Kosova

Kosova e Mali i Zi në “luftë” për prona, padi dhe akuza mes shteteve

Kosova ka ngritur padi ndaj Malit të Zi, duke kërkuar kthimin e pronës në Budva. Në këtë padi pretendohet se parcela e quajtur “Ganimete Tërbeshi”, është blerë 6 dekada më parë nga Kosova. Kjo pronë në bregdetin Adriatik llogaritet të jetë mbi 4.5 mijë metra katrorë. Kosova pretendon se ka 35 prona në Mal të Zi.

Kosova dhe Mali i Zi tashmë kanë nisur një “luftë” mes vete për prona. Një pronë në bregdetin Adriatik ka bërë që dy shtetet fqinjë të ngitni padi e akuza.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka paditur Malin e Zi, përkatësisht Komunën e Budvës dhe kompaninë “Sunraf Beach Properties d.o.o.” nga Podgorica, duke kërkuar kthimin e së drejtës së pronësisë në mbi 4.5 mijë metra katrorë tokë në qytezën Rafailloviq.

Bëhet fjalë për parcela në shëtitoren përgjatë plazhit të Beçiqit, ku dikur ndodhej një vend-pushimore për fëmijët.

Në këtë padi pretendohet se parcela, dikur e quajtur “Ganimete Tërbeshi” është blerë 6 dekada më parë nga Kosova.

Padia që kërkon të drejtën pronësore është paraqitur në Gjykatën Themelore të Kotorrit.

MD-ja ka kërkuar nga Gjykata e Kotorrit të lëshojë masën e përkohshme, e cila ndalon tjetërsimin e pronës deri në përfundimin e kësaj lënde në gjykatë.

“Kosova është pronare e kësaj toke dhe si provë i ka bashkangjitur një marrëveshje të blerjes të lidhur më 22 mars 1961 në Gjykatën e Qarkut të Kotorrit, ku parcelën prej 4,555 metra katrorë e kishte blerë Këshilli Social për Çështjet Politike dhe Sociale”, thuhet në një pjesë të padisë.

Budva kundërshton procesin gjyqësor

Avokati i Përgjithshëm i Shtetit të Kosovës, Sami Istrefi, ka treguar ditë më parë se Kosova synon kthimin e pronës të blerë gjashtë dekada më parë.

Procesi gjyqësor tashmë ka nisur, dhe sipas Istrefit janë mbajtur disa seanca të cilat për çështje procedurale dhe për shkak se në disa raste munguan të paditurit, të njëjtat dështuan.

“Duke u gjendur para këtyre rrethanave, konform legjislacionit të Malit të Zi, ne kemi ushtruar një padi për vërtetim pronësie dhe masë sigurie për atë pronë, për shkak se Kosova tash e sa vite nuk është duke e shfrytëzuar, mbase juridikisht është pronë e Kosovës, që e dëshmojnë edhe dokumentet kadastrale atje”.

Avokati i Përgjithshëm i Shtetit ka treguar se nuk ka asnjë problem politik ndërmjet shteteve dhe se kjo është vetëm një procedurë civile.

“Kosova në asnjë formë, e aq më pak Ministria e Drejtësisë apo Avokatura e Shtetit, nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim ndaj shtetit të Malit të Zi, për ndonjë procedurë apo veprim qeveritar që mund të ketë ndikime të dy shtetet. Kjo është krejt e kundërta e asaj, për shkak se kjo është një procedurë civile”.

Komuna e Budvës, e përfaqësuar nga Sekretariati për Mbrojtjen e Pronës, e ka kundërshtuar procesin gjyqësor, duke kërkuar nga gjykata ta hedhë poshtë atë si të pavlefshme.

Po ashtu, kjo komunë është e mendimit se pretendimi nuk ka asnjë bazë ligjore në Rregulloren e UNMIK-ut dhe në as Rezolutën 1244, të cilën Kosova i është referuar në padi.

“Rasti është fare në fillim. Është ajo koha kur ngrihet padia, pastaj palët e paditura i përgjigjen padisë dhe gjykata vendos nëse do të hyjë ose jo në procedurë për vendimmarrje. Ne në fillim kemi kërkuar që padia të hidhet poshtë. Nëse vjen deri te kjo, atëherë thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Nëse vazhdon, atëherë fillon procedura gjyqësore, seancat dëgjimore, ekspertizat e çka mos”.

Padia e Republikës së Kosovës, e bërë nga Ministria e Drejtësisë, Zyra e Avokatit të Përgjithshëm, është ngritur në Gjykatën Themelore në Kotor në fillim të nëntorit të vitit 2020, ndërsa palët janë dërguar në takimin e parë me ndërmjetësuesin në fund të prillit.

Kosova me prona në Mal të Zi e Serbi

Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit kanë treguar se 35 prona tw Kosovës ndodhen në Mal të Zi, derisa në Serbi janë 99.

”Sipas AKP-së, 35 prona ndodhen në Mal të Zi, derisa në Serbi janë 99. Me përjashtim të Republikës së Serbisë, shtet në të cilin AKP-ja pengohet të ketë qasje ligjore në dokumentacionin administrativ dhe procedura tjera ligjore, në shtetet tjera, AKP-ja zhvillon në vazhdimësi procedura administrative dhe gjyqësore në emër të ndërmarrjeve shoqërore, për posedim ligjor të këtyre pronave”.

AKP thotë se ka në evidencën e saj 163 prona shoqërore që ju përkasin ndërmarrjeve shoqërore të ndryshme nëpër shtete të dala nga ish-Jugosllavia. Prej 163 pronave shoqërore jashtë vendit, shumica janë lokale dhe zyra.

Kohë më parë, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit të Malit të Zi, pasi Gjykata Themelore e Kotorrit kishte refuzuar padinë që pretendon se kompania Rekreaturs u ka vjedhur pronën e Kosovës prej 33 mijë metrash katrorë në plazhin e Kamenovës.

Gjithashtu AKP ka ngritur padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Strasburg dhe se janë duke e pritur vendimin.

Gjatë procesit gjyqësor pretendohet se Rekreaturs, në mënyrë të paligjshme, ka ndryshuar selinë e saj nga Prishtina në Budvë.

Sipas të dhënave të AKP-së, asetet jashtë Kosovës janë të ndërmarrjeve: Trepça; Kosova Sirovina; Jugoterm; Bankos; Anamorava; Komuna; Farmakos; Artizani; NSH “Komuna”; Kosova Vera; 18 Nëntori; IGK Ballkan; Fabrika e Birrës Peje; Jatex; Fabrika e lëkurë-këpucëve; Modeli; NT Rugova; Kosovashped; Tursit Kosova; Progres printing; IFS Progres; Filgran; Amortzatoret; EUP Ingernering; Agrokosova; Mekanizimi; Integj.

Kosova ka 99 prona të ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në Serbi, 35 prona në Mal të Zi, 15 prona në Bosnjë-Hercegovinë, 8 asete në Maqedoninë e Veriut, në Kroaci sipas të dhënave të AKP-së janë 5 prona të Kosovës, ndërkaq në Slloveni është një pronë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button