Opinion

Konflikti kroato-slloven, si precedent për delimitimin e ujërave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë

Prej disa ditësh në media është publikuar lajmi mbi vendimin e Gjykatës së Hagës për kufirin kroato-slloven që i jep të drejtë Sllovenisë për këtë çështje.

Kroacia nuk e ka pranuar këtë vendin duke u tërhequr nga Gjykata dhe duke krijuar një precedent shumë delikat brenda hapësirës së BE-së.

Sot Deutsche Welle, agjencia shtetërore gjermane, e sjell në vëmendje këtë temë duke cituar nënkryetarin e Parë të Komisionit Europian, holandezin Frans Timermans, i cili bën thirrje që të vendimi të pranohet.

Çështjet kufitare në Ballkan mbeten pra shumë të ndjeshme edhe në vende që BE-ja i ka gjykuar se kanë plotësuar standardet e saj të sjelljes politike. Sllovenia dhe Kroacia trajtohen si pjesa më e ngritur e Ballkanit duke lënë pas vende të tjera. Mirëpo në këtë rast duket se ka nxjerrë krye një zakon i vjetër, por edhe interesat.

Çështja që shtrohet këtu nuk është dhe aq tensioni mes Kroacisë dhe Sllovenisë, sesa fakti se në kundërshtimi i vendimit të Hagës vjen në kontekstin e një krize të BE-së, rënies së autoritetit të saj, duke goditur edhe më tej atë, sa kohë që bisedimet e anëtarësimit të Kroacisë në BE, u kurorëzuan me sukses vetëm pasi Sllovenia ra dakord që çështja të ndërmjetësohej nga një ekip i deleguar nga BE-ja.

Rasti në fjalë ka fuqinë e precedentit, edhe pse në Ballkan, BE-ja po drejton procese shumë më komplekse siç është dialogur Kosovë – Prishtinë.  Shqipëria vetë hyn në kategorinë e vendeve që shumë shpejt do të përballet me një problem të ngjashëm me atë të Kroacisë. Ne jemi një vend që kemi të hapur një çështje kufitare me Greqinë, atë për delimitimin e ujërave detarë dhe shelfit kontinental, marrëveshja e parë për të cilën, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese shqiptare. Që nga viti 2010 e më pas, përpjekjet dypalëshe për të zgjidhur diçka në këtë drejtim kanë dështuar.

Çështja fiton tjetër aktualitet, në kushtet kur po pranohet se negociatat e anëtarësimit me BE-në, mund të happen qysh këtë vit. Dhe Greqia nuk e ka fshehur se ajo nuk do të bëjë më atë gabim që bëri në rastin e anëtarësimit tonë në NATO, kur nuk vuri asnjë kusht.

Si provë të faktit se Shqipëria po ecën shpejt drejt BE-së është edhe fakti se me miratimin e reformës në Drejtësi, vendi kreditohet me tjetër vlerësim nga Brukseli. P.sh në faqen online të Ministrisë së Jashtme austriake, një vend anëtar I BE-së që nga viti 1995 dhe me një politikë të posaçme ndaj Ballkanit Perëndimor, raportimi për Shqipërinë është përditësuar duke shënuar miratimin e reformës në drejtësi si një “hap i rëndësishëm për synimin tjetër, nisjen  negociatave”.

Duhet thënë se Austria ka një marrëveshje me vendin tonë me anë të së cilës kërkon të japë kontribute për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe në rajon, një politikë kjo që nxjerr jashtë aktorin tradicional, Italinë, ndërkohë që për krizën e emigrantëve, Austria provokoi shumë reagime në Greqi dhe në BE, me propozimet e veta.

Është pra shumë e vështirë të mendohet se në diskutimin për marrëveshjen e detit me Greqinë, Athina zyrtare të pranojë ndërmjetësimin austriak.

Diplomacia shqiptare, nëse një gjë e tillë ekziston përtej politikës së emërimeve, i ka duart të lidhura, sa kohë që Politika e Jashtme e Shqipërisë zhvillohet kryesisht nga Facebook i kryeministrit i cili luan një gjeopolitikë emocionesh duke kamufluar interesa që nuk lexohen qartë.

Në këto kushte mund të pritet që çështja e detit të trajtohet si në rastin e Kroacisë dhe Sllovenisë, me Arbitrazh. Gjendja juridike e Marrëveshjes së vitit 2009 është komplekse: në Shqipëri ajo është rrëzuar me vendim gjykate, por jo për arsye që lidhen me pozita negociuese inferiore ndaj palës greke, apo për negociata të padrejta dhe të imponuara. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi marrëveshjen për disa aspekte që lidheshin me plotfuqinë e munguar të negociatorëve nga Presidenti, diçka që nuk është e domosdoshme, apo edhe për zhvillimin e negociatave në kushtet e mungesës së një ligji të saktë për kufirin.

Mund të pyetet qysh tani: si do të vlerësohen argumente të tilla në Gjykatën e Hagës? Negociimi i vitit 2009 ishte Sovran nga të dyja palët, ndaj referimi në Arbitrazh, mund të hapë probleme dhe të sjellë surpriza. Sot europarlamentarja Tanja Fajon deklaronte për DW, se vendimet e gjykatave nacionale nuk dalin dot mbi vendimet e Arbitrazhit dhe kjo në fakt është jo vetëm logjike, por sanksionohet edhe në Kushtetutën shqiptare.

Shihet qartë se Shqipëria ka një problem jo të vogël me Greqinë, me të cilën nëse do të kërkojë marrëveshje të re, do të duhet të çedojë në disa çështje të tjera. Ose mund të kemi të kundërtën: Tirana zyrtare mund të shtojë presionin ndaj Athinës, pikërisht duke aktivizuar në maksimum çështjen çame në këmbim të uljes së palës greke për kufirin.

Mbetet për t’u parë, por deri më sot nuk ka një dokument, apo një deklarim se çfarë do të bëhet.

Shembulli kroato-slloven është një mundësi e mirë për të kuptuar se çfarë ndodh kur nuk arrin të gjesh mirëkuptim vetë./Respublica

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button