Kosovë, ministri Jabllanoviç: Nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen
Ministri për Kthim e Komunitete, Aleksandër Jabllanoviç, ka thënë se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqjen, sepse sipas tij për asnjë moment nuk ka shkelur ligjin dhe po ashtu me deklaratën e tij, në asnjë moment nuk ka dashur të ofendojë nënat gjakovare.
Ai përsërit se qëllimi i vetëm i tij ka qenë që të dënojë protestuesit në Gjakovë qe kanë hedhur gurë në drejtim të serbëve, dhe asgjë më shumë. Kështu është përgjigjur Jabllanoviç, në një intervistë dhënë për median serbe ‘Vesti’, cituar nga Zëri.
“Protestat dhe kërkesat për dorëheqjen time nuk kanë të bëjnë aspak me atë që e kam deklaruar”, ka shtuar Jabllanoviç, i cili i ka quajtur protestuesit në Gjakovë ‘egërsira’, si pasojë dorëheqjen e tij janë duke e kërkuar me mijëra qytetarë në tri protesta dhe e katërta është thirrur për nesër, të mërkurën.
Për ‘Vesti’, ai është shprehur i sigurtë se edhe sikur mos të kishte thënë atë që e ka thënë, protesta do të mbaheshin në Kosovë.
“Jam i sigurtë që do të kishte pasur protesta, vetëm se motivet do të ishin të një natyre tjetër”.
Ai madje ka thënë se organizuesi i protestës, Lëvizja Vetëvendosje nuk dëshiron që në qeverinë e Kosovës të punojnë serbë në interes të serbëve.
Ndër tjerash, Jabllanoviç ka shtuar se tërë kabineti i kryeministrit Mustafa e di që këto protesta që po thirren në largimin e tij dhe për Trepçën, kanë tjetër qëllim: marrjen e pushtetit me dhunë.
Po ashtu Jabllanoviç, ka thënë se pavarësisht asaj që është duke ndodhur muajin e fundit, mes Listës Serbe, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, komunikimi është i njëjtë, dhe nuk ka asnjë lëvizje negative mes tyre.