Kosova sërish në buxhetin e Serbisë
Pavarësisht se me marrëveshjen e Brukselit, Serbia ishte e detyruar që të ndërpresë financimin e strukturave ilegale në Kosovë dhe t’i shuajë ato, deri tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Përkundrazi, në komunat ilegale serbe në veri, tashmë e kanë bërë gati draft-buxhetin për vitin 2015, pasi një gjë e tillë u është kërkuar nga Ministria e Financave në Beograd.
Analisti për politikat e sigurisë në Ballkan, Naim Rashiti, vlerëson se Qeveria serbe nuk ka bërë asnjë lëvizje përpara drejt ndryshimeve në ligjet e saj, përmes të cilave do të ndërpritej financimi i strukturave ilegale në veri të Kosovës.
“Pas zgjedhjeve lokale të nëntorit, komunat kosovare kanë mbetur jo funksionale, ndërsa komunat serbe vazhdojnë të operojnë normalisht dhe buxhetohen normalisht. Siç e dimë, jemi në prag të vjeshtës 2014 dhe nuk ka ndryshuar asgjë në legjislacionin serb. Të gjitha projeksionet janë të buxhetuara për vitin 2015 dhe, jo vetëm për komunat, por për të gjitha institucionet, përveç MUP-it”, tha Naim Rashiti, analist.
Rashiti mendon se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë presion, në Bruksel, ndaj Serbisë, por në anën tjetër edhe të rrisë kapacitetet në komunat e sapokrijuara kosovare në veri të vendit.
Sipas Rashitit, ekziston një tendencë në veri të Kosovës, që të vazhdojnë ende të funksionojnë si administrata e Kosovës, edhe ajo e Serbisë.
Në Qeverinë e Kosovës, asnjë zyrtar përgjegjës në bisedimet me Serbinë nuk ka qenë i gatshëm të flasë zyrtarisht për këtë çështje.
Top Channel ka mësuar nga burime brenda Qeverisë se në shtator, kur pritet të rifillojnë bisedimet, udhëheqësja kosovare në bisedime, Edita Tahiri, do të kërkojë nga Brukseli zyrtar, që ta detyrojnë Beogradin të zbatojë në tërësi marrëveshjen me Kosovën dhe të ndërpresë financimin e komunave ilegale serbe.