Kosova, shteti i vetëm i Ballkanit Perëndimor në ENCASIA, i nënshtrohet vlerësimit evropian për sigurinë e aviacionit
Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike iu nënshtrua më 13 dhe 14 tetor procesit të vlerësimit nga paneli i ENCASIA-s, i udhëhequr nga Italia, me përfaqësues nga Franca, Holanda, Luksemburgu dhe Islanda.
Kosova ka qenë pjesë e procesit të vlerësimit të Bashkimit Evropian në fushën e hetimit të aksidenteve dhe incidenteve ajrore, përmes Rrjetit Evropian të Autoriteteve për Hetimin e Sigurisë në Aviacionin Civil (ENCASIA), siç njofton Telegrafi.
Sipas njoftimit të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), procesi i njohur si “Peer Review” është zhvilluar më 13 dhe 14 tetor 2026, në kuadër të vlerësimit të standardeve dhe praktikave në fushën e sigurisë së aviacionit. Paneli i ENCASIA-s që qëndroi në Kosovë u udhëhoq nga Italia, ndërsa në përbërje të delegacionit kishte përfaqësues nga Franca, Holanda, Luksemburgu dhe Islanda.
Kosova është shteti i vetëm i Ballkanit Perëndimor pjesë e këtij rrjeti evropian, i cili përfshin autoritetet përgjegjëse për hetimin e aksidenteve ajrore nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe katër shtete me status vëzhgues: Norvegjia, Islanda, Zvicra dhe Kosova.
Procesi i vlerësimit zhvillohet për të gjitha shtetet pjesëmarrëse, sipas standardeve dhe metodologjisë së Bashkimit Evropian, me fokus në vlerësimin e punës së autoriteteve përgjegjëse për hetimin e aksidenteve në aviacionin civil. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë proces e përfshin vendin në mekanizmat evropianë të bashkëpunimit për hetimin e aksidenteve ajrore dhe sigurinë e aviacionit civil.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.