Komision i Ekonomisë kalon Sejkon për në seancë plenare
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dekretin e Presidentit për propozimin e Genti Sejkos, Guvernator të Bankës së Shqipërisë.
Kandidati për Guvernator i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, prezantoi të premten në Komision platformën e tij për të qënë në krye të këtij institucioni.
Në fillim të fjalës së tij para deputetëve, z. Sejko vuri theksin te transparenca dhe përgjegjshmëria.
“Objektiv kryesor do të jetë zbatimi i standardeve më të larta të transparencës dhe përgjegjshmërisë”, deklaroi ai. Kandidati për BSh, po ashtu si objektiv ka renditur edhe mbrotjen e interesave të konsumatorit si dhe rikthimin e besimit.
Lidhur me menaxhimin dhe administrimin e Bankës së Shqipërisë, Sejko theksoi se ajo që ndodhi me vjedhjen e thesarit, tregoi se nuk ka çështje të vogla në menaxhim. Për këtë, ai premtoi forcim të sistemeve të kontrollit të brendshëm.
Politikat monetare, vlerësoi Sejko, kanë një rol shumë të rëndësishëm në arritjen e objektivave makroekonomike dhe në nxitjen e ekonomisë, për të ngushtuar hendekun midis nivelit aktual të prodhimit dhe atij potencial. Por evidenton Sejko, mbështetja vetëm tek ato nuk është e efektshme, ndaj duhet një qasje edhe më e gjerë dhe është e nevojshme. “Për këtë duhet një kombinim i duhur jo vetëm i politikave monetare dhe fiskale, por edhe reforma strukturore, që korrigjojnë ngërçe dhe pengesat që ka ekonomia për të arritur potencialin e saj”, thotë Sejko. Roli i Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim, shprehet ai, është që në koordinim, në kooperim me bankat e nivelit të dytë, si institucion rregullator dhe mbikëqyrës i tyre është të gjejë formën dhe mënyrën e përshtatshme që bankat të jenë sa më aktive në kredidhënie, për të nxitur kreditimin në ekonomi.
Sejko tha se kreditë me probleme duhen parë me vëmendje në mënyrë që, ato që janë shumë të vonuara të fshihen nga bilanci. Z. Sejko pranoi se gjatë vitit 2014 është rritur fitimi i bankave të nivelit të dytë. Në këtë drejtim, ai tha se duhet parë nëse fitimi i tyre ka qënë i shëndetshëm apo në kurriz të konsumatorëve.
[/highlight]