Koncesioni i skanimit nis me probleme, bizneset po e paguajnë dy herë taksën
Sot është dita e dytë që në dogana ka nisur koncesioni i skanimit dhe problemet e para janë shfaqur.
Bizneset kanë pohuar për Monitor se, po u kërkohet ta paguajnë tarifën dy herë. Njëherë paguhet cash në doganën hyrëse dhe pastaj del prape ne sistem për ta paguar se, bashku me deklaratën doganore.
Bizneset pohuan se, kjo po ndodh për shkak të mosrakordimit me praktikën e re të tarifës së skanimit ku të gjitha bizneset duhet të paguajnë 22 euro për importet mbi 1000 euro dhe 5 euro për çdo deklaratë doganore mbi këtë vlerë.
Një nga bizneset që i është nënshtruar kësaj praktike pohoi, se kjo është tregues i paaftësisë së administratës ose në rastin më të keq i korrupsionit në doganë, duke aluduar se, paratë e marra cash nuk janë shënuar në sistem dhe kështu duhet të paguash dy herë.
Praktika e pagesave cash në sportele e institucioneve shtetërore që më pas nuk hidhen në sistem janë të njohura. Miliona euro janë raportuar fatura të pashënuara në sistem nga Posta Shqiptare për pagesat e energjisë duke detyruar një pjesë të klientëve të OSHE që kishin paguar nga sportelet e Postës të paguanin dy herë.
Koncesioni i skanimit të kontejnerëve, nga “S2 Albania” një konsorcium amerikano–shqiptar (51% të aksioneve zotërohen nga amerikanët e “Rapiscan Systems” dhe 49% nga kompania shqiptare iCMS), ka nisur nga funksionimi dje.
Nga kjo tarifë, koncesioni i skanimit të kontejnerëve që nuk aplikohet në asnjë vend tjetër të rajonit i kushton biznesit shqiptar 12 milionë euro në vit, në ulje gjithsesi nga kosto e kontratës së mëparshme prej 20 milion euro, sipas deklarimeve të sipërmarrjes, që i kërkoi qeverisë vitin e kaluar rishikimin e kontratës.
Kjo vlerë në raport me të ardhurat që mbledhin doganat në një vit zë 1.6% të totalit, duke u shndërruar për disa biznese sidomos ato të sektorit fason ndër taksat me barrën më të lartë në aktivitetin e tyre. Grosistë të tregut të karburanteve kanë pohuar se për disa prej tyre, taksa për skanimin do të krijojë një kosto 2-3 mijë euro në ditë, e cila pritet që të përcillet në çmimet finale të produkteve.