Kosova U21 përmbys Qipron në ‘Fadil Vokrri’, 2:1 — Berisha dhe Jashari shënojnë golat e fitores
Dardanët e rinj shkuan në kuotën e 14 pikëve në kualifikimet për Euro U21 2027; ndeshja e radhës më 6 tetor ndaj Finlandës.
Kosova U21 ka fituar sonte një fitore të madhe dhe dramatike 2:1 ndaj Qipros U21, në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian U21 2027, të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, siç njofton Indeksonline.
Qipriotët kaluan të parët në epërsi në minutën e 52-të, kur Savvas Kontopoulos gjeti rrjetën për 0:1, duke i dhënë mysafirëve avantazhin në pjesën e dytë të ndeshjes.
Por Dardanët e rinj nuk u dorëzuan dhe përmbysën gjithçka brenda pak minutash: Hekuran Berisha barazoi rezultatin nga penalltia në minutën e 69-të, ndërsa Lirim Jashari shënoi golin e fitores në minutën e 76-të, duke ngritur në festë tifozët në tribunat e “Fadil Vokrrit”.
Me këtë fitore, Kosova U21 shkon në kuotën e 14 pikëve në Grupin A, ku ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar, duke e mbajtur gjallë dhe realiste ëndrrën për kualifikim në Euro U21 2027.
Ndeshja e radhës për Dardanët do të jetë më 6 tetor, kur do të presin Finlandën U21, sërish në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.