Kombëtarja humbet Rey Manajn për ndeshjen me Poloninë
Sulmuesi i Kombëtares Rey Manaj do t’i mungojë Silvinjos në ndeshjen e play-off-it përballë Polonisë.
Sulmuesi kuqezi i cili luan në radhët e Sivassporit pësoi një dëmtim muskulor në kofshën e majtë në ndeshjen e luajtur të shtunën përballë Umranijespor-it.
Në një postim të dielën në faqen zyrtare të Sivasspor-it thuhet se “Rey Manaj, lojtari ynë është dëmtuar në pjesën e pasme të kofshës së majtë në ndeshjen që luajtëm dje. Si rezultat i ekzaminimit me rezonancë të kryer sot, është konstatuar një çarje e tendinit brenda muskulit, të gradës 3C dhe gjakderdhje në pjesën e pasme të kofshës së majtë”.
Shqipëria humb kështu golashënuesin kryesor para sfidës me Poloninë. Manaj u kthye në merkaton e dimrit tek ekipi turk. Trajneri i Sivasspor-it vendosi ta aktivizonte të shtunën, edhe pse Manaj kishte shfaqur probleme në stërvitje. Ky vendim rezultoi i gabuar për klubin turk, që rëndon edhe mbi Kombëtaren në pragsfidën vendimtare të 26 marsit në Poloni.
Manaj rezulton golashënuesi më i mirë për momentin i Kombëtares dhe sulmuesi më në formë i kuqezinjve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.