Kosova

Kosova, Vuçiç: Të jemi realistë. Rama i kënaqur me deklaratën

Shkrimi i Presidentit serb Aleksandar Vucic për Kosovën, botuar në gazetën gjermane “Blic”, shihet nga kryeministri Edi Rama si një hap, qoftë ai dhe i vogël, që hidhet në përpjekje për të kërkuar zgjidhje të problemit jashtë kornizave nacionaliste e toneve të përflakura debatndjellëse.

“Ka ende shumë rrugë për të dalë nga tuneli i një historie të rëndë mizorish të përgjakshme, siç është historia e Ballkanit, ku vitet e fundit janë hedhur sidoqoftë drejt rrugëdaljes hapa që deri përpara këtyre viteve nuk i imagjinonin as më optimistët”, shkruan shefi i ekzekutivit në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Edhe ky shkrim i Aleksandër Vuçiçit, Presidentit të sapozgjedhur të Serbisë, nuk mund të imagjinohej pak vjet më parë, thotë Rama, paçka se Kosova, kujton ai, mbetet ashtu siç e artikulon presidenti serb, nyja gordiane, prerja ose jo e së cilës, është edhe zgjedhja e qartë mes territ të tunelit dhe dritës së daljes prej tij!

Megjithate,  padyshim, kjo është një zgjedhje që e sjell në anën e dritëdaljes, vazhdon kryeministri, duke e cilësuar si përpjekjen e mundimshme dhe reciproke për ta kuptuar deri në fund njëri-tjetrin, përmes një dialogu të palodhur e fort të dhimbshëm, në emër të dashurisë për kalamajtë e të dy popujve tanë dhe përgjegjësisë për të ardhmen me paqe e begati të dy kombeve tona.

Në shkrimin e tij, Vuçiç tregonte se që të ecë përpara, Serbia duhet ta zgjidhë ngërçin e Kosovës. Thirrja e presidentit serb ishte ajo e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

“Është koha që si popull të mos e fusim kokën në rërë si struci dhe të provojmë të jemi realist, të mos i lejojmë vetes që të humbim apo t’i dorëzojmë dikujt atë që e kemi, por të mos presim që të na vijë në duar ajo që e kemi humbur kaherë”, shkruante ultranacionalisti i shndëruar në reformator pro-europian, duke nënvizuar se  “është me rëndësi tani, më shumë se kurrë, që të gjejmë një përgjigje së bashku. Një përgjigje që do të ishte e përhershme, që përjashton konfliktin”.
Kreu i shtetit serb paralajmëronte më tej hapjen e një diskutimi gjithëkombëtar për çështjen e Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button