Komente në kafene, televizione, portale e rrjete sociale, por vetëm 0.3% në protesta!
Nga Eduard Zaloshnja
Specialisti kompjuterik i sondazheve të mia më ka ndihmuar këto ditë me disa analiza të kryera përmes modeleve të inteligjencës artificiale, të cilat do të deshin muaj të tërë për t’u kryer manualisht.
Së pari, me ndihmën e modelit të inteligjencës artificiale Gemini, ai ka analizuar të gjitha videot dhe fotot e protestave në Shqipëri nga 1 qershori deri më sot.
Dhe nga analiza rezultoi se në to kanë marrë pjesë mesatarisht rreth 2150 shqiptarë në ditë; pjesëmarrja më e lartë ishte më 20 qershor (rreth 25000) dhe më e ulta ishte më 31 gusht (rreth 180). Me përafërsi, në protestat nga 1 qershori deri më sot, ka marrë pjesë gjithsej rreth 0.3% e popullsisë së Shqipërisë.
Së dyti, me ndihmën e modelit të inteligjencës artificiale ChatGPT, ai ka analizuar të gjitha komentet rreth protestave në televizione, portale dhe rrjete sociale. Dhe nga anliza rezultoi se rreth 78% e komenteve kanë qenë pro protestave.
Së treti, me ndihmën e modelit të inteligjencës artificiale Claude, ai ka anlizuar të gjitha sondazhet që kemi realizuar nga 1 qershori deri më sot. Dhe nga analiza rezultoi se pothuaj gjysma e shqiptarëve nuk duan që ta qeverisin vendin as Rama e as Berisha. Ndërsa politikanët e tjerë rezultojnë thjesht flluska statistikore…
Kurse për bisedat që bëhen nëpër kafenetë e vendit, nuk ka model të inteligjencës artificiale që mund të ndihmojë. Bazuar në vrojtimet e mia të kufizuara personale, mund të them se komentet kafenetore përputhen pak a shumë me ato të televizioneve, portaleve dhe rrjeteve sociale.
Duke përmbledhur, mund të thuhet se shqiptarët flasin shumë, por vetëm 0.3% e tyre protestojnë…



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.