Kombëtarja vijon përgatitjet në Valencia, Ismajli: Synojmë fitoren ndaj Ukrainës
Kombëtarja shqiptare e futbollit po vijon përgatitjet në qendrën sportive në Valencia, në prag të ndeshjes miqësore ndaj Ukrainës, e programuar për 31 mars.
Në një prononcim për FSHF TV, mbrojtësi Ardian Ismajli u ndal te paraqitja e skuadrës në sfidën ndaj Polonis, duke theksuar se kuqezinjtë meritonin më shumë nga ajo përballje e fazës “play-off” të Botërorit.
Sipas tij, Kombëtarja krijoi raste të shumta për shënim, por fati nuk ishte në anën e skuadrës shqiptare. “Kemi merituar më shumë dhe jemi të dëshpëruar për mënyrën si shkoi ndeshja, pasi kishim mundësi reale për të siguruar kualifikimin. Megjithatë, këto sfida na shërbejnë për t’u rritur si ekip dhe për të parë përpara”, u shpreh Ismajli.
Duke iu referuar ndeshjes së radhës, ai theksoi rëndësinë e përballjes miqësore ndaj Ukraina, duke nënvizuar se skuadra synon të reagojë me një rezultat pozitiv. “Çdo ndeshje e Kombëtares ka rëndësinë e saj. Edhe pse është një miqësore, ne do të japim maksimumin për të marrë një rezultat të mirë”, tha ai.
Më tej, Ismajli u ndal edhe te objektivat afatmesëm të skuadrës, duke veçuar edicionin e ri të UEFA Nations League, që nis në shtator. Ai u shpreh se Shqipëria synon të fitojë grupin, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm për rrugëtimin e mëtejshëm në kompeticionet ndërkombëtare.
Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e tifozëve shqiptarë, duke i cilësuar ata si “lojtari i 12-të” i skuadrës. Ai veçoi praninë e mijëra tifozëve në stadium në sfidën ndaj Polonisë, si dhe mbështetjen e gjerë përmes ekranit.
“Tifozët i falënderojmë nga zemra, janë gjithmonë numri ynë i dymbëdhjetë. Shpresojmë që në të ardhmen t’ua shpërblejmë me suksese të tjera, ashtu si në Euro 2024”, u shpreh Ismajli.
Ndërkohë, mesfushori Anis Mehmeti theksoi se skuadra mbetet e zhgënjyer për rezultatin ndaj Polonisë, pavarësisht paraqitjes së mirë dhe rasteve të krijuara për gol.
“Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë dhe kemi krijuar disa raste të pastra. Jemi të mërzitur për rezultatin, por po punojmë fort për të reaguar”, tha Mehmeti.
Duke iu referuar përballjes së radhës ai tha se “Çdo ndeshje e Kombëtares është shumë e rëndësishme. Do të japim maksimumin për të treguar vlerat tona dhe për të marrë një rezultat pozitiv. Për mua, grumbullimi në Kombëtare është një krenari e madhe”.
Kuqezinjtë do të përballen me Ukrainën më 31 mars, në një test të rëndësishëm për vijimësinë e skuadrës dhe përgatitjet për sfidat e ardhshme. /e.xh/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.