Konçesionari i karburanteve: Qeveria s’përmbushi kontratën
Kompania GFI që ka me konçesion markimin e karburanteve ka reaguar për herë të parë pas konfliktit me qeverinë shqiptare, i cili kulmoi me ndërprerjen e shërbimit dhe bllokimin njëditor të tregut.
Përmes një njoftimi zyrtar GFI deklaron se u detyrua ta ndërpresë punën më datë 10 dhjetor për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale nga ana e autoriteteve shqiptare, përkatësisht Ministrisë së Financave, si kontraktuese e konçesionit.
GFI thotë se në kushtet e marrëveshjes konçesionare parashikohet edhe markimi i naftës bruto, por qeveria shqiptare nuk e ka respektuar këtë detyrim.
Për rrjedhojë, kompania pretendon se që nga viti 2013 ka punuar vetëm me 30% të kapacitetit të planifikuar. Në njoftim, GFI pretendon se, me gjithë humbjet financiare gjatë këtyre dy viteve, ajo është krenare për kontributin që ka dhënë në luftën kundër evazionit fiskal.
Sipas GFI, vetëm si pasojë e punës së saj, buxheti i shtetit gjatë vitit të fundit i ka rritur të ardhurat me 60 milionë USD shtesë, në një kohë që shumë tregues të tjerë fiskalë kanë pësuar rënie.
Kompania thotë se i ka raportuar me prova Ministrisë së Financave disa qindra pika karburanti në vend që furnizonin qytetarët me karburante kontrabandë apo të përziera, duke shkaktuar kështu jo vetëm humbje fiskale, por edhe dëme për ambientin, mjetet motorike dhe shëndetin publik.
Nga ana tjetër, GFI pretendon se i ka vënë në duar të autoriteteve shqiptare një instrument të teknologjisë së lartë për të luftuar evazionin fiskal edhe në sektorin e naftës bruto, që vlerësohet të jetë ende në nivelin e 70 milionë dollarëve në vit.
Në fund të njoftimit, kompania koçnesionare thotë se, ndërprerja e punës nuk ishte aspak e beftë, pasi prej shumë muajsh ajo kishte vënë në dijeni dhe parlajmëruar Ministrinë e Financave se nuk po përmbushte detyrimet ligjore, pa marrë asnjë përgjigje. Sipas saj, vetëm pas ndërprerjes së punës kjo ministri ka pranuar të rifillojë negociatat.
GFI thotë se mbetet me shpresën se qeveria e Shqipërisë do të vazhdojë programin e luftës kundër evazionit dhe informalitetit dhe do të vërë në efiçencë sistemet dhe teknologjitë që i shërbejnë këtij qëllimi.
Lajmi se palët janë në bisedime për të gjetur një zgjidhje konfirmohet edhe nga burime të Ministrisë së Financave.