Ekonomia

Komisioni i Ekonomisë i hap rrugën nisjes së negociatave për ndërtimin e aeroportit të Vlorës

Marrja e autorizimit nga Parlamenti për të negociuar lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive turke “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, për ndërtimin e një aeroporti të ri të Vlorës u diskutua mes debatesh në komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri në fjalën e tij u shpreh se propozimi i konsorciumit për ndërtimin e aeroportit në qytetin e Vlorës ka shumë interes duke parë edhe zhvillimin e madh që po merr turizmi në vendin tonë.

“Shqipëria është duke provuar një rritje të veçantë në turizmin ndërkombëtar dhe qendra e gravitetit ndërkombëtar të tërheqjes së turizmit ka drejtimin e pjesës jugore të vendit. Ndërtimi i aeroportit në Vlorë i shërben të gjithë pjesës së jugut”, deklaroi ai.

Ndërsa ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj siguroi se tarifat që do të ofrohen për pasagjerët në këtë aeroport do të jenë më të ulëta se sa ato që ofrohen sot për sot në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.

Ministri siguroi për këtë, nisur edhe nga të dhënat e studimit të fizibilitetit të bërë nga kompania amerikane AECOM, më e madhja në botë për këtë çështje.

Investimi prej 100 milionë eurosh pritet të ketë një impakt të lartë ekonomikë, ndër të cilat edhe punësimi i një mijë qytetarëve. “Për sa u takon të ardhurave në buxhet, projektligji parashikohet të ketë një ndikim pozitiv, për sa kohë do të mundësojë zgjerimin e kapaciteteve transportuese dhe do të mundësojë ndërmjet të tjerave dhe potencialisht rritjen e numrit të turistëve në vend, përfshirë sektorin e ndërtimit, të shërbimeve dhe të aktiviteteve të tjera të bizneseve që do të jenë në zonë.”, bëri të ditur Ahmetaj.

Ndërsa lidhur me garancitë që do ti ofrohen konsorciumit nga qeveria shqiptare ministri Ahmetaj tha se ato do të jenë minimale. “Në këndvështrimin tonë ne do të ecim me logjikën e riskut minimal. Përveç riskut të kërkesës të gjitha risqet do t’i marrë privati”, siguroi ministri i Financave dhe Ekonomisë.

Ai risk, sipas tij, në bazë të logjikës ekonomike ndoshta nuk materializohet kurrë. “Nëse logjika është që minimumi të jetë mbulimi i kostove të një fluksi poshtë 600 mijë pasagjerëve, kosto buxhetore në rast të mos arritjes së kësaj shifre do të jetë rreth 2.5 milionë dollarë. Dhe një kosto e tillë për një aset konektiviteti besojmë që ja vlen”, deklaroi kreu i financave publike.

Ministri Ahmetaj po ashtu, bëri të ditur se kushtet dhe termat e kësaj kontrate do të negociohen, ndërmjet komisionit të negocimit të kontratës që do të shqyrtojë në detaje ofertën me aspektet teknike dhe do të ndjekë hapat e mëtejshëm në përputhje me përcaktimet ligjore.

Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kërkoi nga ana e qeverisë studimin e fizibilitetit për të parë se përse u përzgjodh ndërtimi i një aeroporti ndërkombëtar në Vlorë.  Po ashtu kërkoi garë të hapur. “Ne nuk jemi kundër, por shqetësimi jonë lidhet me procedurën. Nëse projekti është i rëndësishëm dhe ju jeni transparent, ne kërkojmë t’i referoheni ligjit të PPP-ve ose të koncesionit. Ju po zgjasni edhe koncesionin e aeroporti të Rinasit”, deklaroi Tabaku.

Ndërsa, deputeti Dashamir Shehu kërkoi një garë të hapur për ndërtimin e aeroportit, në mënyrë që sipas tij, të tërheqim kompani perëndimore që në besimin e tij, janë edhe më të suksesshme e më të qëndrueshme në investimet e tyre.

Ish ministri i Transporteve, deputeti i LSI-së, Edmond Haxhinasto shprehu qëndrimin pozitiv për nismën. “Besoj se Shqipëria ka nevojë për aeroporte të tjera dhe është produkt e një procesi të nisur prej kohësh nga ana e qeverisë shqiptare”, deklaroi ai. Formula dhe procedura janë thelbësore dhe këtu duhet të fokusohemi në diskutimin tonë, theksoi Haxhinasto.
“Janë disa gjëra që më shqetësojnë që kjo ofertë të jetë në interesin publik. Nuk i referoheni studimit të fizibilitetit “, deklaroi Haxhinasto.

Pavarësisht debateve, Komisioni i Ekonomisë e miratoi këtë p/ligj. Partia Demokratike votoi kundër me përjashtim të deputetit të Vlorës, Agron Shehu.  Ndërsa deputetët e LSI-së, nuk morën pjesë në votim. Tashmë do të jetë Kuvendi që do të miratojë p/ligjin në seancën e së enjtes, duke i hapur rrugë nisjes së negociatave.

Në 10 vitet e shkuara, kapaciteti i aviacionit civil në Shqipëri, nëpërmjet aeroportit të vetëm ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ka parë një rritje të vazhdueshme të numrit të pasagjerëve, me një rritje mesatare vjetore prej 10 % deri në 2017.

Në tri vitet e shkuara u pa një rikuperim në shifra, duke pasur një rritje mesatare vjetore prej afro 15 %, trend i cili parashikohet të vazhdojë edhe për 4-vjeçarin e ardhshëm, me futjen tashmë të Shqipërisë në hartën e destinacioneve turistike evropiane.

Për jetësimin e mundësive të ofruara nga potenciali në rritje, turizmi dhe shërbimet ajrore me kosto të ulët, ishte i nevojshëm zhvillimi i aeroporteve të reja në vend. Për të arritur këtë qëllim, nga ana e qeverisë u negociua me sukses heqja e ekskluzivitetit mbi fluturimet ndërkombëtare të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, gjë e cila i hapi rrugën zhvillimit të infrastrukturave të reja aeroportuale në vend.

Shoqëritë “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction” kanë bërë një propozim konkret për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Këto shoqëri janë ndër shoqëritë që zotërojnë një eksperiencë të madhe në sektorin e ndërtimit. Ndërmjet të tjerave, ky bashkim shoqërish është pjesë e konsorciumit fitues për ndërtimin e aeroportit të tretë të Stambollit.

Me anë të këtij projektligji synohet që të miratohet një procedurë e veçantë, për negocimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aeroportit të qytetit të Vlorës.

“Cengiz Construction” është një nga shoqëritë më të mëdha në Turqi, me objekt ndërtimin dhe që menaxhon projektet më të mëdha infrastrukturore në Turqi. Kjo shoqëri ka përfunduar projekte me vlerë rreth 7 miliardë dollarë dhe me projekte në vijim me vlerë mbi 14 miliardë dollarë në të gjithë botën.

“Kolin Construction” është një nga shoqëritë më të mëdha turke dhe ka një vlerë të projekteve të ndërtuara në 5.8 miliardë dollarë dhe me projekte në vijim në vlerën e 13.5 miliardë dollarë.
Kalyon është një shoqëri e rëndësishme që ka, aktualisht, projekte ndërtimi në shumë vende si Rusi, Emiratet e Bashkuara, Katar etj.

Propozimi i tyre për ndërtimin e një aeroporti në qytetin e Vlorës ka shumë interes, pasi Vlora ka qenë gjithmonë një qytet kandidat kryesor për ndërtimin e një aeroporti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button