Komisariati Dixhital mbush 1 vit, Tahiri: 100 denoncime në ditë
Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri tha se Policia e Shtetit është gjithnjë e më afër qytetarit dhe Komisariati Dixhital është një nga instrumentat që na e ka mundësuar këtë.
Këtë, kreu i Ministrisë së Brendshme e tha gjatë aktiviteti për 1-vjetorin e krijimit të Komisariatit Dixhital.
“Ne krijuam këtë instrument për t’i dhënë mundësi qytetarëve të denoncojnë në çdo moment shkeljen e ligjit, duke bërë diferencën mes atyre që janë në krah të ligjit dhe që kanë policinë në mbështetje dhe atyre që shkelin ligjin, të cilët pavarësisht se kë njohin, nga vijën e kë kanë taraf duhet të përballen me ligjin”, tha Tahiri.
Ai shtoi se përmes këtij aplikacioni janë regjistruar 70 000 denoncime, pra 70 000 përdorues, teksa shtoi se numërohen rreth 100 kilikime në ditë. “Risia e këtij apliakcioni është fakti se denoncuesi informohet për fatin e denoncimit të bërë”, vijoi Tahiri.
Ministri Brendshëm më pas foli dhe për rëndësinë e reformës në Drejtësi.
“Sot ka ardhur dita kur jemi të gjithë bashkë në një test historik për tu ndarë nga e shkuara, për të parë të ardhmen. Nëse duam të ecim përpara për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë apo do mbetemi peng i të kaluarës. Sot jemi në një provim madhor për të ardhmen tonë. Nëse duam mjedisin ku fëmijët do ndërtojnë jetën e tyre, ku kush është më i zoti të ecë përpara sipas meritave dhe jo tarafëve. Sot duhet të ndajmë se nëse në sistemin e drejtësisë do të kemi prokuror e gjyqtarë që vendosin për qytetarin e jo më për të fortin. Sot duhet të ndajmë nëse do jemi të ndeshëm për ti shërbyer qytetarëve, e jo të korruptuar që janë në gjykata e prokurori, dhe që janë në varësi të atyre që dje ishin në qeveri”,tha Tahiri ….
Më tej ai akuzoi gjyqtarin që pezulloi Kryepolicin Çako, si një person që ka liruar të përdhunuar dhe dënon një të pafajshëm.
“Dje publiku u bë me dije për një vendim gjykate për pezullimin e Drejtorit të policisë së Shtetit. Kush është gjyqtari që vendosi fatin e një drejtori të ndershëm dhe të përkushtuar. Ai është një gjyqtar i shkarkuar për korrupsion dhe mos kryerje të detyrës. Ka liruar nga burgu njerëz për vepra të ndryshme penale, marrëdhënie seksuale dhe përdhunim, vjedhje me armë. Ai ka liruar nga burgu, 7 raste të tilla. Po i njëjti gjyqtar, i dënuar tani kthehet në detyrë. Si mund të kthehet në detyrë një gjyqtarë që liron një vrasës nga burgu. Si mund të kthehet në detyrë se një gjyqtarë ka shkelur ligjin me pasojat më të rënda dhe ky gjyqtarë ka kurajon të shkel ligjin duke dhënë një vendim politik. Ky gjyqtar është fytyra e vërtet e atyre që sot nuk e duan reformën në drejtësi. Ky alien është fytyra e vërtet e gjyqtarëve të korruptuar në sistemin e drejtësisë, që ne nuk pranojmë e nuk duam. Ky gjyqtarë është arsyeja pse nuk duan reformën në drejtësi ata që dje ishin në pushtet. Për ata që deri dje ishin në qeveri, por që sot e quajnë veten në opozitë dhe që mbajnë peng drejtësinë dhe sot nuk duan këtë reformë për të mbajtur peng Shqipërinë dhe drejtësinë….”, vijoi Ministri Brendshëm.