Konjufca flet për median hungareze, paralajmëron për rrezikun e një përballjeje të re të armatosur me Serbinë
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar se ambiciet territoriale të Serbisë vazhdojnë të përbëjnë kërcënim serioz për sovranitetin e Kosovës dhe stabilitetin në rajon.
Në një intervistë për Hungary Insider, Konjufca ka folur për rrezikun e një përballjeje të re të armatosur, mungesën e llogaridhënies për sulmin në Banjskë dhe rëndësinë e rolit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në parandalimin e përshkallëzimit të situatës.
Kryediplomati kosovar ka thënë se retorika nacionaliste e Beogradit duhet parë në ndërlidhje me veprimet në terren dhe me mbështetjen politike që, sipas tij, u ofrohet personave të përfshirë në agresionin e armatosur kundër Kosovës.
“Kur zëvendëskryeministri i Serbisë deklaron se flamuri serb herët a vonë do të valëvitet sërish mbi Prizren, ndërsa Millan Radoiçiq, i cili pranoi se organizoi sulmin terrorist në Banjskë, shfaqet publikisht krah djalit të Vuçiqit në një tubim të partisë në pushtet, ne shohim një vazhdimësi shqetësuese mes ambicieve territoriale të Serbisë dhe mbrojtjes politike që u ofrohet përgjegjësve për agresion të armatosur kundër Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka rikujtuar sulmin e shtatorit të vitit 2023 në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, duke theksuar se, sipas tij, synimi i operacionit ishte shkëputja e veriut të Kosovës dhe aneksimi i tij nga Serbia.
Konjufca ka përmendur edhe grumbullimin e forcave ushtarake serbe përgjatë kufirit pas sulmit në Banjskë, përfshirë tanke, artileri dhe këmbësori të mekanizuar. Sipas tij, ky mobilizim nxiti reagimin e Shtëpisë së Bardhë dhe përforcimin e misionit të NATO-s në Kosovë.
Në intervistë, ai ka folur edhe për sulmin me eksploziv të nëntorit të vitit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit, duke thënë se Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur prova që, sipas tij, implikojnë strukturat shtetërore të Serbisë në përgatitjen e sulmit.
Duke komentuar paraqitjen publike të Millan Radoiçiqit në krah të Danilo Vuçiqit, djali i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ministri ka vlerësuar se kjo dëshmon lidhjet politike që, sipas tij, janë kultivuar dhe mbrojtur publikisht nga udhëheqja serbe.
“Tri vite pasi pranoi publikisht se organizoi operacionin e armatosur në Banjskë, Radoiçiq mbetet i lirë në Serbi, duke marrë pjesë hapur në ngjarje politike krah familjes së Vuçiqit. Pavarësisht këtij pranimi, prokurorët serbë ende nuk kanë ngritur aktakuzë kundër tij”, është shprehur Konjufca.
Ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ushtrojë presion ndaj Beogradit për dorëzimin e Radoiçiqit dhe personave të tjerë të akuzuar te autoritetet gjyqësore të Kosovës. Gjithashtu, ka kërkuar që thirrjet e Parlamentit Evropian për masa kufizuese ndaj tij të shndërrohen në veprime konkrete.
I pyetur për seriozitetin e rrezikut të një përballjeje të re të armatosur, Konjufca ka thënë se Kosova e merr këtë mundësi me seriozitet të plotë.
Sipas tij, çdo grumbullim i ri i forcave luftarake serbe përgjatë kufirit ose sulm ndaj territorit dhe infrastrukturës kritike të Kosovës do të përbënte përshkallëzim të rëndë të situatës.
Konjufca ka theksuar se parandalimi i këtyre skenarëve kërkon prani të fortë të NATO-s përmes KFOR-it dhe koordinim të ngushtë me partnerët amerikanë dhe evropianë.
Ai ka shtuar se paqja e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor varet nga respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të secilit shtet./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.