Kosova (s)’është e rrezikuar nga sulmet terroriste
Mekanizmat e sigurisë në Kosovë thonë se radikalizmi, ekstremizmi dhe grupet e organizuara kriminale janë rreziku potencial për shoqërinë e Kosovës, por thonë se ajo aktualisht nuk është zonë e rrezikuar nga sulmet e mundshme terroriste.
Kapacitet e mekanizmave të sigurisë në Kosovë janë të mjaftueshme dhe të nivelit profesional për t’u përballur me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin që shpie në terrorizëm, konsiderojnë ekspertë për çështje të sigurisë.
Ata thonë se Kosova aktualisht nuk është e rrezikuar nga sulmet e mundshme terroriste.
Por, zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë thënë se radikalizmi, ekstremizmi dhe grupet e organizuara kriminale paraqesin rrezik potencial për shoqërinë e Kosovës.
Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se ky institucion që nga fillimi ka ndërmarrë masa të nevojshme për parandalimin e dukurive të tilla.
”Gjithashtu masa konkrete janë ndërmarrë edhe në arrestimin e personave të caktuar apo shkatërrimin e celulave që kanë pretenduar të kenë lidhje më organizata e tilla. Policia e Kosovës, mund të them, se ka kapacitete të mjaftueshme për realizimin e objektivave kryesore të saj, në funksion të garantimit dhe zbatimit të ligjshmërisë në vend”, thotë Hoxha.
Agim Musliu, njohës i rrethanave të sigurisë, tha për Radion Evropa e Lirë se krahasuar me vendet e Evropës, institucionet e Kosovës kanë arrestuar numrin më të madh të personave që iu kanë bashkuar organizatave ndërkombëtare, të njohura si terroriste në Siri dhe Irak.
“Nga 314 persona që janë të evidentuar që kanë marrë pjesë [në organizata terroriste], 50 janë evidentuar si të vrarë, kurse 120 janë të kthyer në Kosovë. Janë trajtuar 200 raste. Nga ta janë proceduar në prokurori dhe gjykatë 190 raste…do të thotë, është ngritur aktakuza penale ndaj tyre, që është numër rekord ndaj të gjitha shteteve të rruzullit tokësor”, ka thënë Musliu.
Profesori Abit Hoxha tha se institucionet e sigurisë në Kosovë, me arrestimet dhe dënimet e personave të përfshirë në organizata terroriste, kanë dëshmuar gatishmërinë për parandalimin e këtij fenomeni.
Ai tha se sfidë në këtë fushë paraqet mos anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë, si INTERPOL dhe EUROPOL.
“Veprimet e deritashme të policisë janë veprime pozitive dhe të vlerësuara mirë, pasi kanë shenjëstruar veprimet dhe parandalimin e veprimeve ilegale. Do të thotë, janë arrestuar njerëz të cilët kanë promovuar gjuhë të urrejtjes, janë akuzuar njerëzit të cilët kanë inspiruar apo mobilizuar për të përkrahur dhe shkuar fizikisht në Shtetin Islamik”, ka thënë Hoxha.
Organet e sigurisë në Kosovë thonë se momentalisht ende rreth 70 qytetarë nga Kosova gjenden në vatrat e luftës në Lindje të Mesme (Siri e Irak). Ndërkaq, gjatë këtij viti nuk është shënuar ndonjë rast i shkuarjes apo përfshirjes së qytetarëve tjerë në këto luftëra.
Në vitin 2014, autoritetet në Kosovë arrestuan një numër personash që besohet se ishin nxitës, përkrahës ose edhe pjesëmarrës në grupet ekstremiste, në mesin e të cilëve edhe 12 imamë.
Operacioni i mekanizmave të sigurisë e bëri Kosovën pjesë të strukturave globale të sigurisë. Megjithatë, Mentor Vrajolli, hulumtues i lartë në Qendrën për Studime të Sigurisë, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë të sigurisë është mjaft i rëndësishëm për Kosovën dhe për mekanizmat e saj të sigurisë, që gëzojnë besimin më të madh të qytetarëve.
“Andaj është më rëndësi që kjo besueshmëri të mbahet në nivel të tanishëm. Po e përmendi këtu nevojën që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL, proces që pritet të fillojë në kuadër të Ministrisë se Forcës se Sigurisë”, ka thënë Vrajolli.
Ndryshe, në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi luftën kundër terrorizmit në botë gjatë vitit 2014, Kosova është vlerësuar si një vend me kërcënim në rritje nga ekstremizmi islamik.
Për luftimin e kësaj dukurie, ndërkaq, autoritet në Prishtinë kanë miratuar ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja, si dheStrategjinë Nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.