Kosova

Kosovë: Gjykata Kushtetuese pezullon përkohësisht marrëveshjet me Serbinë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur “masën e përkohshme” me të cilin pezullon zbatimin e çfarëdo veprimi të mëtejshëm ligjor të “parimeve të përgjithshme të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë deri në vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre Parimeve me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi i Gjykatës pasoi kërkesën e bërë ditë më parë nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga për  “vlerësimin e përputhshmërisë së ‘Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë me frymën e Kushtetutës së Kosovës”.

Në vendimin e gjykatës thuhet se masa e përkohshme nuk paragjykon ndonjë vendim të mëtejshëm që do të nxirret nga Gjykata “për pranueshmërinë apo për meritat e kërkesës”.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i kërkoi më 30 tetor Gjykatës Kushtetuese interpretimin e përputhshmërinë së parimeve të asociacionit të komunave me shumicë serbe me Kushtetutën e Kosovës.

Vendimi i saj pasoi një periudhë tensionesh të brendshme politike për shkak të kundërshtimit nga ana e partive opozitare ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht.

Opozita bllokoi punën e parlamentit duke theksuar se marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dëmton shtetin e Kosovës. Sipas marrëveshjes ku asociacion do të ketë një shkallë autonomie në disa fusha, siç janë arsimi, shëndetësia e planifikimi urban e rural.

Për gati dy muaj, partitë opozitare nuk lejuan mbajtjen e seancave të parlamentit në të cilat u hodh gaz lotsjellës dhe të cilat u përshkuan me skena dhune për shkak të mospajtimeve.

Vendimi i Presidentes Jahjaga nxiti reagimin e Beogradit, i cili kërkoi ndërhyrjen e Bashkimit Evropian. Përfaqësuesit serbë në parlamentin e Kosovës thanë se dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese të paktën do të zvarris për një kohë ngritjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe, meqë shqyrtimi në këtë Gjykatë mund të zgjas deri në 60 ditë.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Beogradi pret që brenda këtij viti të hapen kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim. Kosova përfitoi ndërkaq Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit e cila u nënshkrua më 27 tetor.

Opozita e quan fitore vendimin e kushtetueses – por nuk i beson asaj

Partitë opozitare, lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, thanë të martën në mbrëmje se nuk i besojnë Gjykatës Kushtetuese, por vendimin e saj e cilësuan fillim të fitores së tyre.

Në një komunikatë të përbashkët të të tri partive thuhet se “sot, pas dy muajsh të rezistencës aktive të opozitës, pas mbi 205 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, gjunjëzimi i pushtetit veç ka filluar. Presidentja i dërgoi në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjet e 25 gushtit ndërkohë që demarkacioni me Malin e Zi, tashmë është i shpallur ‘nul’ dhe në formën aktuale, nuk do të ratifikohet nga askush.

“Ne kemi njëmijë arsye që të mos i besojmë Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk ka besueshmëri dhe është e kapur, por vetë fakti që presidentja u detyrua t’i dërgojë marrëveshjet atje, është tërheqje e pushtetit karshi presionit qytetar dhe të opozitës”.

Në komunikatë thuhet se “kjo tërheqje ka për synim pamundësimin e fitores së plotë të opozitës, në kauzën e saj për tërheqjen e plotë të këtyre marrëveshjeve. Është pikërisht Gjykata Kushtetuese ajo që paligjshëm ia vazhdoi PDK-së qëndrimin në pushtet dhe normalisht që nuk presim kurrfarë vendimi në mbrojtje të shtetit dhe Kushtetutës, nga një gjykatë e kapur. Pra, nuk do të ndalemi që të presim vendimet e saj. Përkundrazi, subjektet opozitare do të vazhdojnë aktivitetin e tyre në mënyrë edhe më intensive. Nuk do të ketë funksionim normal të institucioneve shtetërore, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi”.

Beogradi reagon me zemërim ndaj vendimit të kushtetueses

Ministri i jashtëm serb, Ivica Dacic, tha të martën se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është goditje ndaj bisedimeve në Bruksel.

Vendimi për pezullimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe është rast i pashembullt i lojës me marrëveshjet e arritura me praninë e BE-së në Bruksel dhe kërcënim për qëndrueshmërinë rajonale. Thelbi i marrëveshjes së Brukselit është formimi i asociacionit dhe ky hap i Prishtinës është goditje e madhe mbi bisedimet e Brukselit që po e humbin kuptimin”, tha ministri serb, i cili ka kërkuar ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button