Kosova

Kosova miraton ligjin për Trepҁën-revoltohet Beogradi

Pavarësisht protestave dhe kundërshtimit të serbëve të Kosovës dhe qeverisë në Beograd, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin për Trepçën, duke e bërë pronare qeverinë e Kosovës me 80 përqind të aksioneve.

Kuvendi i Kosovës në një debat të gjatë të mbajtur deri në orët e vona të ditën e premte (07.10) miratoi ligjin për gjigandin industrial Trepҁa, duke e bërë qeverinë e Kosovës pronare të 80 përqind të aksioneve të saj, ndërsa 20% mbeten për puntorët e saj. Ligji për Trepҁën u miratua në parim dhe mori 82 vota pro, 12 abstenime dhe asnjë votë kundër. Para votimit ligji u kundërshtua nga deputetët serb nga lista Serpska, që kërkuan që ky ligj të diskutohet në një kohë tjetër. Kjo kërkesë e listës “Serpska pason edhe qendrimin e qeverisë ne Beograd, e cila pretendon që pronësinë mbi gjigandin industrial Trepҁa e ka një fond i investimeve në Serbi.

Para deputetëve të kuvendit të Kosovës, kryeministri Isa Mustafa duke e prezantuar ligjin tha se “ligji për Trepçën është në të mirë të Kosovës dhe në të mirë të punëtorëve të saj”.

“Transformimi i Trepçës sipas këtij ligji, është në interes të të gjithëve. Është në interes së zhvillimit ekonomik të vendit, është në interes të komuniteteve dhe të komunitetit në përgjithësi, në vendet ku do të operojë Trepça. Prandaj edhe ky ligj meriton përkrahjen nga të gjithë ne”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke siguruar se ligji ka vlerësuar të gjitha kriteret ekonomike dhe kriteret ambientale.

Subjekti opozitar lëvizja Vetëvendosje e kundërshtoi mënyrën e procedimit të ligjit në Kuvendit të Kosovës, duke vlerësuar se “shndërrimi i Trepçës në shoqëri aksionare po bëhet pa kryer analizat e plota për pasurinë e saj”. Kryetari i këtij subjekti politik, Visar Ymeri, tha se “Trepça duhet të shndërrohet në ndërmarrje publike dhe të ketë edhe status të ndërmarrjes së veçantë publike. Kështu ndihmohet edhe ekonomia e Kosovës”, tha Visar Ymeri, duke theksuar se Qeveria e Kosovës po e përshpejton procesin e miratimit të projektligjit për Trepçën me qëllim të shitjes së pasurisë së saj.

Slavko Simiq, udhëhehqës i deputetëve nga Lista Serbe, tha nga ana e tij se është e papranueshme që ligji për Trepçën është futur në debat me procedurë të përshpejtuar. Sipas tij, zgjidhja duhet të gjendet përmes debatit të gjatë. “Ligji rrezikon edhe ekzistencën e punëtorëve të Trepçës, por edhe të qytetarëve serbë që jetojnë në veriun e Kosovës. Zgjidhja për Trepçën duhet të gjendet në bashkëbisedim me udhëheqjet komunale në pjesët ku janë të shtrira kapacitetet e saj dhe me menaxhmentin e Trepçës në veri”, tha Sllavko Simiq.

Teksa në kuvendin e Kosovës debatohej ligji për Trepcën, në veri të Kosovës asambleistët komunal nga katër komunat e banuara me shumicë serbe u mblodhën në një takim të përbashkët dhe dolën me një qëndrim duke i kërkuar kuvendit të Kosovës, që mos ta votojë ligjin për Trepçën, sepse në të kundërtën, sipas tyre, nuk do të mund të zbatohet në veri të Kosovës. Nga ky takim ata nxorrën disa konkluzione ku pretendohet “të mos pranohen vendimet për statusin e Trepçës dhe ato t’i shpallin të pazbatueshme në territorin e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Asamblistët serb të veriut kërkuan që për këtë çështje të diskutohet me menaxhmentin dhe përfaqësuesit e punëtorëve në Trepçë, nga pjesa veriore e ku shumica janë serb. Konkluzionet e asamblistëve u nënshkruan nga kryetarët e Kuvendeve Komunale dhe kryetarët e komunave të veriut të Kosovës dhe kjo i parapriu një proteste të mijëra serbëve të mbajtur në rrugën Mitrovicë – Leposaviq, ku morrën pjesë edhe disa ministra serb në qeverinë e Kosovës. Ljubomir Mariq, ministrër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Isa Mustafës, tha se “Kuvendi i Kosovës po përpiqet që përmes mbivotimit ta miratojë Ligjin për Trepçën gjë që për të është e papranueshme.

“Kemi provuar t’u tregojmë se Trepça është zemra e këtyre komunave në veri. Që ky popull ka shans për të ardhmen. U kemi treguar qartë se një vendim i tillë dhe një ligj i tillë çon drejt përjashtimit dhe shuarjes së plotë të Trepçës në veri”, tha ministri Mariq. Në emër të qeverisë së Serbisë, protestuesve iu drejtua edhe zëvëndësshefi i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë Petar Petkoviq. Ai tha se “autoritetet e Kosovës po përpiqen ta rrëmbejnë pasurinë e Serbisë në Kosovë”.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për Trepçën, por për tërë pasurinë e Serbisë, vlera e së cilës është më tepër se 200 miliardë euro dhe të cilën Prishtina dëshiron ta grabisë, në mënyrën siç po e bën edhe me Trepçën. Qëllimi më i madh dhe i skajshëm i autoriteteve të Kosovës, është që me grabitjen e pasurisë serbe të rrezikohet në mënyrë të përhershme struktura etnike në mjediset serbe”, tha Petar Petkoviq.

Kompleksi metalurgjik Trepça ndodhet në qytetin e Mitrovicës i ndarë në dy pjesë në atë veriore e banuar me shumicë serbe dhe atë jugore e banuar me shumicë shqiptare. Minierat e Trepçës ndodhen në pjesën jugore ndërsa, shkritoret në pjesën veriore. Qeveria e Serbisë thotë se gjatë viteve 90-ta, një fond i investimevve serbe i ka blerë aksionet e Trepçës dhe mbi këtë bazë ngul këmbë se është pronare e Trepçës. Në këtë linjë qeveria e Serbisë kërkon që mbi të ardhmen e Trepçës të diskutohet në dialgun Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Qeveria e Kosovës thotë se kjo çështje nuk mund të diskutohet me qeverinë e Serbisë, sepse Trepca është në territorin e Kosovës dhe me të mund të administrojnë vetëm institucionet e Kosovës. E gjatë ditës, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se “në rast se Kuvendi i Kosovës miraton Ligjin për Trepçën nuk e di se si Prishtina zyrtare do të bashkëpunojë me serbët e Kosovës dhe me autoritetet në Beograd”.

Related Articles

Nje koment

  1. Reagimet, përditë më nervoze të nërthojsave (ndërgishtëzave) serbomëdha, kontrabandë edhe brenda strukturave institucionale të lodhura të Kosovës, paralajmërojnë ditë të nxehta dhe me plotë rreziqe, në një të ardhme të afërt.
    Nga reagimet që zakonisht të cilave u vije erë e shovinizmit mesjetarë serbomadh,kujtoj se është e mjaftueshme të veçohen disa nga këto qe po ndodhin së voni, sidomos:
    -Kur ato po përcillen me bllokim të rrugëve, fillimisht në aksin rrugor Mitrovicë-Leposaviç, gjoja në shenjë të kundërshtimit të Ligjit për Trepçën, të proceduar në qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës;
    -Kur ato po përcillen edhe me paralajmërimin e bllokimit të të gjitha vendkalimeve kufitare Kosovë-Serbi, gjoja në shenjë të revoltës, kinse për mos zbardhjen e fateve të të pagjeturve serbë, të zhdukur gjatë luftës kundër pushtuese të cilën u detyruan ta bëjnë shqiptarët në vitet 1998-1999;
    -Kur ato përcillen me kërcënime luftënxitëse nga politika serbomadhe e Beogradit zyrtar, se gjoja do të ndërmerren veprimet e nevojshme për kontrollin e plotë të “pronës” serbe-Trepçës; se do të kërkojnë thirrjen urgjente të KS të OKB. Krejt këto në shenjë të kundërshtimit të zbatimit të Ligjit për Trepçën, të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës. Sepse, ky Ligj gjoja na qenka rrezik serioz për pronat e “ligjshme” të Serbisë në Veriun e Kosovës; se në KS të OKB do të parashtrohen jo vetëm “shkeljet” e Rezolutës 1244, nga shqiptarët e Kosovës, por edhe rrezikimi i popullatës serbe në trojet e “saj” në Kosovë, kinse nga terrori që ushtrojnë shqiptarët në vazhdimësi ndaj këtij minoriteti…
    Padyshim, të gjitha këto veprime jo vetëm provokuese, por tejet agresive të politikës serbomadhe, të orkestruara nga Beogradi zyrtar, jo edhe pa mbështetje nga aleatët tradicional të tij, lakuriqësojnë një të vërtetë ogurzezë, jo vetëm për popujt e Ballkanit, por edhe më gjerë. Sepse këto veprime histerike dëshmojnë, se mendësia zyrtare politike, shtetërore dhe kishtare kinse ortodokse “Shën” savjane, ka mbetur po ajo famëkeqja-ajo memorandumeve të epokës së çetnikizmit fashist millosheviqist. Siç dihet, ky Memorandum prodhoi veprimet ( si të ashtu quajturat “dogodio se narod”, “jogurt revolucija”, “anti birokratska revolucija”, “ balvan revolucija”…etj) e që të gjitha këto rezultuan me lumenj lotësh dhe të gjakut kroat, boshnjak dhe shqiptar. Natyrisht edhe të atij serb, por në përmasa shumë më të vogla !
    Këto zhvillime me imponojnë drojën, se gjendemi përball shumë rreziqeve reale dhe me pasoja të pa parashikueshme.
    Këto zhvillime me plotë rreziqe që po ndodhin kohëve të fundit, pashmangshëm tek njerëzit e arsyeshëm imponojnë pyetjen: Çfarë janë reagimet e institucioneve shqiptare, të mandatuara me verdiktin e votës së lirë, për të qenë sa më të përgatitur për t’u përballur me sa më pak pësime me rreziqet reale, në një të ardhme të afërt, të cilës do shkallë të rrezikshmërisë qofshin ato?
    Kujtoje se përgjigja më qëndrueshme në këtë pyetje, do të ishte ajo përgjigja e famshme e Fishtës, ndaj pyetjes së ngjashme (e modifikuar): Ne shqiptarët vazhdojmë hamë “fiq e kastraveca”, pa u brengosur çfarë po ndodhë në fqinjësi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button