Komedia “Art” premierë në teatër, humor, ironi dhe reflektim mbi miqësinë dhe ndikimin e artit
“Art” një komedi premierë, që vjen këtë qershor në skenën tonë teatrore. Një vepër plot humor, ironi dhe reflektim mbi miqësinë, identitetin dhe mënyrën se si arti ndikon në perceptimet tona. Komedia vepër e shkruar nga Yasmina Reza, shënon këtë mbrëmje premierën në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë me regji nga Helidon Fino. Një pikturë moderne bëhet shkak për zbulimin e tensioneve, pasigurive dhe kontradiktave të fshehura mes tre shoqeve, të interpretuara nga aktoret e njohura Luli Bitri, Elia Zaharia dhe Ilirda Bejleri. Komedia që sjell në skenën teatrore një reflektim mbi marrëdhëniet njerëzore dhe rolin e artit ngjitet në skenë në mbrëmjet e datave 6, 7, 8 dhe 10 qershor.
Komedia “Art” jo vetëm që vjen si një premierë e re në skenën teatrore shqiptare, por kontribuon gjithashtu edhe në gjallërimin e jetës artistike dhe kulturore në Tiranë, duke ofruar një përvojë që ndërthur argëtimin me reflektimin mbi natyrën e artit dhe marrëdhënieve njerëzore. Yasmina Reza është një dramaturge, aktore, romanciere dhe skenariste franceze e njohur. Veprat e saj janë vënë në skena të ndryshme teatrore në botë, ku këtë qershor në skenën tonë është komedia premierë “Art” që e sjell në skenë regjisori Helidon Fino. Skenografia në vepër nga Beqo Nanaj, kostumografia Sofi Kara dhe drejtues projekti Roland Plaku. Komedia që shënoi premierën në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental në Tiarë është një projekt teatror, që realizohet me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.
Aktiviteti artistik me teatrin
Me regji nga Helidon Fino një premierë e re teatrore në jetën artistike në Tiranë, që në role sjell tre aktore të teatrit. Projekti teatror, që e sjell Helidon Finon si regjisor në teatër është në vijim të aktiviteti të tij artistik. Përvoja e gjatë në teatër dhe puna me autorë e regjisorë të ndryshëm e kanë bërë atë një nga emrat e njohur të skenës shqiptare, ndërsa angazhimi i tij në regji sjell një tjetër dimension të krijimtarisë së tij artistike. Një aktor i vlerësuar për aktivitetin e tij me teatrin, Helidon Fino ka qenë me role në vepra të ndryshme në teatër, por dhe në filma, ku përmendim “Lindje, perëndim, lindje” (2009), “I dashur armik” (2004) etj. Helidon Fino është diplomuar për aktrim në Akademia e Arteve në Tiranë. Është aktor i Teatrit Kombëtar. Ndër veprat që ka qenë me role në teatër përmendim “Berberi i Seviljes”, “Edipi mbret”, “Tri motrat”, si dhe një sërë veprash të tjera në skenë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.