Kontratë e re me TAP, qeveria kërkon më shumë përfitime
Shqipëria kërkoi rihapjen e negociatave me gazsjellësin TAP, pasi Greqia, shteti tjetër në të cilin kalon ky projekt, ka nënshkruar një marrëveshje më të favorshme.
“Shteti grek ka nënshkruar një marrëveshje të mëvonshme, e cila në pamje të parë ka disa elemente që janë me fabvorizues në drejtim të përfitimeve për komunitetin, në drejtim të asaj që quhet lokal content, pra përfshirjes së kompanive shqiptare në projekt dhe në drejtim të mjedisit”, thotë Koli Bele, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Energjitikës.
Qeveria ka pajtuar si konsulent kompaninë Roland Berger. Kjo kompani do të krahasojë marrëveshjet individuale që Greqia dhe Shqipëria kanë me TAP dhe do të përkthejë në vlerë financiare sesa ka përfituar më shumë shteti grek.
“Konsulentët kanë rol në kuantifikimin e këtyre përfitimeve si dhe në drejtim të këshillimit pasi duhet të kuptohet që ky proces është shumë teknik”, sqaron ai.
Por Roland Berger është i njëti konsulent që këshilloi qeverinë e mëparshme për marrëveshjen ekzistuese me TAP, e cila tani kritikohet si jo e favorshme.
“Unë nuk jam në gjendje të gjykoj se çfarë qeveria e mëparshme dhe kompania kanë bërë dhe si procesi i mëparshëm është kryer, por kompanitë e mëdha dhe të njohura në botë janë pak dhe është krejt korrekte dhe nuk ka asnjë problem që të jetë e njëjta kompani. E rëndësishme është ekspertiza e kompanisë”, thotë Bele.
Në negociatat e reja pritet që qeveria t’i kërkojë gazsjellësit TAP më shumë investime në dobi të komuniteteve ku kalon ky projekt, si shkolla apo spitale si dhe një përfshirje më të madhe të kompanive shqiptare gjatë ndërtimit.