Konferenca e ambasadorëve, Rama: Reforma e drejtësisë, rëndësi strategjike
Kryeministri i vendit, Edi Rama ka folur pasditen e kësaj të enjteje në konferencën e ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian në vendin tonë, nga ku ka vënë theksin për të disatën herë te nevoja e miratimit të reformës në drejtësi, një reformë që ai e ka cilësuar si strategjike për të ardhmen e vendit.
“Rruga që kemi bërë, pavarësisht arritjeve që mund të numërojmë dhe reformave që mund të listojmë, kushtëzohet nga miratimi i reformës në drejtësi. Një reformë me rëndësi të jashtëzakonshme për vendin e Shqipërisë në rajon dhe padyshim edhe për raportin e vendit tonë me Bashkimin Europian. Vështirë të gjendet në historinë e këtyre 25 viteve një angazhim i ngjashëm masiv dhe i gjithanshëm i komunitetit të miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë në kohë paqeje për Shqipërinë, sa angazhimi për reformën në drejtësi. Po ashtu ju jeni të parët që e keni vetëdijen e plotë nga kontakti i vazhdueshëm me të gjitha vendet partnere në këtë proces, për peshën e jashtëzakonshme që ka kjo reformë në raport me marrëdhëniet tona me BE-në, me imazhin, besueshmërinë e Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë strategjikë, dhe në raport me të nesërmen që mund të vijë me një energji të re, por edhe me një kosto të pallogaritshme, në varësi të fatit të kësaj reforme. Dua të nënvizoj përpara jush që jemi shumë të vendosur të bëjmë çdo përpjekje deri në minutën e fundit në përputhje me qëllimin dhe qëndrimin e partnerëve tanë strategjikë. Kjo është një reformë me përmasa të trefishta: së pari sai përket shoqërisë dhe vendit tonë, së dyti për pozicionin dhe këndvështrimin prej të cilit do të perceptohemi nga partnerët tanë strategjikë, por edhe në raport me vet rajonin. Këtu preken edhe interesa me rëndësi të posaçme të komunitetit ndërkombëtar dhe euroatlantik në rajon, pasi është qartësisht e nënvizuar nevoja për të përforcuar lidhjet e Shqipërisë me partnerët”, ka thënë ndër të tjera Rama.
Sa i përket politikës së jashtme të Shqipërisë, kryeministri tha se konturet dhe veprimtarinë tonë e kanë influencuar sfida të rëndësishme.
“Dua të theksoj se ruajtja dhe forcimi i rolit që ne kemi marrë në rajon, zhvillimi i marrëdhënieve tona në rajon qoftë me fqinjët tanë por edhe me partnerët dhe aleatët tanë në një rreze më të gjerë veprimi është i lidhur me seriozitetin dhe shkallën e saj që Shqipëria duhet të tregojë në rrugën e kësaj reforme. Dua të nënvizoj gjithashtu se nga një analizë e detajuar e MPJ-së del qartë se në 24 muajt e fundit ne kemi shënuar përparime konkrete në të gjitha drejtimet. Sot bëhet edhe më e qartë se çfarë potenciali të jashtëzakonshëm ka bashkëpunimi me Kosovën, pas atyre gjërave që janë bërë të mundura nga kalimi i bashkëpunimit në një nivel të ri. Mbledhjet e përvitshme kanë dhënë fryte konkrete dhe të mjaftueshme për të prodhuar një model të ndërtimit të marrëdhënieve mes shteteve të kësaj zone, në funksion të përmirësimit të kushteve për të zhvilluar më shumë tregtinë, ekonominë, kulturën etj. Nuk është e rastësishme që Shqipëria u bë promotore së bashku me Serbinë dhe vendet e tjera, për të shtyrë më tutje një proces të testuar në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës”, është shprehur më tej kryeministri Rama.
Sipas kryeministrit të vendit, përparimin e projektit tonë të integrimit europian “e kemi ndjekur me prioritet të posaçëm dhe vendosmëri të veçantë, dhe për ne nuk është një proces i lidhur me objektivin për t’u bërë pjesë e BE-së, por një proces i lidhur me domosdoshmërinë e modernizimit të vendit tonë, e forcimit të institucioneve tona dhe krijimit në këtë vend të një kuadri të ri ligjshmërie dhe funksionimi të shtetit të së drejtës. Afërsinë tonë në raport me objektivin tanimë në cilësinë e një vendi kandidat e masim në forma të larmishme, qoftë përmes shkëmbimeve të drejtpërdrejta në takimet formale e informale të shpeshta në të gjitha nivelet, po ashtu edhe nëpërmjet volumit të raportimeve periodike që bëhen prej atyre ndër ju që janë në vijën e parë të kësaj përpjekjeje në kryeqytetet e vendeve europiane”.
“Respekt për ju dhe punën që beni”, tha Rama në fund të fjalës se vet.