Ekonomia

Konkurrenca: Të rishikohet koncesioni i pullave fiskale për barnat, rritet kostoja

Çmimi i ilaçeve

AK: Nëse do të vendoset çmimi 2.3 lekë/pulla për barnat, do të rëndojë te konsumatori

Nga Zamir Alushi

autoriteti i konkurrencesBordi i Autoritetit të Konkurrencës (AK) kërkon rishikimin e kontratës koncesionare për pullat fiskale të barnave. Sipas investigimit të bërë nga ky komision, aplikimi i pullës te barnat, që pritet të nisë së shpejti, mund të shkaktojë rritje të çmimeve. Në mbledhjen e fundit, AK kërkon gjithashtu të bëhet analiza dhe vlerësimi i kostove që shkakton kontrata e koncesionit “Për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave”. Marrëveshja e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave dhe shoqërisë SICPA Holding SA është nënshkruar më 30 nëntor 2012. Shoqëria koncesionare SICPA HOLDING SA është një shoqëri anonime e regjistruar sipas kuadrit ligjor të Zvicrës. Si rezultat i ushtrimit të këtij aktiviteti ekonomik, koncesionari i paguan Ministrisë së Financave një vlerë që përfaqëson vetëm 2% të të ardhurave të tij vjetore të realizuara nga shitjet e pullave fiskale dhe pullave të kontrollit të barnave. “Nga krahasimi i çmimeve të pullave fiskale para dhe pas dhënies së koncesionit rezulton se për cigaret dhe alkoolin, çmimet e pullave janë rritur rreth 4 herë, duke përbërë kosto të shtuar për biznesin”, vlerëson AK. Ndërkaq, çmimi i shitjes së pullave fiskale para marrëveshjes koncesionare ka qenë: Pullat fiskale të cigareve 0.49992 lekë/copa me TVSH dhe pullat fiskale të pijeve 1.20 (një.dy) lekë/copa me TVSH. Pas dhënies së koncesionit, çmimi i pullës fiskale ka ndryshuar si vijon: për duhanin 2.7 lekë, 4.4 lekë për alkoolin, 3 lekë për birrën dhe 2.9 lekë për ilaçet.

Kontratë me shkelje ligjore

Nga vlerësimi i marrëveshjes koncesionare rezulton se: Para lidhjes së marrëveshjes së koncesionit nuk janë respektuar dispozitat e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, sipas të cilit duhet të ishte marrë vlerësimi i Autoritetit. AK ka detyrimin ligjor për vlerësimin e të drejtave ekskluzive dhe të veçanta të dhëna në territorin e Republikës së Shqipërisë, në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Associmit. Sipas AK-së, vendimi i Këshillit të Ministrave për caktimin e Ministrisë së Financave si Autoritet Kontraktor dhe dhënien e bonusit prej 5% për shoqërinë ICPA Security Solution SA, ka shkelur parimet e konkurrencës së lirë duke e vendosur në kushte të pabarabarta shoqërinë tjetër konkurruese.

Korrespondenca

Nga AK është kërkuar vlerësimi i Ministrisë së Financave mbi arsyetimin dhe justifikimin ekonomik të koncesionit, nëse ka pasur apo jo efekt në qëllimin për të cilin është dhënë koncesioni, rritjen e të ardhurave fiskale dhe luftën ndaj evazionit dhe kontrabandës së produkteve të akcizës. Ministria e Financave, në shkresën nr. 372/2, datë 06.10.2014, shprehet se nuk ka një vlerësim ekonomik për koncesionin e dhënë as në fazën paraprake dhe as në fazën aktuale. Gjithashtu i është kërkuar koncesionarit informacion i detajuar mbi koston, investimet dhe informacionin përkatës që lidhej me procesin e marrjes së koncesionit. Koncesionari ka dërguar kontratën koncesionare dhe pasqyrat financiare, por jo argumente dhe analizën shoqëruese mbi justifikimin ekonomik.

Pulla fiskale për barna

Zbatimi i koncesionit për prodhimin e pullave fiskale për barnat nuk është realizuar deri më sot. Vendosja e një tarife 2.3 lekë/copë pulla fiskale për çdo medikament do të ishte një kosto e lartë për produktet farmaceutike, të cilat kanë ndjeshmëri te konsumatori. Në këto kushte AK vendosi t’i rekomandojë Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, rishikimin e kontratës koncesionare, për pjesën e pullave fiskale për barnat pasi konstatohet se nuk ka filluar prodhimi i tyre, si dhe sjell kosto të lartë për produktet farmaceutike. Gjithashtu AK kërkon të kryhet vlerësimi ekonomik dhe teknik mbi zbatueshmërinë e kushteve të kontratës koncesionare dhe analizën e justifikimit ekonomik të koncesionit, i cili është pasuar me rritjen e kostos së biznesit për pullat fiskale. Në këtë vlerësim të identifikohet përmbushja e qëllimit për të cilin është dhënë koncesioni, si rritja e të ardhurave fiskale dhe lufta ndaj evazionit dhe kontrabandës së produkteve të akcizës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button