
Kjo qeveri edhe përse e majtë ka vendosur që sektorin publik ta shkundë duke e vendosur nën presionin e mekanizmave të konkurrencës, si dhe që subvencionimin ta çojë direkt te përdoruesi pa e vrarë mendjen se kush e ofron shërbimin. Nëse është mirë apo keq kjo qasje varet nga botëkuptimet ideologjike apo nga përvojat e huaja që parapëlqen njëri apo tjetri, mirëpo ajo që është e rëndësishme të thuhet është se status quo-ja linte jashtëzakonisht për të dëshiruar.
Kjo qeveri duke e hartuar dhe miratuar këtë reformë ka vënë një bast dhe ka për të vjelë frutat apo kostot elektorale të efektit të kësaj reforme në zgjedhjet e ardhshme prandaj në këtë fazë mbetet të shihet nëse do zbatohet me rigorozitet kjo reformë apo jo. Në Shqipëri është e vështirë të thuhet me bindje të plotë nëse një reformë ka qenë e suksesshme apo dështim, pasi ato rrallëherë janë zbatuar me rreptësi. Madje, shkelja e ligjit apo zbatimi selektiv i tij duke përdorur standarde të dyfishta kanë qenë gjëra më se normale në realitetin shqiptar. Gjithsesi, përtej debateve dhe pakënaqësive apo triumfalizmit që lidhet me kalimin në Parlament të kësaj reforme, prapëseprapë arsimi shqiptar e ka plagën më të madhe të saj hapur, atë të arsimit parauniversitar. Mund të thuhet me gojën plot që detyra kryesore e shtetit është ta vendosë përparësinë te nxënësit e arsimit parauniversitar, ndërkohë që për ata të nivelit universitar përgjegjësia është më e vogël.
Nga aspekti moral, nëse marrim në konsideratë rolin e shtetit ndaj individit, dihet që përgjegjësia kryesore ligjore qëndron në lidhje me të miturit pra përgjegjësi ndaj atyre që janë nën 18 vjeç dhe nuk e kanë arritur ende moshën e pjekurisë për të qenë plotësisht përgjegjës para ligjit për veprimet e tyre personale, si dhe për të gëzuar të drejtën për të votuar. Kjo do të thotë që për moshën e mitur shteti luan një rol prindëror dhe duhet të angazhohet në mënyrë shumë aktive në përkujdesjen për ta përfshirë këtu shkollimin, ndërkohë që të rriturve u takon t’i dalin zot vetes.
Një tjetër element që e rrit edhe më shumë përgjegjësinë e shtetit për të garantuar maksimumin e cilësisë në arsimin parauniversitar është edhe oferta e kufizuar që ka një individ për këtë nivel shkollimi. Mundësia e mobilitetit të nxënësve të arsimit të mesëm dhe fillor është shumë e limituar, pasi pak familje kanë mundësi dhe gatishmëri që ta çojnë fëmijën larg vetes për arsimin parauniversitar. Kjo është veçanërisht e vërtetë për zonat periferike ku mungon oferta alternative private për këto nivele shkollimi. Ndërsa për arsimin e lartë, ne jetojnë në një botë gjithnjë e më globale dhe oferta është e pallogaritshme për sa i përket larmisë duke pasur parasysh mundësitë e mëdha për të studiuar jashtë vendit. Një pjesë e mirë e vendeve të Europës Perëndimore ende e kanë arsimin e lartë falas për të huajt kështu që edhe për sa i përket kostos, mund të konsiderohet që ajo është deri diku e përballueshme nga një pjesë e mirë e familjeve shqiptare.
Nga aspekti praktik i efikasitetit, është e kotë që të përqendrohen energji e vëmendje të mëdha në arsimin e lartë nëse produkti arsimor që vjen prej nivelet më të hershme të arsimit janë shumë të dobët. Nëse shpresa për të rritur konkurrueshmërinë e burimeve tona njerëzore lihet vetëm tek universitetet, atëherë loja arsimore është e humbur që në start. Domethënë kur studenti ka ardhur i paaftë dhe i paditur në moshën universitare, atëherë është pothuaj e pamundur që të bëhet diçka cilësore me të. Madje, studime të shumta sot po tregojnë që një rol vendimtar për formimin e një individi në fakt e ka arsimi parashkollor në moshat më të hershme. Gjithashtu, duke e parë me syrin pragmatik është arsimi fillor dhe i mesëm ai që formon nga ana kulturore dhe sociale individin dhe shteti ka interes të drejtpërdrejtë që përpara se të arrijnë moshën e pjekurisë politike individët të kenë fituar njohuri e shprehitë e duhura qytetare të denja për jetën demokratike të vendit.
Përqendrimi kaq i lartë i vëmendjes së opinionit publik në arsimin e lartë lidhet mes të tjerash me faktin që studentët janë edhe votues dhe tradicionalisht kanë pasur një ndikim në jetën politike shqiptare. Një tjetër arsye e rëndësishme e këtij përqendrimi është fakti se lulëzimi i sektorit privat të arsimit të lartë ka bërë që në këtë sektor të qarkullojnë shumë më tepër para dhe interesa të shumë aktorëve me ndikim. Duhet thënë gjithashtu që profesorati universitar shqiptar ka ndikim të jashtëzakonshëm në media dhe në përgjithësi në debatin publik prandaj edhe ky debat graviton në mënyrë të pamerituar kryesisht te sektori i arsimit të lartë duke eklipsuar atë parauniversitar.
Jo më kot studimi që vlerësohet e përdoret më shumë në botën e zhvilluar sot për të krahasuar cilësinë e arsimit është testi i Programit Ndërkombëtar i Vlerësimit të Studentëve (PISA) i organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik OECD për 15-vjeçarët e dhjetëra shteteve. Ky studim shërben si një radiografi e mirëfilltë për sistemin shkollor e pasi nxirren të dhënat e tij mediat kryesore të vendeve të përfshira ndezin për ditë me radhë diskutime mbi të ardhmen e burimeve njerëzore në ato vende.
Në Shqipëri është zhvilluar dy herë tashmë, por ka kaluar pa shumë bujë paçka se rezultatet ishin aq të këqija sa meritohej të binin kambanat e alarmit. Konkretisht, testi zhvillohet në tri fusha, matematikë, lexim dhe shkencë. Në matematikë, Shqipëria renditej në vendin e 57-të nga 65 vende ( e fundit mes vendeve europiane) që ishin përfshirë në test me një rezultat mesatar prej 394 pikësh, ndërkohë që mesatarja e të gjitha vendeve ishte 494. Situata dramatike ishte e njëjtë fushën e leximit po ashtu ku rezultati i Shqipërisë ishte 394, ndërkohë që mesatarja ishte 496, si dhe në fushën e shkencës ku rezultati shqiptar ishte 397 ndërkohë që mesatarja ndërkombëtare ishte 501. Së fundmi, fatmirësisht OECD ka përfshirë në testin e ardhshëm edhe Kosovën dhe kuptohet që kur të dalin gjasat janë të mëdha që rezultatet të jenë të ngjashme me Shqipërinë. Me këto rezultate shqiptarët e kanë të sigurt që kanë për të ngelur në fund të Europës, qoftë në ekonomi e qoftë në demokraci, prandaj është e domosdoshme që në vitet e ardhshme vëmendja dhe energjitë kryesore të transferohen prej arsimit të lartë tek ai parauniversitar.