Koka e Ali Pashës dhe ajo e Sen Denisë
ILIR YZEIRI
Në një video të përgatitur nga “Universciencetv” dhe publikuar në Le Monde, filozofi i njohur francez i ditëve tona, Michel Serres e rilexon legjendën e Shenjtit Deni në një mënyrë tjetër. Sipas legjendës, aty nga shekulli II pas Krishtit, shenjti në fjalë bënte pjesë në një sekt të vogël kristianësh, të cilët të përndjekur nga policia e atëhershme, mblidheshin në vende sekrete. Por një ditë zbulohen dhe kur policët hyjnë brenda i gjejnë në çastin që ata po zgjidhnin ipeshkvin Denis. Policia e mbërthen atë dhe xhelati menjëherë i pret kokën. Po Shenjti ulet në tokë, e merr kokën dhe ecën ashtu deri në kodrën Monmartre dhe e vendos aty kokën e tij. Kjo është legjenda. Këtë legjendë mund ta shohim edhe në një anë tjetër, në atë të mrekullueshmen thotë filozofi Serres. Koka e prerë në duar është ordinatori i sotëm. A nuk ngjet ai me të? Aty ndodhet kujtesa jonë dhe gjithçka që ka të bëjë me kujtesën individuale dhe kolektive. Aty ndodhen imazhet. Ne mund të shohim dhe filma. Aty ndodhet dhe arsyeja. Me anë të logjicielëve të ndryshëm, ne mund të zgjidhim edhe ekuacione. Ja pra thotë filozofi francez, sa herë që ne ndezim ordinatorin në mëngjes, ne ndezim si të thuash kokën tonë dhe kemi përpara atë, ne duket sikur e kemi shkëputur nga trupi dhe e kemi vendosur para nesh. Kjo është një nga mrekullitë e njeriut. Gjenia e tij ka bërë që ai të objektivizojë vetveten, që ai të nxjerrë trupin e tij jashtë dhe të realizojë gjithë performancat e trupit të tij në objekte. Kjo është teknika. Natyrisht kjo paralele ose kjo metaforë që ka gjetur filozofi Michel Serres për të rilexuar legjendën e kokës së prerë të Sen Denisë i shkon kulturës franceze dhe asaj perëndimore në përgjithësi që përpiqet të kontekstualizojë legjendën në mjedisin modern të teknologjisë. Ndërkaq, në memorien tonë historike, ndodhet edhe koka e prerë e Ali Tepelenës, pashait kontrovers që mahniti botën me dritëhijet e tij. Krahasimi ndoshta nuk shkon, sepse në rastin e Sen Denisë kemi të bëjmë me një legjendë, që do të thotë se askush nuk e di, nuk është e vërtetë që Shenjti ka udhëtuar me kokën e tij të prerë në duar. Dihet se ai është ekzekutuar, por nuk është e vërtetë se ai ka ecur me kokën e vet në duar deri në kodrën e Monmartrit në Paris. Ndërsa, historia e Ali Tepelenës dhe koka e tij e prerë nuk ka kurrfarë simbolike. Ajo është një formë ekzekutimi që përdoret dhe sot sidomos në ekzekutimet makabre të shtetit islamik. Në Stambollin Otoman kishte një vend të posaçëm ku ekspozoheshin kokat e prera të atyre që kishin kundërshtuar Dovletin. Ishte si të thuash një muzeum makabër që tregonte se Perandoria, në qoftë se do ta lexojmë këtë akt me simbolikën e filozofit francez, kërkonte që të shkëpuste nga trupi i atyre luftëtarëve atë që quhet njohje filozofike, kërkonte që të grumbullonte aty gjithë kujtesën, imazhet dhe arsyen. Në mënyrë paradoksale, edhe Aliut tonë duket se Perandoria Otomane i sekuestroi ordinatorin e fuqishëm që kishte vënë në lëvizje trupin e një njeriu, që përreth afërsisht gjysmë shekulli e kishte tmerruar Perandorinë dhe gjithçka përreth tij. Dhe Kadareja ynë i madh e ka paraqitur në mënyrë mjeshtërore këtë ngjarje në novelën “Kamarja e turpit”. Filozofi francez thotë më tej se njeriu në rrymë të shekujve nuk ka bërë tjetër veçse ka projektuar jashtë tij në objekte të ndryshme gjithë performancën e trupit njerëzor.
Mendoni sa objekte të teknikës janë vazhdim i syrit, apo vazhdim i shqisave të tjera të njeriut apo i gjymtyrëve të tij. Duke sfiduar kohën dhe hapësirën, njeriu ka arritur që të sjellë pranë tij në të njëjtën kohë edhe atë që mund të jetë në një hapësirë tjetër, madje edhe në ndonjë planet tjetër. Por edhe pse ai mund ta mbajë në duar kokën e tij, ashtu siç bëri Shenjti Denis në shekullin II, pra edhe pse ka ndërtuar jashtë tij një kokë tjetër, ordinatorin, ai përsëri e ka ruajtur brenda tij të pandryshueshëm thelbin e parë, atë të ngjizjes fillestare.
Filozofët vërejnë se teknologjia ose koka në duar, nëse do të shpreheshim me metaforën e filozofit francez, nuk ka arritur që ta shpëtojë botën nga kujtesa e vet, njeriu nuk ka arritur që ta vendosë gjithë kujtesën e vet në memorien e kompjuterit, por e ka ruajtur edhe brenda vetes në mënyrë që të kujtojë se është i ndryshëm nga tjetri. Gjithë këto luftëra e vrasje, gjithë ky keqkuptim makabër, veç të tjerash, e ka shkakun edhe te memoria historike e kombeve, te ndarja në “ne” dhe “ata”, te rikthimi në narcizizmin kolektiv dhe në qendërzimin fillestar. Nëse do të kishte ndodhur vërtet që ne të kishim zgjedhur ordinatorin, librat, bibliotekat apo logjicielë të tjerë për të depozituar kujtesën tonë, kjo do ta kishte bërë botën më të begatë, sepse me të shkuarën do të silleshim siç sillemi me objektet në muze. Për fat të keq, njeriu e paska të pamundur që të shkulë nga vetja memorien, që ai të mos mendojë me përmasat e saj, megjithëse miti i ordinatorit si koka jonë në duar është i shkëlqyer.