Ekonomia

Konkurrenca miraton shitjen e ITD (pjesë e Infosoft) te Grupi Balfin

Autoriteti i Konkurrencës ka miratuar autorizimin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit mbi shitjen dhe transferimin e kuotës prej 49% të ndërmarrjes ITD SHPK, nga INVESTMENT JOTI-INFOSOFT GROUP SHPK tek Balfin SHPK.”

Pas realizmit të transaksionit, ITD zotërohet nga ortakët: Infosoft në masën 39%; Balfin në masën 49% të kapitalit themeltar; Znj. Enkelejda Salillari ne masën 6% dhe Z. Rudenc Sina në masën 6%.

Pronësia e Kuotës kalon së bashku me të gjitha të drejtat dhe detyrimet e lidhura me të. Balfin pranon që të drejtat dhe detyrimet e tij në lidhje me Kuotën në Shitje dhe në përgjithësi me pjesëmarrjen e tij në kapitalin e ndërmarrjes ITD në çdo kohë, duke përfshirë por jo vetëm, të drejtat e disponimit mbi këtë pjesëmarrje, janë të kufizuara sipas kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në Kontratën e Opsionit për Shitjen e Kuotës e nënshkruar nga palët më datë 19 Dhjetor 2016.

Kontrata e Opsionit përcakton në mënyrë të qartë se administrimi i ndërmarrjes ITD është vendimmarrje ekskluzive e Infosoft dhe ortaku Balfin do të votojë në mbledhjet e ortakëve të ndërmarrjes ITD, për të marrë vendime dhe /ose të kryejë çdo veprim tjetër të nevojshëm, në përputhje të plotë me udhëzimet, propozimet, votën dhe vendimet e Infosoft, thuhet në njoftimin e autoritetit.

Ndërmarrja ITD SHPK i shet produkte edhe ndërmarrjes Neptun SHPK e cila operon si pjesë e Balfin Group. Në rastin konkret shoqëria ITD SHPK dhe Neptun SHPK nuk janë në konkurrencë me njëra tjetrën. Ato operojnë në tregje të ndryshëm përkatësisht ITD në tregun e rrjedhjes së sipërme(importit dhe shitjes me shumicë) dhe Neptun SHPK ne tregun e rrjedhjes së poshtme(shitjes me pakice) dhe për këtë arsye kemi një përqendrim vertikal.

Si rrjedhojë e këtyre karakteristikave të tregut përkatës përqendrimi nuk pritet të shkaktojë kufizime të konkurrencës në këtë treg si pasojë e krijimit apo fuqizimit të pozitës dominuese në tregun përkatës, përfundon analiza e konkurrencës.

 

Shitja

Në dhjetor të vitit të kaluar, Grupi më i madh në vend, Balfin, bleu 49% të kuotave të kompanisë ITD, që ishin të zotëruara nga “Investment Joti – Infosoft Group”, sipas një artikulli të mëparshëm të Monitor.

“Çmimi i kuotës në shitje, që do të paguhet nga blerësi, përfaqëson vlerën nominale të kuotës në shitje dhe është 36,750,000 lekë”, thuhet në kontratë, apo rreth 270 mijë euro.

IDT sh.p.k. është krijuar në vitin 1996 dhe ka si objekt të aktivitetit tregtim pajisjesh kompjuterike, software dhe hardware dhe pajisje zyrash, si dhe shërbime të tjera. Ai është pjesë e grupit Joti- Infosoft. Për vitin 2016, të ardhurat e kompanisë ishin 2.57 miliardë lekë, apo rreth 19 milionë euro, me një rënie prej 1.3% me bazë vjetore. Fitimi i ITD para tatimit ishte 109 milionë lekë, nga 112 milionë lekë vitin e mëparshëm. Sipas faqes së internetit të grupit Infosoft, ITD ka 20 vite përvojë në distribucionin e produkteve IT. ITD tashmë është distributor i autorizuar i Microsoft, Hewlett- Packard, Cisco, IBM, Lenovo, Epson, Samsung dhe shumë kompanive të mëdha globale.

 

Balfin Group është grupi më i madh në Shqipëri, me aktivitet në fushën e tregtisë me pakicë, zinxhirit të supermarketeve Spar, pasurive të paluajtshme e turizmit, kromit, veshjeve etj. Për vitin 2015, të ardhurat e grupit në Shqipëri e jashtë ishin rreth 350 milionë euro, ndërsa numëron rreth 3 mijë të punësuar. Tri kompanitë më të mëdha të grupit janë Albchrome, me xhiro rreth 53 milionë euro në vitin 2015, NEPTUN, me të ardhura 42 milionë euro dhe Mane TCI, me xhiro rreth 12 milionë euro.

 

Aksionerët e “Investment Joti – Infosoft Group” janë Grigor Joti dhe Marjeta Joti me përkatësisht 80 dhe 20% dhe i grupit “Balfin” është Samir Mane me 100% të aksioneve. Mane bleu së fundmi dhe 45% të aksioneve të INSIG JETE.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button