Ekonomia

Komiteti Ekonomik e Social Evropian – Nis edicioni i shtatë “Evropa Juaj, Fjala Juaj”

Komiteti Ekonomik e Social Evropian (EESC) nis edicionin e shtatë të veprimtarisë “Evropa Juaj, Fjala Juaj”,  që u drejtohet të rinjve të moshës 16-17 vjeç dhe që zhvillohet nga data 17 deri më 19 mars 2016 në Bruksel.

Komiteti Ekonomik e Social Evropian në një njoftim për mediat të martën pasdite, shprehet se “Evropa Juaj, Fjala Juaj” konsiston në një ftesë për nxënës të vitit të parafundit të shkollës së mesme (shkollat profesionale janë gjithashtu të mirëpritura) në 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), si dhe në 5 vende kandidate për anëtarësim në BE, për t’u mundësuar të zbulojnë BE-në dhe të kuptojnë rolin e EESC-së në të, si dhe është një mundësi e rrallë që ata të debatojnë në një seancë plenare”.

Këtë vit, fokusi është me temë “Emigrantët në Evropë” dhe studentëve do t’u kërkohet të punojnë së bashku për aspekte të ndryshme të këtij subjekti aktual si, diskutimi i masave të mundshme për integrimin më të mirë të emigrantëve, azilkërkuesve dhe refugjatëve në vendet pritëse etj.

Po ashtu, EESC shpjegon se “Përtej punës për këto çështje sfiduese, studentët do të mund të diskutojnë dhe të shkëmbejnë mendime me nxënës të tjerë, duke zbuluar një gamë të tërë formimesh dhe kulturash të ndryshme. Për më tepër, ata do të përpiqen dhe do të ndikojnë mbi makinerinë vendim-marrëse evropiane, duke u kthyer në vendet e tyre me shumë material për të menduar, si dhe shpresojmë, me kujtime të bukura që mund të nxisin tek ata një ide për një Evropë më gjithëpërfshirëse për të gjithë”.

Afati është 13 janar 2016 dhe për më shumë hollësi për këtë veprimtari, formularin elektronik të regjistrimit, rregullat dhe gjithë organizimin praktik, mund të gjenden në faqen EESC.

Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) është një forum unik për konsultime, dialog dhe konsensus mes përfaqësuesve nga gjithë sektorët e ndryshëm të “shoqërisë civile të organizuar”, përfshirë punëdhënësit, sindikatat dhe grupet si, shoqatat profesionale dhe komunitare, organizatat rinore, grupet e grave, konsumatorët, mbështetësit e mjedisit dhe shumë të tjerë. Synimi i EESC është të ndihmojë për të garantuar që politikë-bërja dhe legjislacioni i BE-së të jetë më demokratik, më efektiv dhe të reflektojë vërtet nevojat e qytetarëve të BE-së.

Detyrat e tij kryesore janë të këshillojë Parlamentin Evropian, Këshillin dhe Komisionin Evropian, të sigurojë që mendimet e organizatave të shoqërisë civile dëgjohen në Bruksel, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin e tyre për ndikimin e legjislacionit të BE-së në jetët e qytetarëve të BE-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button